Kryeministri i Kosovës, njëherazi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar nga bashkatdhetarët që të regjistrohen për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 17 tetor.
Kurti përmes një video të publikuar në rrjetin social Facebook, ka pohuar se vota e diasporës është shumë e rëndësishme, ndaj dhe u ka bërë apel që të regjistrohen për të votuar, duke ritheksuar rëndësinë e tyre.
“Të dashur bashkëatdhetarë. Mërgata ka qenë gjithmonë forca e ndryshimeve të mëdha politike dhe garantuese e mbijetesës sociale të vendit tonë. Njëjtë ndodhi edhe sivjet. Tani në fund të pushimeve, përsëri jemi para një momenti jetik. Jemi para zgjedhjeve lokale të 17 tetorit. Deri me datë 18 gusht është afati i regjistrimit për të votuar prej jashtë vendit. Nxitoni, regjistrohuni, dhe ndihmoni e inkurajoni të tjerët ta bëjnë një gjë të tillë. Është e një rëndësie edhe më të lartë se zgjedhjet qendrore pjesëmarrja e mërgatës në zgjedhjet lokale që do të mbahen me datë 17 tetor. Vota e juaj shumë herë është treguar vendimtare në përcaktimin e kursit politik e zhvillimor që ka marr vendi, andaj mos e lëni për ditën e radhës apo ditën e fundit, aplikoni sa më parë dhe hyni në rrjedhën teknologjike që do ju përcjellë me instruksione deri në ditën e votimit”, ka deklaruar Kurti.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor, ndërkaq subjektet politike kanë kohë 30 ditë për të bërë fushatë zgjedhore, megjithatë deri më tani nuk janë afirmuar të gjithë emrat që do të garojnë për të drejtuar komunat e vendit.