Policia e Kosovës po vazhdon aktivitetet e saj në zbatim të vendimit të fundit të Qeverisë, për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Gjobat për qytetarët sillen nga 35 deri në 200 euro.
Rritja e rasteve dhe viktimave nga COVID-19 ka bërë që Policia e Kosovës t’i shtojë kontrollet me qëllim zbatimin e masave antiCOVID.
Vetëm në 24 orët e fundit, Policia ka shqiptuar 3,981 gjoba për qytetarët të cilët nuk kanë respektuar masat.
Nga e hëna në Kosovë kanë hyrë në fuqi masa të reja anti-COVID, pas rritjes alarmante të shifrave me COVID-19. Gastronomia do të funksionojë në hapësirë e orar të kufizuar, ndërsa është bërë obligative sërish edhe bartja e maskave, si dhe është kufizuar orari i qarkullimit pas orës 22:00.
Që nga vendosja e këtyre masave, institucionet kanë kërkuar rigorozitet në mbikëqyrjen e respektimit të masave.
Të martën, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, paralajmëroi se masat do të mbikëqyren në masë edhe nga shumë policë në rroba civile, ndërsa ka thënë se theks i veçantë do t’u kushtohet qytetarëve që janë të detyruar të vetizolohen për shkak të infektimit me virus.
Pos gati 4000 gjobave në bazë të ligjit anti-COVID, Policia ka shqiptuar edhe 1405 tiketa trafiku.
Shifra prej 4000 gjobash paraqet rritje të konsiderueshme nga ditët e zakonshme kur Policia ndante nga rreth 800-900 gjoba në ditë.
Me vendim të institucioneve, policëve u është zgjatur orari i punës në 12 orë në ditë. Për këtë, Sveçla ka paralajmëruar edhe kompensim.
Llojet e gjobave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19
24.2 Drejtuesi i mjetit motorik i cili nuk e respekton vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të përcaktuar, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro.
Sipas këtij neni janë shqiptuar 4 gjoba
24.3 Personi fizik i cili nuk e respekton Vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të caktuar, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro.
Sipas këtij neni janë shqiptuar 18 gjoba
24.4 Personi juridik i cili nuk e zbaton vendimin e Organit Kompetent për krijimin e kushteve dhe mbajtjen e distancës së përcaktuar në hapësirat në të cilat janë përgjegjës dënohen me gjobë prej pesëqind (500) euro, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro.
Sipas këtij neni janë shqiptuar 51 gjoba
24.5 Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e maskës, dënohet me gjobë prej tridhjetëepesë (35) euro.
Sipas këtij neni janë shqiptuar 395 gjoba
25.2 Personi fizik i cili organizon aktivitete publike dhe jopublike të ndaluara me vendim të organit kompetent, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro dhe ndalimin e aktivitetit.
Sipas këtij neni është shqiptuar 1 gjobë
“Këto masa, në masë të madhe janë duke u respektuar nga shumica e qytetarëve, të cilët edhe i falënderojmë, por janë hasur edhe persona të cilët nuk i kanë përfillur të njëjtat dhe ndaj tyre policia ka qenë e detyruar tu shqiptojë gjoba”. Policia fton qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë dhe nëse kanë informacione se persona, apo vende të caktuara nuk respektojnë masat Anti-Covid-19, të lajmërojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdetarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406, dhe policia do të marrë të gjitha masat e nevojshme , sipas ligjit antiCovid-19.
Nga e hëna në Kosovë kanë hyrë në fuqi masa të reja anti-COVID, pas rritjes alarmante të shifrave me COVID-19. Gastronomia do të funksionojë në hapësirë e orar të kufizuar, ndërsa është bërë obligative sërish edhe bartja e maskave, si dhe është kufizuar orari i qarkullimit pas orës 22:00.