Të tjera detaje vijojnë të dalin në dritë nga ngjarja e rëndë e Ferizajt, ku 18-vjeçarja Marigona Osmani, u rrah për vdekje nga partneri i saj. Ende nuk është bërë publil raporti i autopsisë, mirëpo një çertifikate nga Mjekësia Ligjore e Kosovës iu është dorëzuar familjes të së ndjerës.
Kështu ka bërë të ditur Nazlije Balaj, këshilltare në Ministrinë e Drejtësisë, e cila zbuloi se në atë çertifikatë përmendet qartë se në rastin e vrasjes së 18 vjeçares, ka të bëhet me politraumë.
”Nuk ka ende raport të autopsisë, por ka çertifikatë të autopsisë. Sepse raporti i autopsisë përmbyllet kur të mbyllen të gjitha analizat laboratorike. Çertifikata e autopsisë, i lëshohet familjes, dhe në të është e shkruar qartë dhe saktë se në këtë rast kemi të bëjmë me Politraumë”.
Sipas saj të gjithë ata që njohin shkencat e mjekësisë ligjore, e dinë se çka do të thotë politrauma.
”Është një rast shumë i rëndë. Ka të bëjë me thyerje të gjymtyrëve, shkurt shqip, një lloj dhune e përdorur që e ka shkaktuar edhe vdekjen e saj, mirëpo raporti i autopsisë do ta tregojë qartë dhe saktë, shkakun e vdekjes, kohën e vdekjes, mjetet të cilat janë përdorë për vdekje, ndërsa analizat laboratorike i dhanë të dhënat tjera të cilat janë të domosdoshme kur kryhet një autopsi dhe raport i cili i dërgohet prokurorisë për hetime të mëtutjeshme”, tha Balaj në Klan Kosova.