Ishte larguar 15 vite më parë bashkë me të ëmën por ëndrra amerikane u pre në mes për 27-vjeçaren shqiptare Joana Peca, e cila pasditen e djeshme u vra me armë zjarri në makinë në sy të dy djemve të saj të mitur.
Mediat amerikane kanë zbuluar edhe identitetin e të dyshuarit që ka vrarë shqiptaren. Ai është një 38-vjeçari ,Benjamin Robert Williams, i cili ishte në një lidhje dashurie me viktimën.
Policia e ka shpallur në kërkim afro-amerikanin i cili ka edhe të shkuar kriminale. Departamenti e policisë ka vendosur edhe një shpërblim prej 5000 dollarë ,për personat që japin informacione për vendndodhjen e amerikanit. Të interesuarit të kontaktojnë Departamentin e Parandalimit të Krimeve “Crime Stoppers” në numrin e telefonit: 1-800-873-KIPSSHILLA për t’u kualifikuar për shpërblimin. Gjithashtu informacionet mund të ndahen duke telefonuar Departamentin e Policisë të Shën Petersburgut në numrin 727-893-7780 ose duke dërguar një tekst që përfshin shkronjat “SPPD” dhe informacionin tuaj në TIP411.
Shumë vite më para 27-vjeçares i kishin vrarë edhe të atin. ABC kontaktoi me një të afërme të viktimës në Shqipëri. Ajo shprehet i ati i Joana Peces, u vra kur në Shqipëri sapo kishin nisur trazirat e vitit 1997. Ajo mohon që dy ngjarjet të kenë lidhje me njëra-tjetrën.
E afërmja e 27-vjeçares tregon se Joana Peca ishte larguar drejt SHBA bashkë me të ëmën pasi u bënë fituese të lotarisë amerikane.
Ajo kishte dy djem të mitur, 3 muajsh dhe dy vjeç, të cilët sipas mediave amerikane në momentin e ngjarjes së rëndë, ndodheshin në makinë bashkë me të ëmën.
Trupi i pajetë i nënës së dy fëmijëve të mitur, u gjet brenda makinës së saj pranë Kopshtit Memorial ‘Woodlawn’ në Shën Petersburg rreth orës 17:30 të së shtunës.
Oficerja e Informacionit Publik të Departamentit të Policisë në Shën Petersburg, Sandra Bentil tha se mori një telefonatë rreth orës 5:30 pasdite të shtunën se një person ishte qëlluar në makinë.
Kur oficerët mbërritën, Bentil tha se gjetën 27-vjeçaren të vdekur brenda një makine të qëlluar me armë zjarri, ndërkohë që dy fëmijët e saj, ishin në gjendje të mirë shëndetësore, por të tmerruar.