Mediat Zviceriane raportuan pak ditë më parë se shqiptarët e kthyer nga Kosova rritën infektimet me Covid. Në lidhje me këtë është pyetur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila ja ka hedhur fajin Zvicrës që nuk ka vaksinuar qytetarët e saj.
“Ju flisni për emigrantët kosovarë në Zvicër. Ata janë qytetarë të vendit tuaj të cilët do duhej të ishin vaksinuar në Zvicër. Është detyrë e autoriteteve zvicerane të bindin njerëzit me rrënjë të huaja që të vaksinohen. Të gjithë këta njerëz duhet të ishin vaksinuar në Zvicër para se të udhëtonin në Kosovë. Ne kishim një nga nivelet më të ulëta të infeksionit deri në gusht, dhe numri i infeksioneve u rrit ndjeshëm me mysafirët e pushimeve nga Zvicra dhe vendet e tjera”, ka thënë Osmani për Blick.
Më pas presidentja e Kosovës bëri edhe apel që të vaksinohen sa më shpejt. “Vaksinimi jo vetëm që shpëton jetë, por na ndihmon edhe në mënyra të tjera në luftën kundër këtij virusi vdekjeprurës. Dhe mbron ekonominë. Ne kemi nevojë për këto në mënyrë që shoqëritë tona të rimëkëmbet. Prandaj u bëj thirrje bashkëatëdhetarëve të mi kosovarë këtu në Zvicër, por edhe në Kosovë: “Ju lutemi të gjithë të vaksinohuni!” Ky është opsioni i vetëm për t’u marrë me këtë pandemi”, u shpreh Vjosa Osmani.