Kjo verë ka sjellë pak frymëmarrje për turizmit, pas sezonit të kaluar, që u dëmtua ndjeshëm si rrjedhojë e kufizimeve nga pandemia. Turizmi po u rikthehet gradualisht niveleve të parakrizës së pandemisë. Në qershor, në vend hynë 604 mijë shtetas të huaj, sipas INSTAT. Në krahasim me të njëjtin muaj të 2020-s, kur vendi ishte në pandemi, shifra është 3.4 herë më e lartë. Ndërsa në raport me 2019-n, hyrjet e shtetasve janë vetëm 4% më të ulëta.
Sezoni është i mbarë, sidomos për Durrësin, që mirëpret shtetasit e Kosovës, Serbisë e Maqedonisë së Veriut dhe rikthimin e polakëve, sipas një vëzhgimi që Monitor bëri me operatorët turistikë. Nuk janë kaq optimistë në jug të vendit, ku Vlora e zonat rreth saj raportojnë një sezon të dobët, si në 2020-n. Jugu vuan mungesën e emigrantëve dhe italianëve, ndërsa shumë turistë vendas, që vitin e kaluar u dyndën në Jug për shkak të kufizimeve të udhëtimit, tashmë kanë alternativa për të udhëtuar jashtë vendit, ku një destinacion i preferuar mbetet Greqia.
Ndryshe nga Vlora, Saranda po përjeton një sezon të mirë turistik, duke pritur kryesisht turistë nga Ukraina, Bjellorusia, Rusia, Rumania, Serbia. Shëngjini dhe Velipoja po mbëhsteten më shumë te shtatasit nga Kosova.
Durrësi sezon të mbarë, frekuentimi i lartë, çmimet rriten afër nivelit të 2019
Durrësi mbetet edhe këtë sezon plazhi më i frekuentuar në të gjithë vijën bregdetare shqiptare. Kjo ka të bëjë edhe me shtrirjen dhe mundësinë që ka ky qytet për të ofruar turizëm masiv dhe të organizuar. Polakët janë rikthyer këtë sezon në disa prej hoteleve që kanë frekuentuar tradicionalisht vitet e fundit, përmes paketave all inclusive, ndërkohë që vihet re një prani e lartë edhe e turistëve nga rajoni, ku vendin kryesor e mbajnë ata të Kosovës.
Administratori i hotelit “Vala”, Fisnik Gjinali, pohon se të paktën për korrikun e këtij viti, që tashmë kemi edhe një pamje të qartë mbi ecurinë, mund të thuhet se ka qenë shumë më e mirë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. “Korriku në krahasim me vitin e kaluar ka qenë shumë më mirë. Ka frekuentim më të lartë të turistëve të rajonit si nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia apo Bosnjë-Hercegovina. Sigurisht pjesën më të madhe e zënë turistët e Kosovës” nënvizon ai.
Sa u takon turistëve vendas duket se këta të fundit nuk e shohin Durrësin si destinacion pushimesh, por vetëm ditor apo në fundjavë dhe kjo e shtrirë gjatë gjithë vitit dhe jo gjatë verës. Përgjithësisht, sipas Gjinalit, ende një pjesë dërrmuese e turistëve që vizitojnë Durrësin ruajnë traditën e pushimeve njëjavore. Shumica zgjedhin opsionet fjetje dhe mëngjes duke i lënë hapësira vetes që të lëvizin edhe në qytet. Bregdeti i Durrësit nuk i ka shpëtuar këtë vit problematikës që lidhej me ndarjen e plazheve, e cila zuri vend shumë vonë, çka në disa zona në vend u bë edhe problematik. Në Durrës, nuk munguan edhe aksionet e policisë në mes të sezonit.
“Ndarja e plazheve këtë vit u bë me vonesë. Aplikimet u mbyllën në maj, ndërkohë që hoteleria dhe subjektet që kishin plazhe duhet të kishin nisur aktivitetin dhe të prisnin kuponë në maj. Sezoni tek ne nuk duhet të nisë në korrik. Janë disa burokraci që duhet të shihen me kujdes, në mënyrë që potenciali i turizmit të shfrytëzohet në maksimum” – pohon Gjinali. Ajo që vihet re në plazhe është afërsia e stacioneve me njëri-tjetrin, duke mos ruajtur asnjë distancë, si dhe afërsia e shezloneve me njëri-tjetrin. Kjo e ka kthyer në një plazh të mbipopulluar dhe, si nga ana e sigurisë, ashtu dhe estetike, kjo pjesë bën kontrast.
Lidhur me çmimet, Gjinali thotë se ato janë rritur këtë vit duke reflektuar politikat agresive që morën hotelet me 4-5 yje në zonën e Durrësit, të cilët për shkak të pandemisë, ofruan oferta me ulje drastike.
“Hotelet me 4-5 yje, vitin e shkuar, për shkak të pandemisë, futën në masë paketat all-inclusive, me çmime shumë të ulëta deri në 40% ulje. U morën punën hoteleve më të vogla dhe i detyruan që të ulnin edhe ata në minimum çmimet për të mbijetuar. Këtë vit, duke qenë se kërkesa është më mirë se në 2020, çmimet normalisht janë rritur në raport me një vit më parë. Mund të jenë disi 10% më pak se 2019-a që është viti më i mirë i turizmit” nënvizon Gjinali.
Sa i takon ecurisë së përgjithshme të turizmit për Durrësin, viti 2021 cilësohet si një vit mjaft i mirë, me një ulje vetëm 20% në raport me vitin 2019, kur pandemia nuk ishte në horizont.
Vlora vuan mungesën e emigrantëve dhe italianëve, sezoni dobët si në 2020
Vlora, edhe këtë vit, ka pasur investime dhe hyrje në treg të strukturave të reja akomoduese, por frekuentimi duket se ka qenë i dobët deri në korrik të paktën në raport me pritshmëritë.
Krahasuar me vitin e kaluar, një pjesë e strukturave raportojnë se jemi në të njëjtat kushte dhe ndoshta gushti do të jetë disi më mirë, por për Vlorën, penalizimi lidhet me mungesën e italianëve që kanë qenë të rregullt si vizitorë viteve të fundit (përjashto vitin 2020 për shkak të kufizimeve). Edhe emigrantët shqiptarë, që e vizitonin, duket se janë më të pakët në numër në raport me vitet e mëparshme. Luixhino Isufaj, nga hotel “Bologna” në Vlorë, nënvizon pikërisht mungesën e këtyre dy grupeve, si një nga arsyet se pse sezoni në qytet po duket i vakët.
“Sezoni ka qenë mirë, por pak më i vakët madje edhe në raport me vjet duket më dobët. Sigurisht, pandemia ka pasur efektin e saj në këtë pjesë dhe gjërat kanë ndryshuar. Masat disa vende i kanë lehtësuar dhe pushuesit kanë zgjedhur destinacione të tjera, ndërkohë që Shqipëria nuk ka arritur të sjellë sërish italianët.
Këta ishin një grup i rëndësishëm për Vlorën dhe edhe emigrantëve që janë më pak. Ka të bëjë ndoshta dhe fakti që duhet të karantinoren, nëse vizitojnë Shqipërinë, ndaj kanë zgjedhur që të qëndrojnë në Itali” – pohon ai. Sa u takon grupeve të tjera të të huajve, në Vlorë këtë sezon kanë qenë të pranishëm turistët ukrainas, ata bjellorusë, si dhe shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Pas një sezoni të vështirë në vitin 2020, kur shumica e sektorit tentoi të mbijetonte me çdo kusht duke u qasur më shumë tek ofertat, këtë vit në Vlorë vihet re se ka një rritje të çmimeve, që shkon mesatarisht në 10%. Kohëzgjatja e qëndrimit të turistëve nuk është tipike e pushimeve me kohë të gjatë 7-10- ditore. Zakonisht qëndrojnë minimumi 3 ditë apo 5 deri në një javë maksimumi.
Himara, me sytë nga gushti, çmimet në disa zona 20% më shumë se vjet
Belinda Bunaj, menaxhere e një prej strukturave akomoduese më në zë në Himarë, pohon se ky vit ka qenë disi i vakët për qytetin e Himarës, të paktën nëse kemi parasysh korrikun. Kurse për gushtin dhe sidomos 15- ditëshin e parë të tij, ajo nënvizon se pritshmëritë janë që thuajse të gjitha strukturat akomoduese, të jenë të rezervua 100%.
“Këtë vit, me rezervimet jemi njëlloj si vitin e kaluar. Nga qershori dhe deri në fillim të korrikut, ajo që vinim re ishin vetëm rezervimet e fundjavës, ndërsa tani që ka filluar edhe periudha e pikut jemi 100$ të rezervuar. Sa i takon grupit të turistëve që vijnë kryesisht, ata janë vendas, e njëjta tendencë që është shfaqur edhe vitin e kaluar, kur pandemia ishte më e prekshme. Vëmë re që janë të njëjtët klientë që janë rikthyer. Kemi edhe shtetas nga Kosova.
Sa u takon të huajve, kryesisht kanë qenë në numër të paktët, për shkak të kufizimeve, por nuk mungojnë plotësisht. Rezervojnë qoftë me Booking, qoftë me agjenci dhe kemi vënë re prani të klientëve nga Holanda. Deri më tani, të paktën nga sa vë re ecurinë e sezonit për Himarën, duket se jemi pak a shumë në të njëjtën situatë si një vit më parë.
Në gusht, mendoj se do të jetë më mirë sesa vitin e kaluar dhe ndoshta do të bëjë diferencën sepse tradicionalisht gushti, dhe më saktë 15 ditëshi i parë, është pjesa më e mirë, kur hotelet janë thuajse të gjithë të rezervuar 100%. Lidhur me çmimet në përgjithësi vërej se nuk ka ndryshime të mëdha, të paktën për pjesën e qytetit” pohon Bunaj. Por ndërsa për strukturat e mëdha, nuk ka pasur ndryshime të dukshme çmimesh, pasi edhe në numër, të paktën në Himarë ato janë më të pakta, për strukturat mesatare, kryesisht me menaxhim familjar nga tur-operatorët vihet re se ka një rritje 10-20%. Ndërsa një vit më parë, çmimet u “rikthyen” tek leku, pasi turistët vendas ishin edhe ata që frekuentuan në masë pjesën e Jugut, këtë vit thuajse të gjitha çmimet jepen në euro.
Ndaj nëse një vit më parë, një dhomë në Himarë e gjeje me çmim 4000 lekë, këtë verë e gjen 40 euro, nëse ishte 5000 lekë, – 50 euro, që automatikisht reflekton edhe rritjen. Për plazhe si Dhërmiu, rritja është me 20% në struktura akomoduese ku mesatarja luhatet mes 80-100 euro për struktura të vogla familjare. Kjo nuk do të thotë që mungojnë raste përjashtuese kur një dhomë mund ta gjesh edhe për 60 euro, por distanca nga plazhi është e konsiderueshme, kurse hotele më të mëdhenj dhe me emër në këtë zonë, dhomat variojnë mes 150-200 euro në gusht.
Zona e Jalit, prej vitesh, operon mes dy ndarjeve ekstreme në çmime. Me një kapacitet të kufizuar akomodues, të ndarë mes një strukture luksoze me vila, disa hoteleve të vogla dhe shtëpi të kthyera me funksion akomodimin, çmimet variojnë mes 60-280 euro nata në gusht. Vitin e shkuar, mesatarja e sigurimit të një dhome për dy persona në strukturat e vogla ishte 50 euro nata, kurse këtë vit kanë shkuar në 60 euro nata.
Qeparoi, nga ana tjetër, të ofron mundësinë për të bërë plazh më ekonomik. Mund të gjesh dhoma edhe me 35 euro nata, kurse në Borsh, mesatarisht çmimet luhaten mes 50-80 eurove për struktura të mirëfillta hoteli, duke mbetur pak a shumë në të njëjtat nivele, me një rritje të lehtë, që vjen si efekt i hyrjes së strukturave të reja në funksion.
Saranda rrit çmimet 30-40% nga kërkesa, dominojnë serbët
Saranda, këtë vit, është e dyta pas Durrësit që duket se po përjeton një sezon të mirë turistik, me një rritje të dukshme në raport me vitin paraardhës kur pandemia e penalizoi, me kërkesë më të ulët. Arben Çipa, nga Sipa Tours, nënvizon se duke nisur nga 15-ditëshi i dytë i korrikut, hotelet janë të gjithë plot dhe pritshëmritë janë që edhe gushti të jetë i tillë.
“Nëse flasim për hotelet në vijë të parë dhe të dytë, të gjithë janë 100% të rezervuar. Edhe çmimet e tyre janë rritur. Saranda e nisi sezonin me çmimet e ulura të një viti më parë, por më pas kërkesa e rritur duket se çoi në një rritje 30-40% më shumë në raport me një vit më parë” shprehet Çipa.
Sipas tij, në Sarandë, sa i takon turizmit të organizuar në këtë sezon ka pritur kryesisht turistë nga Ukraina, Bjellorusia, Rusia. Po kështu janë disa kompani rumune dhe serbe që operojnë me autobusë.
“Turistët serbë janë më dominues sesa pjesa tjetër. Vihet re se ka shumë pushues evropianë, që kanë ardhur në mënyrë të pavarur me tragete. Kryesisht vijnë çifte” – pohon Çipa. Këtë sezon, Sarandën e kanë zgjedhur shumë edhe vendasit, si dhe diaspora e Kosovës.
Thuajse të gjithë plazhet janë plot përgjatë Sarandës dhe Ksamilit dhe çmimet në restorante dhe shezlone janë njëlloj si në vitin 2019. Çipa pohon se raste abuzimi mund të ketë tek-tuk, duke shfrytëzuar kërkesën e lartë por shezlonet kanë një çmim kryesisht mes 700 dhe 1000 lekë, ndërkohë që në plazhet e mira mund të hasësh edhe çmime 1500 lekë. Përgjithësisht, qëndrimi mesatar në Sarandë është njëjavor nga sa konstatohet dhe turistët duket se e kanë shijuar shumë edhe risinë që ka paraqitur Saranda këtë vit, e cila lidhet me turet me anije.
“Butrinti mbetet një destinacion i preferuar dhe kjo ndodh edhe sepse është i njohur. Ndërkohë, risi e këtij sezoni janë turet me anije, të cilat janë shumë dinamikë. Ne, për shembull, në turin tonë ofrojmë Kepin e Qefalit, Krorëzën dhe Kakomenë gjatë një dite. Paketat që ofrohen kanë çmim 40 euro personi all-inclusive, ose 20 euro vetëm turi. Në paketën me të gjitha të përfshira ofrohen çadra dhe dysheku në plazh, dreka dhe pije freskuese pa limit. Turet nisin nga mëngjesi deri në 17:30” – shprehet Çipa.
Shëngjini, pa turizëm të organizuar, por mbështetet te Kosova
Shëngjini, pavarësisht një viti më të mirë turistik në 2021, sërish nuk është në nivelet e para pandemisë. Strukturat raportojnë se arritja e plotësimit të kapaciteteve 100% nuk ka qenë e mundur në asnjë moment të sezonit dhe nuk pritet të arrijë në këto nivele as në gusht, që gjithsesi duhet thënë parashikohet të kapë nivelet 85-90%.
Bledar Shima, nga resorti “Rafaelo” në Shëngjin, pohon se korriku ishte relativisht më poshtë se pritshmëria, edhe për shkak të ditëve të Bajramit dhe pas datës 20 përjetoi rritje graduale, e cila do të vazhdojë edhe gjatë gushtit.
“Korriku ka qenë relativisht mirë përveç ditëve të Bajramit që pati rënie. Të paktën në hotelin tonë, zënia e dhomave ka qenë tek 50-60% në atë kohë. Pas datës 20 korrik, ka pasur rritje dhe mendoj që dhe për gushtin do të vazhdojë kjo tendencë. Kryesisht klientët janë nga Kosova dhe më saktë diaspora e Kosovës. Nga totali i turistëve, që nuk janë vendas, mund të them se 90% janë nga Kosova, por ka edhe nga vende të tjera si nga Italia, Gjermania, Rusia, por në numër të kufizuar. Me polakët që ne i kemi pasur më parë në hotel para pandemisë dhe kishim turizëm të organizuar, nuk kemi pasur marrëveshje as këtë vit, pasi ishte çështja e karantinës kur ata të ktheheshin dhe nuk i shihnin me interes pushimet në Shqipëri.
Sa i takon gushtit, mund të them se e kemi mjaft mirë. Aktualisht me rezervimet që kemi, mund të them se në fundjavë shkojmë në 85-90%. Rezervimet janë 3-4 ose 5-ditore por jo më të gjata. Në përgjithësi vëmë re që janë bërë më të shkurtra dhe nuk është tendenca me një javë apo 10 ditë që është tradicionale për pushimet. Kryesisht parapëlqehet paketa mëngjes dhe fjetje” – nënvizon Shima.
Ai pohon se pandemia ka lënë efektet te buxhetet familjare dhe kjo ka ndikuar edhe tek shpenzimet që bëhen për pushime. Familjet apo individët janë treguar më të kujdesshëm.
“Nëse shohim shpenzimet konstatojmë se ato janë të kufizuara, pasi pandemia ka bërë të vetën. Në raport me vitin 2020, mund të themi që në total jemi më mirë, por në raport me vitin 2019, që ishte më i miri në turizëm, është më dobët, të paktën për Shëngjinin. Lidhur me problematikën e ndarjes së plazhit, në Shëngjin nuk është shumë e dukshme. Mund të flas për hotelin tonë, që nuk kemi pasur probleme dhe si nga ministria dhe nga bashkia, ka qenë një ndarje e drejtë dhe pa vonesë” shprehet ai.
Velipoja, me rritje të frekuentimit, qëndrimet kryesisht 5-ditore
Velipoja, e cila në fillim të sezonit u përball me një ngjarje dramatike ku humbën jetën katër persona nga një konflikt që zanafillën e kishte tek ndarja e plazhit, arriti të kapërcejë këtë moment të vështirë. Kabir Fishta, nga hotel “Fishta” në Velipojë, pohon se ngjarja nuk dha efekt dhe frekuentimi ka qenë i mirë gjatë korrikut dhe nga rezervimet i tillë pritet edhe gushti.
“Ne operojmë prej gjashtë vitesh në sektorin e turizmit me hotelin tonë. Vë re që ky vit sigurisht është më i mirë se ai i kaluar. Vizitorët kryesorë mbeten ata nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Më pak pastaj ka të huaj. Ngjarja që ndodhi në fillim të sezonit nuk pati ndikim fatmirësisht dhe ecuria ka qenë normale. Zakonisht turistët kanë një qëndrim mesatar 5-ditor në hotel dhe preferojnë që rezervimin ta kenë mëngjes dhe fjetje. Kuzhina që pëlqejnë është ajo që përfshin produktet e detit.
Me heqjen e masave kufizuese dhe rritjen e orarit, një pjesë e turistëve e shfrytëzojnë kohën e tyre për të dalë edhe në qytetin e Shkodrës, ndërkohë që edhe Shiroka është një destinacion që ka fituar popullaritet dhe frekuentim” – pohon z. Fishta. Velipoja ka pasur përgjithësisht në korrik një nivel rezervimesh tek 80% në një pjesë të hoteleve, ndërkohë që për gushtin zënia e dhomave pritet të arrijë në 90%.