Në vitet e tij të rinisë, narkotrafikanti italian Giuseppe Romeo, i njohur si “Maluferru”, ishte magjepsur me punën që bënin “kolegët” e tij meksikanë. Në veçanti, sipas burimeve policore të njohura me trafikantin, ai admironte Los Zetas, kartelin e dhunshëm të njohur për prerjet e kokës, bombardimet dhe sulmet e hapura ndaj trupave qeveritare meksikane. Por gjithsesi, Maluferru dhe vëllezërit e tij bënë të gjithë biznes me ‘Ndrangheta-n, grupi kriminal më i fuqishëm në Itali gjatë dekadave të fundit.
Babai i Maluferru, Antonio Romeo, udhëhoqi klanin Romeo-Staccu të ‘Ndrangheta-s’ derisa u arrestua në mesin e viteve 1990 dhe u dënua me 30 vjet burg. Pasi mori frenat e operacioneve të trafikimit të drogës të familjes së tij, Maluferru u bë lidhja mes dy botëve, duke u njohur si një person me kontaktet më të mira me Amerikën Latine duke furnizuar pa problem me kokainë Europën. Ata merrnin drogë nga Kolumbia dhe Brazili, e transportonin përmes Bregut të Fildishtë dhe më pas e dërgonin në skutat e Evropës veriperëndimore: Antëerp, Hamburg dhe Roterdam. Në të gjitha ndalesat, ai ngacmonte dhe frikësonte trafikantët e tjerë të drogës që të zbatonin urdhrat e tij, po ashtu u përdorte truke duke u fshehur edhe dërgesat. Kështu edhe u bë një nga trafikantët më të mëdhenj në Kalabri. Por pavarësisht gjithë çfarë bënte, kishte si reputacion që të qëndronte jashtë telasheve. Nga përgjimet e marra gjatë një telefonate, klienti i tij tregonte se Maluferru ishte “dehur” vetëm një herë.
Maluferru do të thotë “i armatosur dhe i rrezikshëm”. Por sot Giuseppe Romeo nuk është më i armatosur. Më 11 mars, ai u arrestua në Barcelonë në kuadër të një hetimi të udhëhequr nga Interpol me Gardën Civile Spanjolle dhe në bashkëpunim me Policinë italiane. Dy muaj më vonë, shumë nga bashkëpunëtorët e tij të ‘Ndrangheta-s, duke përfshirë klientët e tij të mëparshëm nga klani Giorgi-Boviciani, u arrestuan në të ashtuquajturin operacion Platinum. Maluferru ishte dënuar në mungesë me 20 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge, por tani është ekstraduar dhe do të përballet me akuza të tjera.
I përshkruar si një tregtar droge “mancu li cani” – që do të thotë “si askush” në dialektin kalabrez – Maluferru kishte ndërtuar që nga viti 2008 një perandori që u përhap në të gjithë botën dhe transportonte drogë në të gjitha portet e Europës.
VENDLINDJA E TIJ
Qyteti i San Luca ndodhet në majë të çizmës së Italisë, i ndarë nga Reggio Calabria, qyteti kryesor i rajonit, nga malet Aspromonte. Ndërsa ecni nëpër rrugët e tij të ngushta, shtëpitë monotone janë plot me rroba që thahen dhe shtëpitë e papërfunduara japin ndjenjën e qartë të vështirësive ekonomike. Por aparenca mashtron! San Luca është shtëpia shpirtërore e ‘Ndrangheta-s , ndoshta banda më e fuqishme e krimit të organizuar në botë. Shumica e popullsisë së qytetit është e lidhur me një nga të paktën nëntë klanet kryesore kriminale që kanë “lindur” në qytet. Një distancë të shkurtër nga San Luca, në malet e një parku kombëtar aty pranë, është shenjtërorja e Santa Maria di Polsi. Ishte këtu, në San Luca, ku Maluferru, i cili ishte atëherë 16 vjeç, pati takimin e tij të parë me Policinë pasi akuzohej për mashtrim dhe vjedhje. Kur u bë 22 vjeç, ndaj tij ishin ngritur akuza për trafik droge, por ai tashmë ishte larguan nga San Luca, si edhe shumë fëmijë të tjerë të Ndrangheta. Por edhe pse u rrit shpejt në radhët e familjes, nuk pati asnjë rol të rëndësishëm deri në mesin e vitit 2010. Por Maluferru nuk filloi nga fundi.
Klani i tij, Romeo-Staccu, besohet të ketë pasur miqësi me klanin kryesor Pelle-Gambazza, i njohur për aftësinë e tij në trafikun e drogës. Këto klane të fuqishme kanë pasur gjithashtu bashkëpunim të mirë edhe me klane të tjera në San Luca, të tilla si: Nirta-Scalzone dhe Mammoliti-Fischiante. Si dhe ato më të vogla, të tilla si Giorgi-Boviciani, Giorgi-Bellissimo dhe Strangio-Fracascia. Pikërisht këto lidhje, Maluferru i përdori me mjeshtëri për të ndërtuar rrjetin e tij të fuqishëm në trafikun e drogës. Por, ndryshe nga shumë kolegë të tij, ai kurrë nuk u dënua me akuzën e zakonshme të bashkëpunimit me ‘Ndrangheta-n, të cilën prokurorët italianë shpesh ua vënë kriminelëve. Nuk u provua kurrë.
Aftësia e tij për tregëtuar “mallin” nuk ishte menjëherë e qartë për Policinë. Këta të fundit kuptuan gradualisht se Maluferru – pamja e vogël e të cilit i bëri armiqtë e tij ta quanin Xhuxh – kishte një ndikim të pakufishëm në punët e krimit. Në vitin 2015, ai ishte një lojtar kyç në grupin belg së bashku me vëllezërit e tij Domenico dhe Filippo, si dhe me Antonio Calogero Costadura, një narkotrafikant i lindur në Belgjikë me origjinë kalabreze i njohur si “U Tignusu”, që do të thotë “i guximshëm”.
Por derisa u kuptua se çfarë ishte në gjendje të bënte, Maluferru tashmë kishte vënë pasuri dhe kishte ndërtuar një rrjet kontaktesh në botën e nëndheshme që çdo narkotrafikant që do të bëjë “karrierë” do ta kishte zili. Por një grup belg e nënvlerësoi aftësinë e tij.
Maluferru kishte një rrjet rajonal që operonte midis Holandës, Italisë, Spanjës dhe Gjermanisë. Përveç disa kontakteve të besuara,u mbante të lidhura me shumë figura të Ndrangheta-s, duke e ndihmuar atë të qëndronte i lirë brenda Evropës, ndërsa të tjerët tërhiqnin vëmendjen e Policisë dhe arrestoheshin.
Policia më në fund bëri hapa të mëdhenj duke bërë një bastisje të madhe më dhjetor 2018 nga Eurojust. Rreth katër tonë kokainë u kapën dhe 84 anëtarë të ‘Ndrangheta’, përfshirë dy vëllezërit e Maluferru, u arrestuan. Edhe pse shumica e bandës belge u kap, Maluferru i shpëtoi Policisë. Ai ishte vendosur në një adresë, në një qytet një orë larg Këlnit, por kur autoritetet gjermane i kontrolluan shtëpinë, ai nuk ishte më atje.
MËSIME NGA COSTA BRAVA
Maluferru ndërtoi një rrjet veçanërisht të besueshëm në Spanjë, vend ku qëndronte përkohësisht për t’i shpëtuar Policisë. Maluferru jetoi për një kohë në Calella, një qytet bregdetar i vendosur më pak se një orë larg Barcelonës. Aty jetonte me të dashurën e tij kolumbiane dhe Vincenzo Macrìn, një i arratisur nga ‘Ndrangheta. Pjesa më e madhe e asaj që autoritetet do të mësonin më vonë për biznesin e grupit në Spanjë dhe gjetkë erdhi nga bashkëpunimi i Daniel Panarinfo, i cili u bë i penduari i drejtësisë në 2016.
“Maluferru ishte partner me Giuseppe dhe Bruno Nirta, vëllezërit kishin komplotuar për të trafikuar kokainë të lëngshme nga Amerika Latine në Spanjën jugore,”- tha Panarinfo.
Në ndihmë do t’u vinte një burrë i quajtur Xavi – një biznesmen katalanas i lëngjeve të frutave i cili, sipas Panarinfo, kishte kontakte të drejtpërdrejta me trafikantët kolumbianë të drogës,. Ata planifikuan të hapnin një kompani, për të importuar lëngje nga Argjentina.
Kokaina e lëngshme do të fshihej në kutitë e lëngjeve dhe do të transportohej në Spanjë me një kosto prej 12,000 deri në 13,000 eurosh për kilogram, për t’u shkarkuar më pas në një port spanjoll nga një grup shqiptarësh. Dërgesat më pas do të dërgoheshin në një magazinë në qytetin bregdetar të Sitges, një makinë 45-minuta nga Barcelona, ku një njeriu që ata e quanin Compañero do t’ua ngurtësonte drogën.
Hetuesit nuk mund të konfirmojnë nëse plani është vënë ndonjëherë në aksion, por reporterët tanë zbuluan se Xavi vazhdon të drejtojë kompani të pijeve në Calella. Pothuajse në të njëjtën kohë, Maluferru lëvizte midis Spanjës, Italisë dhe Belgjikës, duke blerë ngarkesa me kokainë nga një familje kalabreze që jetonte në qytetin Maasmechelen, në Belgjikën veriore. Ato furnizoheshin nga kartelet kolumbiane, ngarkesat e të cilëve nga Amerika Latine u mblodhën në Antëerp dhe Roterdam dhe më pas u shitën nga Maluferru tek blerësit e klanit Giorgi-Boviciani.
Panarinfo tha gjithashtu se Maluferru mori të paktën 170 kilogramë kokainë nga furnizuesit meksikanë, disa prej të cilave u ruajtën në Itali nga ndihmësi i tij, një kalabrez i njohur si Pitti. Megjithëse banda e Maluferru arriti të shiste 100 kilogramë, 70 të tjerët u vodhën nga banesa e tij në Saronno, në veriperëndim të Milanos, nga burra të veshur me maska skiatorësh, të cilët hynë nga dera në orën 5 të mëngjesit. Sidoqoftë, këto dështime nuk e ndaluan ngritjen e Maluferru prë në majë. Me kalimin e muajve, ai filloi të lëvizte me lojtarë më të mëdhenj.
NË BOTËN E TË MËDHENJVE
Sipas Panarinfo, Maluferru gjithashtu ka punuar me Gabriele Biondo, alias “El Italiano”, një nga trafikantët më të fuqishëm të drogës në Costa Brava. Biondo, për të cilin burimet policore thanë se kishte bashkëpunuar edhe grupin italian Camorra e me mafian ruse. Sipas të afërmve, nga ana e nënës së familjes, Maluferru gjithashtu mund të ketë kontakte kyçe edhe me Strangio-Fracascia, një klani tjetër i San Luca-s që u vendos në Belgjikë. Pikërisht kjo lidhje i jepte atij qasje në portin e Antëerp.
Aleatët e tij nga klani Pelle-Gambazza, ndërkohë, kanë krijuar një qendër të madhe trafikimi në Argjentinë dhe i kanë hapur derën Maluferru-s për të bashkëpunuar me Rocco Morabito, një tjetër nga ndërmjetësit kryesorë të ‘Ndrangheta-s. Morabito është me origjinë nga një kështjellë tjetër e ‘Ndrangheta-s, Africo, vend i ndodhur në jug të San Luca dhe në letër një nga qytetet më të varfra në Itali, edhe pse është shtëpia e familjeve të pasura të trafikantëve të drogës.
I njohur në ditët e tij nga mediat si “mbreti i kokainës i Milanos”, Morabito ishte në arrati që nga mesi i viteve 1990. Policia beson se ai ka marrë kokainë nga Clan del Golfo de Colombia. Sikur të mos mjaftonte, Maluferru gjithashtu kishte filluar të grumbullonte drogë përmes Nicola Assisit, i cili drejtoi një operacion të madh kontrabandimi nga Brazili së bashku me djalin e tij, në një kohë kur të dy ishin në arrati nga autoritetet italiane.
Assisi, nga Kalabria veriore, kishte qenë prej vitesh një nga trafikantët kryesorë të drogës së ‘Ndrangheta-s’ në Amerikën Latine. Ai dërgonte dërgesa prej të paktën 500 kilogramësh në Evropë.
Midis Morabito, Asís dhe PCC, “tubacioni” për drogën që Maluferru kishte në Amerikën Latine ishte i pakrahasueshëm. Edhe rastësia dukej se funksiononte në favor të tyre! Kur Assisi-it u arrestuan në korrik 2019, arratisja e Morabito nga burgu i Uruguajit la të kuptphet se furnizimi me drogë i Maluferru-s nuk do të ndërpritej. Por veç fatit, Maluferru ishte gjithashtu i zgjuar dhe i kujdesshëm. Një narkotrafikant, i impresionuar nga aftësia e tij, i shpjegoi një kolegu sesi Maluferru i mbante hetuesit larg.
“Ai blen dhjetë telefona që zgjasin gjashtë muaj secili, e kupton? Ai të jep një, i jep njërin atij, një mban për vete. Pastaj i jep telefonin një tjetri dhe ai mban të tijin, për të ngatërruar hetuesit,”-tha ai. Ironia ishte se pavarësisht nga masat paraprake që mori Maluferru, Policia prapë dinte shumë për të përmes telefonatave që ishin përgjuar nga bashkëpunëtorët e tij.
OPERACIONI ABIDJAN
Duke mos qenë i kënaqur me kontaktet e tij në Amerikën Latine, Maluferru vazhdoi të zgjerohej duke hedhur sytë edhe nga Afrika. Ka të ngjarë të ai të jetë pas një komploti për trafik kokaine. Sipas hetuesve, ishte një dentist me origjinë zvicerane ai që lidhi së pari Maluferru me një grup biznesmenësh italianë nga Napoli që jetonin në Abidjan, të gjithë të lidhur me Camorrën italiane. Maluferru kishte udhëtuar në Bregun e Fildishtë për herë të parë në 2018, pasi dentisti i siguroi atij qasje të drejtpërdrejtë, po ashtu një oficer policie që i siguroi atij leje emigracioni dhe qasje në një apartament të ndodhur në një prej zonave më luksoze.
Sipas dokumenteve nga hetimi i “Spaghetti Connection” në vitin 2018, ai ndonjëherë shoqërohej nga Antonio Nirta – vëllai i vetëm Nirta i mbetur në lojë pasi Giuseppe u qëllua për vdekje në 2017 dhe Bruno u arrestua në 2018. Maluferru gjithashtu kishte mbështetjen e shokut të tij Pitti, dhe një kushëriri.
Me ndihmën e biznesmenëve napolitanë të lidhur me Kamorrën, Maluferru dhe ekipi i tij dyshohet se filluan të importonin kokainë në Abidjan direkt nga Brazili duke përdorur portin e Santos. Më 17 shtator 2018, policia e Santos kapi 1,195 kilogramë kokainë brenda rrotullave të makinave “Caterpillar”. Por kapja e Santos nuk i ndaloi trafikantët, të cilët ata menduan se ishte një bastisje e rastësishme. Por policia braziliane lajmëroi policinë e Bregut të Fildishtë, e cila alarmoi homologët e tyre italianë. Në një operacion të përbashkët, policia gjurmoi dentistin gjatë kohës kur ai udhëtoi për në Abidjan më 26 tetor 2018, duke i çuar ata përfundimisht shumë pranë Maluferrus.
Që nga dhjetori 2018, lëvizjet e Maluferru ishin gjithnjë e më të kufizuara sepse ai po kërkohej. Që atëherë, një nga partnerët e tij qëndroi në Abidjan për ta bërë punën për të, duke hapur më 26 shkurt 2019 një kompani të re import-eksporti, e regjistruar si kompani postare.
POLICËT KRIJOJNË NJË PROFIL
Në të tridhjetat, Maluferru kishte lënë tashmë përshtypje të qëndrueshme te shumë trafikantë droge, por jo të gjitha ishin pozitive. Informatori Panarinfo e përshkroi atë në polici si: të shkurtër, pak tullac, fizik të hollë, biond. Alessandro Giagnorio, i përdorur nga Maluferru si korrier parash, nuk i bëri një përshkrim mbreslënës. Kur foli në polici, Giagnorio tha se Maluferru ishte “i shkurtër, i hollë, nervoz dhe i pasjellshëm.
“Kur them që flet shpejt, nënkuptoj se për 3 minuta do t’ju ketë thënë çfarë duhet që të bëni, duke folur shpejt dhe me një theks të fortë kalabrez. Disa e quanin atë U Pacciu, ose El Loco. Thuhej se ai tregonte pak respekt sepse ishte mësuar të rrethonte veten me personazhe më të dobët që e trajtonin me respekt.”
Në gusht 2018, çifti udhëtoi së bashku për një drekë të planifikuar me narkotikë të tjerë nga San Luca në një zonë rurale pranë shenjtërores Santa María de Polsi. Perspektiva e një vakti tradicional malor nuk i bëri përshtypje.
RËNIA E MALUFERRU
Në fund të karrierës së Maluferru, supozohet se kishte nisur të punonte me ata që adhuronte më së shumti, Los Zetas. Gjatë marrjes në pyetje, Panarinfo i tha policisë se Maluferru kishte trashëguar disa kontakte nga një xhaxha i burgosur. Ai tha se këta burra quheshin “Zeta” ose “Zita”, e se i përkisnin të njëjtit kartel që Maluferru kishte adhuruar dikur. Por një kombinim i arrogancës së tij, dobësisë së partnerëve të tij dhe punës së policisë, solli fundin e tij. Maluferru kishte një reputacion për tradhtimin e njerëzve dhe gjithmonë dukej i gatshëm të lidhej me të tjerë. Këto taktika mund të paguhen në një afat të shkurtër, por përfundimisht njerëzit flasin.
Në një telefonatë të përgjuar në vitin 2016, një trafikant i tha Domenico Pelles se vëllai i Maluferru, Filippo, i kishte ofruar drogë me 31,000 euro për kilogram, për ta paguar kur të kishte mundësi. Sidoqoftë, trafikanti kur mori vesh se kokaina vine nga Maluferru, i tha se nuk e donte.
“Nëse Maluferru më jep qoftë edhe një gram, unë nuk e dua.”
Në qershor 2019, një bastisje e koordinuar nga policia në Francë, Itali dhe Brazil solli arrestimin e pronarit të AGL Sarl, Ardolinos dhe pesë italianëve të tjerë të lidhur me Camorrën. Ardolino pranoi se e njihte Maluferrun dhe i tha policisë se kishte dashur të investonte një ose dy milionë euro në biznesin e ngritur në bregun e Fildishtë. Pas disa javësh, në mars të vitit 2021 Garda Civile spanjolle mundi ta arrestonte. Edhe pse ai bëri shumë armiq gjatë rrugës, të gjithë binin dakord për diçka: Ishte shumë i mirë tek ajo që bënte.
“Ju tashmë e njihni Xhuxhin. Nëse e doni, e ka. Është çështje ditësh ,”- tha për të Giovanni Giorgi.