Marrin fund aventurat e Teutës dhe Laçit në Conference League. Kampionët e Shqipërisë, të cilët kishin humbur 1-0 në Irlandë përballë Shamrock Rovers në duelin e parë të ruandit të tretë të këtij turneu, u mposhtën edhe në “Elbasan Arena”, kësaj radhe me rezultatin 0-2.
Rory Gaffney realizoi dy golat e kampionëve të Irlandës, nga një për pjesë. Në të parin (20′) u shkëput bukur në krahun e majtë, dogji Aleksin në sprint dhe dërgoi topin pas shpinës së Frashërit, ndërsa te goli i dytë (62′) përfitoi nga pozicioni i gabuar i mbrojtjes durrsake dhe vulosi triumfin e Shamrock.
Edhe Laçi humbi sërish përballë Anderlecht. Ekipi belg fitoi 0-3 sfidën e parë të luajtur në “Elbasan Arena” të enjten e kaluar, ndërsa ndeshjen e sotme, të luajtur në “Lotto Park” të Brukselit, e mbylli me rezultatin 2-1.
Francis Amuzu zhbllokoi takimin në minutën e 32-të, duke kaluar ekipin e Kompany në avantazh. Anderlecht dyfishoi me anë të Yari Verschaeren (72′), i cili përfitoi nga një gafë në mbrojtjen kurbinase.
Djemtë e Shpëtim Duros reaguan dhe ia dolën të gjenin golin e nderit. Regi Lushkja (85′) finalizoi një aksion me pasime të bukur, moment që gëzoi tifozët shqiptarë të pranishëm në shkallët e stadiumit.