Kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern, ka njoftuar ditën e sotme se kufijtë e vendit do të qendrojnë të mbylur të paktën deri në fund të vitit për shkak të shtimit të madh të rasteve me Delta.
Në një deklaratë zyrtare ajo tha se përparësia është vaksinimi i të gjithë popullsisë dhe mbajtja e aktiviteteve ekonomike të hapura.
“Ne nuk jemi në gjendje të rihapemi plotësisht, duam të lëvizim me besim dhe me sa më shumë siguri të jetë e mundur,” -tha ajo.
Kryeministrja gjithashtu parashikoi që kur vendi të rihapet vitin e ardhshëm, udhëtarët e vaksinuar nga zonat me rrezik të ulët do të jenë në gjendje të hyjnë pa karantinë, ndërsa rastet e tjera do të duhet të izolohen ose të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë.
Zelanda e Re konsiderohet si një nga vendet që ka menaxhuar më mirë pandeminë e koronavirusit, me vetëm 26 vdekje nga një popullsi prej pak më pak se pesë milion banorë.