Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, mori pjesë sot në diskutimin midis ministrave të Jashtëm dhe për Çështje Evropiane të BE-së dhe vendeve të Ballkanit që u mbajt në Slloveni.
Sipas njoftimit nga MPJ e Kosovës, ministrja Gërvalla, theksoi në fjalën e saj se Kosova është në rrugë të mbarë sa i përket çështjes së menaxhimit të pandemisë. Ajo theksoi ndihmën e jashtëzakonshme në këtë drejtim të BE-së, vendeve anëtare të saj, por edhe të vendeve jashtë BE-së si Norvegjia dhe SHBA-të.
Teksa ka folur për bashkëpunimin rajonal, Gërvalla është ndalur tek ideja e tregut të përbashkët rajonal si plan dhe strategji për bashkëpunimin rajonal dhe zgjidhje të konflikteve. Ajo ka theksuar se ka aktorë në Ballkan që po tentojnë ta minojnë këtë koncept duke u përpjekur t’i kthejnë kohërat e vjetra në këtë rajon, kur përplasjet politike dhe ekonomike ishin të ndërlidhura. Ajo i ka bërë thirrje BE-së që të ndërmerr hapat e nevojshëm për ta ndalur këtë proces para se të jetë vonë.
“E quajnë ‘Mini-Shengen’ dhe na thonë vazhdimisht që ky nuk është në kundërshtim me rrugëtimin drejt BE-së. Por kjo nuk është e vërtetë. Na thonë që i shërben bashkëpunimit rajonal. As kjo, nuk është e vërtetë. Ky proces mund të jetë shumë i rrezikshëm për stabilitetin dhe paqen në Ballkan”, ka thënë Gërvalla.