Studiuesi që jeton në SHBA, George Pavlakis, duke folur në televizionin grek SKAI, ka ngritur shqetësimin e tij për zhvillimin e pandemisë në vjeshtë dhe dimër. Ai vë theksin tek sjellja e relaksuar e qytetarëve për shkak të sezonit turistik, që do të bëhet sipas tij shkak për një valë të katërt të infektimeve.
“Për fat të keq, vala e katërt po përhapet pa pasur një rezistencë serioze për shkak të relaksimit të muajve të verës. Varianti Delta vjen me një mitraloz dhe ne shkojmë me pushime me armë me ujë, pa asnjë kujdes”, vuri në dukje ai, duke iu referuar rrezikut që ekziston me zbutjen e masave kundër përhapjes së koronavirusit, veçanërisht gjatë periudhës së verës.
“Për disa euro turistike rrezikojmë të kemi shumë njerëz në spitale, gjë që kushton më shumë, ndërsa rrezikojmë të kemi probleme shumë të mëdha të sëmundjeve kronike në shoqërinë tonë në plan afatgjatë. Kjo do të ketë një kosto të madhe” tha ai dhe theksoi se “vala e infektimeve për shkak të variantit Delta nuk është shaka”, dhe se e vetmja mënyrë për t’u përballur me të do të jetë izolimi.
Sipas studiuesit, euforia dhe relaksimi gjatë periudhës së verës do të paguhet shtrenjtë në vjeshtë dhe dimër.
“Spitalet në SHBA kanë filluar të kuptojnë se siç është situata ne jemi përpara një vale tjetër të madhe për shkak të Deltës, veçanërisht kur njerëzit fillojnë dhe kthehen nga pushimet e verës, por siç shohim në ishujt grekë vala është këtu edhe në verë. Kam frikë të them se çfarë mund të bëhet në vjeshtë me shkollat, vendet e punës dhe transportin urban.
Pa vaksinime, distancë dhe pa mbajtur maska, për fat të keq nuk mendoj se shkollat mund të mbahen të hapura dhe gjërat mund të shkojnë mirë. Nëse masat merren tani dhe shifrat e infektimeve ulen në verë, puna për dimrin do të jetë më e lehtë,” veçoi ai.