Duke filluar nga nesër, datë 20 korrik, muzika në lokale do të ndalet në orën 23:00, duke u shtyrë me një orë nga koha aktuale.
Kryeministri Rama reagoi në Twitter, pasi pronarët e lokaleve të Vlorës mbyllën sot bizneset e tyre përgjatë Lungomares, në shenjë proteste kundër ndaljes së muzikes dhe orës policore.
Rama bëri të ditur se në zonat turistike gjithashtu do të hiqet edhe ora policore.
“Protestë në Lungomare për muzikën?
1.Lungomare s’ka muzikë po ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetëra linja burime menjëherë
2.E drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi tē drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit
3.Siç është lajmëruar, nga data 20 korrik muzika do të ndalet në 23.00 në çdo zonë turistike të banuar dhe kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri – si në tërë botën e civilizuar turistike”, shkruan Rama.
Masat e tjera të marra në 1 korrik mbeten të pa ndryshuara, konkretisht:
-Ora policore në orën 24.00 – 06:00.
-Lejohen kampionatet sportive me prezence të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30% sipas protokollit të ISHP.
-Lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave, me kapacitet të reduktuar deri ne 30% të spektatoreve apo pjesëmarrësve, sipas protokolleve të IShP.