Një kallashnikov ka tërbuar të gjithë Shqipërinë! Lajmi se Goran Bregoviç do të këndojë në Korçë, në festën e Birrës, mbi të gjitha me para, ka shkaktuar një valë zemërimi mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë ndaj këngëtarit serb. Personazhe të njohura të politikës, artit, kulturës dhe gazetarisë janë përfshirë në një debat që duket se nuk ka fund që në qendër ka këngën “Kallashnikov”. Pretendohet se kjo këngë “zgjoi nacionalizmin serb” dhe se fjalët në këngën “Pucaj” (qëllo), e cila tani nuk qarkullon më në Youtubë kanë nxitur ushtarë e paramalitarë serbë që të kryenin masakra në Kosovë. “Juris” (sulmo) dhe “Boom Boom Boom” dëgjoheshin kudo në Kosovë, e nuk shoqëroheshin me duartrokitje por me plumba ndaj shqiptarëve.
Për çfarë bëhet fjalë në këngën “Kallashnikov”?
Bregoviç e krijoi këngën “Kallashnikov” më 1995 për filmin “Underground”, një dramë me humor të zi, të regjisorit Emir Kusturica, që flet për njerëzit që jetojnë nën tokë, të pavetëdijshëm për faktin se Lufta e Dytë Botërore ka mbaruar. Për këtë film, Kusturica fitoi Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Kanë.
TEKSTI I KËNGËS:
Ciganë! Vraponi!
Bum, bum, bum, bum, bum!
Vëllezër, vëllezër, hej po!
Bum, bum, bum, bum, bum! *
Kur vëllezërit e mi, vëllezërit e mi mungojnë, hej po!
O Zot…
O Zot…
Zoti im, nëse më duhet të kërkoj në qytet
Për një kallashnikov të madh?
Kallashnikov, kallashnikov, kallashnikov …
Eeeeeeh …
Bum, bum, bum, bum, bum!
Dalakovac, Markovac, Mala Krsna, Lajkovac
Vajzë, e bukur, eja, hop!
Një pjesë të financimit të filmit, që u xhirua në Serbi teksa lufta në Bosnje dhe Hercegovinë po vazhdonte, e mbuloi Radio Televizioni i Serbisë dhe në xhirimin e disa skenave u përdorën pajisje të siguruara nga Ushtria e atëhershme Jugosllave. Kënga “Kallashnikov” është në gjuhën rome dhe është pjesë e skenës së dasmës në film, duke u bërë shumë popullore në Serbi. Kjo edhe për faktin se nëna e tij ishte serbe.
Goran Bregoviq u lind në Sarajevë duke u bërë i njohur me “Bijelo Dugme”, një nga grupet më të njohura në ish-Jugosllavi në fund të viteve ‘70 dhe mes të viteve të 80-ta. Bregoviç filloi karrierën e tij solo këngëtar pasi “Bijelo Dugme” u shpërbë, por kur filloi lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë në 1992, Bregoviç u shpërngul me familjen e tij në Paris, por shpesh qëndronte dhe me familjen në Beograd.
Problemi i tij nis pikërisht këtu! Ai kurrë nuk ka mbajtur një qëndrim kundër asaj që po ndodhte në Ballkan. Teksa e ndante jetën e tij, sa në Paris, sa në Beograd, ai kurrë nuk kurrë nuk reagoi kundër luftës në vendlindjen e tij. Por zgjodhi që të ishte “neutral”, lëvizje për të cilën e dënuan. Tek e fundit, ai nuk është Zvrica. Në intervista, vetë Bregoviç e shpjegoi “heshtjen” e tij me qëndrimin se “kjo nuk ishte lufta ime”.
“Unë jam nga një shtëpi e përzier, babai im ishte një katolik kroat, nëna ime është një serbe ortodokse dhe gruaja ime është një myslimane. Prandaj, nuk e di kujt do t’i drejtoja pushkën në atë luftë,”– tha ai për portalin nga Bosnje e Hercegovina “Kliker “në gusht të vitit 2019.
Ai e theu heshtjen me një koncert në Greqi më 1999, menjëherë pas fillimit të ndërhyrjes së NATO -s në Republikën Federale të atëhershme të Jugosllavisë, që cila u iniciua me qëllim të parandalimit të krimeve të forcave serbe dhe eksodit të popullsisë shqiptare në Kosovë. Në një intervistë për revistën “Dani” të Sarajevës më 2005 Bregoviç tha se koncerti në Selanik nuk ishte një koncert në mbështetje të Beogradit, por “në mënyrë deklarative, për të gjitha viktimat e luftës në Ballkan”.
Pyetjes se përse nuk bëri koncert për rrethimin e Sarajevës, Bregoviç u përgjigj shkurt: As ndër mend nuk e kam!
Por ky nuk është episodi i vetëm që ai ka qenë pjesë dhe ka ngjallur shumë reagime ka qenë marrëdhënia e tij me Radovan Karaxhiçin, kriminel lufte i dënuar përjetë në Hagë. Bregoviq deklaroi se e ka takuar një herë Karaxhiqin në hollin e një hoteli në Beograd dhe se ai e pyeti: “Si po shkon gjëja jonë?“. Karaxhiq iu përgjigj: “Do t’i marrim 100 për qind“. Pas kësaj deklarate pati reagime të ashpra dhe Bregoviq më vonë tha se pyetja dhe përgjigja e Karaxhiqit kishin të bënin “me lojën me letra në një hotel dhe jo me luftën, e cila as nuk kishte filluar”. Por më vonë ai postoi një foto me të bijën e tij, duke bërë ndezur edhe njëherë debatet.
Pikërisht të gjitha këto episode të mbledhura bashkë kanë bërë që reagimet kundër tij të jenë të ashpra, ndërsa stafi i tij i pyetur për një reagim zyrtar nga media të ndryshme nuk ka bërë asnjë koment. Pra vetë ka vendosur që të vijë në Shqipëri!
Ndërkohë që edhe pse sipas Bashkisë Korçë gjithçka është mbyllur, në Kosovë kanë nisur protestat nga familjarët e të Zhdukurve të Luftës, të cilët kërkojnë që të paktën për viktimat e luftës, Bregoviç të mos pranohet në Shqipëri. I pari që nisi gjithë “vorbullën” e reagimeve ishte Berat Buzhala, fill pasi postoi edhe një video ku këngë të Ceca-s, gruas së Arkanit ishin vendosur në një festë në plazh. Situata ishte e “nxehtë” dhe kaq u desh që të vlonte dhe më shumë. Kundër, njëjtë si herën e parë, doli Milaim Zeka dhe Mustafa Nano. Ndërsa dhjetra artistë të tjerë kanë vendosur edhe bojkotin ndaj festivalit, edhe pse data e tyre ishte e prentontuar. Capital T, Dafina Zeqiri, Dren Abazi nuk duan të këndojnë në të njëjtën skenë me Bregoviçin. Por Aleksandër Gjoka, Elton Deda, Redon Makashi, Vikena Kamenica, Kamela Islamaj, Devis Xheraku, Endri dhe Stefi Prifti dhe Orgesa Zaimi nuk kanë asnjë problem. Megjithatë që prej 4 gushtit, Shqipëria zien, se di do t’i dalë fundi, do ta shohim.