Humbja në Afganistan, ashtu si ajo në Vietnam, është një pikë kthese. Shumë kanë frikë se armiqtë e Amerikës do të forcohen, të tjerë shpresojnë se tani Amerika do të jetë më e aftë t’i përballojë ata, shkruan The Economist
“Talebani nuk është ushtria e Vietnamit të Veriut”, deklaroi presidenti Joe Biden më 8 korrik, disa ditë pasi Amerika braktisi bazën ajrore në Bagram, qendra e luftës së saj në Afganistan për 20 vite rresht. “Ata nuk janë aspak të krahasueshëm për sa u përket aftësive.
Në asnjë rrethanë nuk do të shihni njerëz që shpëtohen në rrugë ajrore nga çatia e ambasadës së Shteteve të Bashkuara”. Por më 15 gusht, avionët Chinooks po merrnin diplomatët amerikanë nga ambasada për t’i larguar ata nga Kabuli. Në aeroportin e qytetit, afganët e dëshpëruar vërshuan në pistë; disa u kapën pas rrotave të një avioni C-17, duke përfunduar të vdekur.
Kaosi në aeroport ishte në kontrast të plotë me kapjen thuajse të papërgjakshme të Kabulit nga talebanët një ditë më parë. Talebanët tani kontrollojnë Afganistanin më shumë sesa në vitin 2001, kur Amerika i rrëzoi nga pushteti në përgjigje të sulmeve të 11 shtatorit (shiko hartën).
Në pallatin presidencial në Kabul, luftëtarët talebanë me sandale të pluhurosura, dukeshin të befasuar nga fitorja e tyre teksa pozonin rreth tavolinës së braktisur të presidentit të vendit Ashraf Ghani. “Ne kemi arritur një fitore që nuk e prisnim”, pranoi Mullah Abdul Ghani Baradar, nënkryetari i talebanëve.
Në mes të dramës së tensionuar në aeroport, armiqtë e kanë trajtuar njëri-tjetrin me dashamirësi. Talebanët, deri tani, i kanë lejuar Amerikës të kryejë fluturime evakuimi, por kanë tentuar t’i ndalojnë turmat që të përpiqen të hipin në avionë. Ndërkohë që kanë mbetur me mijëra amerikanë në Kabul, situata mund të bëhet më e rrezikshme. Talebanët mund të bëhen më të paduruar me mijëra trupat amerikane dhe britanike në tokën afgane, dhe mund të zemërohen me vendimin e Amerikës për të bllokuar aksesin në rezervat e huaja.
Largimi i Amerikës nga Kabuli, ashtu si largimi i saj nga Saigoni në vitin 1975, është një moment gjeopolitik i rëndësishëm: vendi më i fuqishëm në botë është mposhtur sërish nga një armik më i dobët. Në të dyja rastet – atëherë si senator dhe tani si president – Joe Biden ka përkrahur një dalje të shpejtë. Dhe tani, ashtu si atëherë, kritikët e ashpër të Amerikës parashikuan se një braktisje e tillë kaotike do t’i alarmonte aleatët dhe do të forconte kundërshtarët.
Shtetet fqinje dhe vendet e tjera të pasura mund të përballen me një fluks të ri refugjatësh. Xhihadistët në të gjithë botën, mijëra prej të cilëve janë strehuar nga talebanët, do të marrin guxim nga ideja se “luftëtarët e shenjtë” kanë mposhtur dy superfuqitë në Afganistan – së pari Bashkimin Sovjetik në vitin 1989 dhe tani Amerikën.
Pasojat do të ndihen mbi të gjitha në Afganistan. Është ende shumë herët për të ditur nëse triumfi i talebanëve shënon kapitullin përfundimtar në luftën 42-vjeçare të vendit, kur që nga viti 2001 janë vrarë më shumë se 117,000 afganë.
Afganistani mbetet një nga shtetet më të varfra në botë. Nëse ndihma perëndimore ndërpritet, ai do të humbasë edhe përfitimet modeste ekonomike dhe sociale të dy dekadave të fundit, siç është arsimimi i vajzave. Shumë do të varet nga mënyra se si qeverisin talebanët.
Kur sunduan për herë të fundit në Kabul, nga viti 1996 në 2001, talebanët e zhytën vendin e shkatërruar prej kohësh nga lufta, në një tirani teokratike. Ata ndaluan arsimin dhe punësimin e grave, ndaluan shumicën e artit dhe muzikës dhe masakruan pakicat. Gjithashtu strehuan militantë si Al-Kaedën, të cilët kërkonin të përhapnin xhihadin në të gjithë botën. “Emirati” i krijuar prej tyre ishte aq i tmerrshëm, saqë u njoh vetëm nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Pakistani, një sponsor i vjetër i talebanëve.
Kësaj radhe, talebanët duan të tregojnë një imazh më të butë. Më 17 gusht, një nga zyrtarët e tyre u shfaq në rrjetin kryesor televiziv afgan për t’u intervistuar nga një prezantuese femër – një skenë e paimagjinueshme gjatë epokës së parë të talebanëve. Grupi gjithashtu është treguar më pak agresiv në kryeqytet.
“Ne prisnim shumë më tepër brutalitet”, thotë Obaidullah Baheer, profesor në Universitetin Amerikan në Kabul. Ai shprehet se është “befasuar nga disiplina dhe respekti i tyre”. Zoti Baheer vëren se automjetet e talebanëve nuk u bien borive për të përzënë nga rruga veturat civile, siç bënin forcat ushtarake afgane.
Ruajtja e shtetit
Prioriteti i talebanëve është të ruajnë shtetin ekzistues. Në mungesë të teknokratëve ose menaxherëve, ata kanë shpallur një amnisti të përgjithshme për të gjithë zyrtarët qeveritarë, duke u kërkuar atyre të rikthehen në punë. Ministri i Shëndetësisë dhe kryetari i Bashkisë së Kabulit kanë mbetur në postet e tyre.
Antonio Giustozzi nga King’s College London vëren se talebanët i kanë ndërprerë marrëveshjet me Salahuddin Rabbani, ish-ministër i Jashtëm dhe Hamid Karzai, presidenti i parë i instaluar nga Amerika. Ata kanë rekrutuar specialistë të ushtrisë për të operuar pajisjet e kapura dhe po përpiqen të punësojnë pilotë ushtarakë.
Strategjia e talebanëve mund të vihet re më mirë në krahinat rurale që ata i kanë mbajtur nën kontroll për më shumë kohë. Ata i lejuan mësuesit dhe mjekët të vazhdojnë punën për sa kohë që respektonin rregullat e talebanëve. “Ata do të marrin kontrollin e pjesës së mbetur brenda një kohe të shkurtër dhe mendoj se do të anojnë drejt stabilitetit, në vend të ndonjë revolucioni”, thotë Ashley Jackson nga Instituti i Zhvillimit (ODI), një think-tank në Londër.
Ndërsa marrin nën kontroll vendin, thotë Martine van Bijlert nga Rrjeti i Analistëve në Afganistan, talebanët po debatojnë se si të arrijnë ekuilibrin midis pastërtisë ideologjike, nga njëra anë, dhe kërkesës për arsimim që ekziston edhe në mesin e shumë prej afganëve më konservatorë. Mustapha Ben Messaoud, shefi i operacioneve në terren në Afganistan për UNICEF, thotë se ai është deri diku “optimist”.
Ajo që nuk dihet është se për sa kohë do të zgjasë ky pragmatizëm. Lajmet nga disa zona të sapopushtuara janë shqetësuese. Në Herat, ku 60% e studentëve në universitet ishin femra, studentet janë urdhëruar të kthehen në shtëpitë e tyre.
Grave në punë u është thënë të heqin dorë nga puna dhe t’ua kalojnë atë të afërmve meshkuj. Zabihullah Mujahid, zëdhënësi i talebanëve, thotë se mediat mund të qëndrojnë të hapura – për sa kohë që ato nuk “kundërshtojnë vlerat islamike” ose nuk “transmetojnë gjëra që shkojnë kundër interesave tona kombëtare”. Kjo nuk është aspak një shenjë pozitive.
Afganët nuk janë aspak të bindur nga premtimi i talebanëve se nuk do të “hakmerren ndaj atyre që punojnë në administratën e Kabulit, ose me forcat e huaja”. Pasi talebanët morën nën kontroll Spin Boldak, një qytet në kufirin pakistanez, me dhjetëra mbështetës të qeverisë u masakruan.
Në Kandahar, talebanët rrëmbyen dhe vranë Nazar Mohammad, komedian popullor. Kabuli është i mbushur me raportime se talebanët janë duke gjuajtur ish-përkthyes të ushtrisë amerikane dhe komandantë afganë. Një gjykatëse në qytet thotë se ajo dhe qindra ish-kolegë janë të tmerruar nga hakmarrjet. Në Xhalalabad, më 18 gusht, thuhet se talebanët kanë vrarë disa protestues që kanë valëvitur flamurin afgan në vend të atij të talebanëve.
Ushtria e mangët afgane
Sidoqoftë, premtimi i talebanëve për të pasur “mëshirë” dhe për të mundësuar një kalim të sigurt për ushtarët qeveritarë që ulën armët, mund të shpjegojë se pse ata ishin në gjendje ta mposhtnin ushtrinë afgane aq lehtë. Kur Bashkimi Sovjetik u largua nga Afganistani në vitin 1989, regjimi i mbetur mbijetoi për tre vjet para se të rrëzohej (pjesërisht sepse deri atëherë vetë Bashkimi Sovjetik ishte shpërbërë).
Shteti i ndërtuar kësaj here nuk zgjati as deri sa Amerika të ishte në gjendje të përfundonte largimin e saj. “Ne shpenzuam mbi një trilion dollarë”, u ankua zoti Biden më 16 gusht (shih grafikun 3). “Ne stërvitëm dhe pajisëm një forcë ushtarake afgane prej rreth 300,000 njerëzish… një forcë më e madhe se ushtritë e shumë prej aleatëve tanë të NATO-s”. Pse u shpërbë gjithçka në vetëm pak ditë?
Në 20 vitet e pranisë së Amerikës, talebanët kishin pushtuar vetëm një qytet, Kunduz, duke e mbajtur atë për periudha të shkurtra. Duke filluar nga Zaranj në jugperëndim më 6 gusht, ata morën një kryeqytet krahinor pas tjetrit, duke arritur kulmin me marrjen e Kabulit më 15 gusht.
Ata kontrollojnë pothuajse të gjithë territorin që dikur ruhej nga ish-Aleanca Veriore, një amalgamë antitalebane në të cilën u mbështet Amerika në vitin 2001. Suksesi i talebanëve lidhet shumë me mbështetjen e Pakistanit, shpërqendrimin e Amerikës në Irak, paratë e drogës dhe korrupsionin e elitave afgane. Por militantët gjithashtu kishin zhdërvjelltësi. Në fazën e fundit të luftës, ata ndoqën këshillat e Sun Tzu, i cili mëson se arti suprem i luftës është që armiku të nënshtrohet pa luftuar.
“Kjo ka qenë ndoshta një nga fushatat guerile më të mira të planifikuara ndonjëherë”, thotë Mike Martin, ish-oficer i ushtrisë britanike në provincën Helmand, tani në King’s College London. “Talebanët hynë në çdo rreth dhe përmbysën të gjitha milicitë lokale duke bërë marrëveshje sipas linjave fisnore”.
Në Herat, për shembull, kreu i këshillit krahinor lidhi një marrëveshje me komandantin lokal taleban (të dy ishin anëtarë të fisit Alizai). “Pasi këto forca lokale u përmbysën”, thotë zoti Martin, “nuk kishte peshë të mjaftueshme nga ana e qeverisë, kështu që ushtria duhej të dorëzohej”.
Fakti që talebanët mund të arrinin marrëveshje të tilla, reflekton një problem më të thellë. Amerika dhe aleatët e saj vepruan si kujdestarët e një shteti tejet të centralizuar, Kushtetuta e të cilit në vitin 2004 i bënte jehonë monarkisë së viteve 1960. Ghani, ish-zyrtar në Bankën Botërore dhe bashkautor i librit “Rregullimi i Shteteve të Dështuara”, dëshironte të ndërtonte institucione kombëtare që do t’u hiqnin të drejtën e ndërmjetësve lokalë të pushtetit. Kjo nuk u miratua nga fiset dhe klanet e rëndësishme.
“Këto tensione midis Kabulit dhe aktorëve rajonalë hapën boshllëqe që talebanët ishin në gjendje t’i shfrytëzonin”, vëren Ibraheem Bahiss nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, një think-tank. “Ata u kthyen nga një grup i papëlqyer në një lëvizje kombëtare”.
Ushtria afgane që ndërtoi Amerika ishte e madhe, e armatosur mirë dhe e pajisur me fuqi ajrore. Por gjithashtu ishte krejtësisht e papërshtatshme për luftë. Zinxhiri zyrtar i komandës u përplas me besnikëritë e familjeve dhe fiseve, thotë Jack Watling nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara, një qendër studimi. Rezultati ishte një korrupsion endemik. “Pajisjet hynin në ushtri, në magazina të mëdha dhe më pas shpërndaheshin në të gjithë vendin”, thotë ai.
Megjithëse ushtria në teori përbëhej nga 352,000 trupa, forca ushtarake në dispozicion arrinte në rreth 96,000 ushtarë, sipas CAN, një qendër studimi. Pra nuk ishte shumë më e madhe se 60,000 luftëtarët e Talebanit. Pajisjet e furnizuara nga Amerika ishin tepër komplekse për t’u mirëmbajtur, duke rezultuar në prishje të shpeshta.
Kjo kufizoi pjesën më të madhe të ushtrisë. Shumë ushtarë ishin të papaguar dhe të uritur, dhe viktimat ishin të shumta. Një numër i vogël i forcave speciale afgane ishte ngarkuar me pjesën më të madhe të luftimeve.
Vendimi i Amerikës për t’u larguar ishte goditja e fundit. Siç vuri në dukje një studim i Vietnamit nga Korporata Rand, publikuar në vitin 1978, “ana fizike e saj – tërheqja e trupave, humbja e fuqisë ajrore, rënia e ndihmës – nuk ishte më katastrofike se efektet psikologjike që shkaktoi ndjenja se Amerika nuk i shihte afganët si një popull i vlefshëm për t’u shpëtuar”.
Fitimi i miqve dhe kërkimi i ndikimit
Vendet perëndimore janë në krizë. Pasi dështuan në mënyrë katastrofike, tani ata shpresojnë të ushtrojnë një “ndikim zbutës” mbi talebanët, duke përdorur dy mjete: ndihmën dhe njohjen diplomatike të regjimit të ri. Asnjë nuk ka gjasa të jetë efektiv. Irani dhe Rusia, dikur armiqësorë ndaj talebanëve, tani janë më miqësorë me ta; të dy po e shijojnë poshtërimin e Amerikës në Afganistan.
Zamir Kabulov, i dërguari presidencial i Rusisë në Afganistan, e duartrokiti fitoren e tyre: Talebanët, tha ai, janë “shumë më të aftë për të arritur marrëveshje sesa qeveria kukull në Kabul”. Pakistani, i cili i ka përkrahur talebanët që në fillim, ishte edhe më i entuziazmuar. “Në Afganistan, ata kanë thyer zinxhirët e skllavërisë”, tha kryeministri Imran Khan.
Megjithatë, çmimi më i madh diplomatik për talebanët është Kina, e cila ndan një kufi me Afganistanin përmes korridorit të hollë Wakhan. Më 28 korrik, ndërkohë që tërheqja amerikane thuajse kishte përfunduar, Kina mirëpriti një delegacion të udhëheqësve talebanë në Tianjin dhe e quajti grupin një “forcë vendimtare ushtarake dhe politike” dhe mirëpriti perspektivën e “marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunuese”.
Pyetja sesi do të përfundojnë marrëdhëniet me fqinjët, varet pjesërisht nga lidhjet e talebanëve me grupet xhihadiste ndërkombëtare. Kina, për shembull, shqetësohet për praninë e luftëtarëve ujgurë, të cilët i sheh si një kërcënim për stabilitetin në Xinjiang, ku ujgurët përbëjnë shumicën e popullsisë dhe janë subjekt i një shtypjeje të fortë.
Ekstremizmi islamik ka qenë prej kohësh një shqetësim për vendet perëndimore, edhe pse kërcënimi është zvogëluar që nga viti 2001. “Ne shkuam në Afganistan 20 vite më parë me një mision, dhe ai mision ishte të shënjestronim njerëzit që na sulmuan më 11 shtator”, tha Antony Blinken, Sekretari amerikan i Shtetit, më 15 gusht. “Dhe kemi pasur sukses në atë mision”.
Al-Kaeda, grupi përgjegjës, është një hije e vetvetes së mëparshme. Por ideologjia e saj është përhapur shumë; ajo ka çuar në lindjen e Shtetit Islamik, një grupi ekstremist edhe më brutal në Irak dhe Siri, si dhe ka përhapur degë dhe terroristë të shumtë që operojnë të izoluar.
Mujahid është përpjekur të ulë shqetësimet se Afganistani do të bëhet përsëri një bazë për terrorizmin global, siç ndodhi më 11 shtator: “Ne duam t’i sigurojmë të gjithë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, se Afganistani nuk do të përdoret për të sulmuar askënd”.
Por muajin e kaluar, një ekip që monitoron grupet xhihadiste, raportoi se Al-Kaeda mbeti e pranishme në 15 nga 34 provincat e Afganistanit, kryesisht përgjatë periferisë lindore të vendit. Një degë lokale e Shtetit Islamik është gjithashtu e pranishme në disa vende, me disa qindra deri në 10.000 anëtarë.
Agjencitë e inteligjencës perëndimore mendojnë se Ayman al-Zawahiri, udhëheqësi i Al-Kaedës që nga vrasja e Osama bin Ladenit në vitin 2011, ndodhet në Afganistan, edhe pse është i sëmurë. Lirimi i mijëra të burgosurve nga talebanët nga burgu Pul-e-Charkhi në Kabul, shumë prej të cilëve janë xhihadistë, e komplikon edhe më tepër problemin.
Zyrtarët amerikanë besojnë se mund t’i mbajnë nën kontroll terroristët përmes një kombinimi të inteligjencës vigjilente dhe sulmeve të shënjestruara. Zoti Biden thotë se Amerika ka një “aftësi antiterrorizëm”. Megjithatë, ky kapacitet është dobësuar shumë. Amerikës së shpejti do t’i mungojë një prani ushtarake ose diplomatike në terren.
Agjencia spiune e Afganistanit, Drejtoria Kombëtare e Sigurisë, nuk ka gjasa të mbijetojë; dhe nëse mbijeton, nuk ka gjasa që të bashkëpunojë me Perëndimin. Amerikanëve do t’u duhet të mbështeten tek agjentët e rekrutuar kryesisht jashtë Afganistanit dhe në informatat e inteligjencës.
Pa pasur një bazë ajrore për të operuar nga Afganistani, gjeografia e vendit pa dalje në det është një tjetër kufizim. Dronët e CIA-s dikur ngriheshin nga Pakistani fqinj, por marrëdhëniet e tij me Amerikën janë drejt fundit. Raketat ose avionët luftarakë mund të fluturojnë nga bazat në Gjirin Persik, ose nga një aeroplanmbajtës në Detin Arabik, por nuk mund të shmangin kalimin mbi Iran ose Pakistan.
Sado që Biden dhe ekipi i tij i kundërshtojnë krahasimet me Vietnamin, ato janë të pashmangshme. Në të dyja rastet, udhëheqësit civilë dhe ushtarakë i mashtruan amerikanët në një konflikt me qëllime të pasigurta dhe partnerë jo të besueshëm, dhe në një terren kulturor ku ata nuk gjetën kurrë një bazë. Megjithatë ka edhe shumë dallime. 2,452 vdekjet e ushtrisë amerikane në Afganistan janë të dhimbshme, por lufta në Vietnam ishte shumë më e përgjakshme – ajo rezultoi në 25 herë më shumë amerikanë të vrarë dhe ishte shumë më përçarëse.
Por në mënyra të tjera, dështimi në Afganistan ishte më i keq. Ushtria e Vietnamit të Veriut ishte një forcë e aftë dhe e pajisur mirë, vëren Caitlin Talmadge nga Universiteti Georgetown, ndoshta sa dyfishi i madhësisë së talebanëve dhe mbështetej nga një superfuqi. Megjithatë, talebanët kanë marrë nën kontroll një territor katër herë më të madh se Vietnami i Jugut.
Një goditje që ka tronditur botën
Shumë historianë kanë arritur në përfundimin se Bashkimi Sovjetik pushtoi Afganistanin dhe zgjeroi mbështetjen në Amerikën Qendrore dhe në Afrikë, pjesërisht nga besimi se Amerika ishte dobësuar nga Vietnami. Kina tashmë po feston tërheqjen e Amerikës, apo edhe rënien e saj. “Global Times”, gazetë propagandistike e drejtuar nga Partia Komuniste e Kinës, shkroi më 16 gusht se tërheqja ishte një “ogur i së ardhmes së Tajvanit”.
Nëse Amerika nuk ishte e gatshme të mbante përgjegjësi në Afganistan, sugjeron gazeta, atëherë një luftë mbi Tajvanin “do të nënkuptonte kosto të paimagjinueshme”. Andrew Yang, ish-ministër tajvanez i Mbrojtjes, pajtohet se tërheqja nga Afganistani ka rëndësi për Tajvanin: “Nga kjo që ndodhi duhet të nxirret një mësim… Tajvani duhet të varet nga mjetet e veta mbrojtëse në vend që të mbështetet tek ne”.
Në Indi, shumë zyrtarë janë të shqetësuar nga fitorja e mbështetësve të Pakistanit dhe perspektiva e fuqizimit të xhihadizmit. Ata njëkohësisht janë befasuar nga zmbrapsja e Amerikës dhe mungesa e besueshmërisë. “Tërheqja amerikane… tregoi shpërfillje të plotë për pasojat që do të sillte”, argumenton Nirupama Rao, ish-diplomatja më e lartë e Indisë. “Ajo ka zhvlerësuar integritetin dhe besueshmërinë e fuqisë amerikane në rajon”, thotë ajo.
Europianët janë të zemëruar, sepse tërheqja e Amerikës iu paraqit atyre si një fait accompli. Për një diplomat, “kjo konfirmon një prirje afatgjatë të tërheqjes amerikane”. Europianët, tha ai, duhet të “nxjerrin përfundime” për sa i përket besueshmërisë së Amerikës kur bëhet fjalë për kriza në vende si Lindja e Mesme dhe Sahel.
Edhe zyrtarët britanikë janë në mëdyshje. Tom Tugendhat, deputet konservator dhe kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit, i cili shërbeu në Afganistan si ushtar, tha se Britania duhet të “përcaktojë një vizion… për të nxitur partnerët europianë të NATO-s që të mos jemi më të varur nga një aleat i vetëm dhe nga vendimi i një drejtuesi të vetëm”.
Ankesat për besueshmërinë amerikane nuk janë aspak të reja. Europianët u ankuan për ngurrimin e Barak Obamës për të ndërhyrë në Libi në vitin 2011 dhe anulimin e sulmeve ajrore në Siri në vitin 2013. Shtetet e Gjirit Persik u zemëruan, pasi Trump nuk e ndëshkoi Iranin për sulmin ndaj qendrave saudite të naftës në vitin 2019.
Nëse mënyra e tërheqjes së zotit Biden tregon kapriçot amerikane, ajo tregon njëkohësisht edhe domosdoshmërinë e këtij shteti. Aleatët nuk kanë pikë tjetër mbështetjeje, nëse Rusia dhe Kina bashkojnë fuqitë. “Kjo është një goditje e rëndë për Amerikën”, pranon Michael Fullilove, drejtori i Institutit Lowy, një qendër studimi në Sidnei, “por ajo nuk i ndryshon llogaritjet për shtetet si Australia”. Kur e pyetën nëse Japonia ishte e shqetësuar, një zyrtar i lartë në Tokio u përgjigj: “Jo, sepse Afganistani është Afganistan… Japonia është ndryshe”.
Dhe ashtu si aleatët europianë mirëpritën tërheqjen e Amerikës nga Vietnami, të shqetësuar se po i devijonte burimet dhe vëmendjen nga kërcënimi sovjetik ndaj Europës, shumë aleatë tani duan ta përdorin këtë tërheqje si një mundësi për ta riorientuar Amerikën në shqetësimet e tyre. Siç vuri në dukje zoti Biden: “Kundërshtarët tanë të vërtetë strategjikë – Kina dhe Rusia – do të dëshironin shumë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdonin të shpenzonin me miliarda dollarë në burime dhe vëmendje për të stabilizuar Afganistanin në një rrugë pa mbarim”.
Perspektiva afatgjatë
Mësimi kryesor që mund të nxirret nga Vietnami është rëndësia e perspektivës. Në një periudhë afatshkurtër, besueshmëria amerikane është dëmtuar dhe kundërshtarët e saj po festojnë. Por brenda 15 viteve humbje në një luftë që u zhvillua për të frenuar valën komuniste, Amerika ka fituar Luftën e Ftohtë dhe ka dalë në pah si një fuqi e pashembullt.
Forcat e saj të Armatosura, të shkatërruara nga konflikti, u rindërtuan duke formuar një forcë të pakrahasueshme, të avancuar teknologjikisht. Dhe katër dekada më vonë, Vietnami është bërë një partner i ngushtë i superfuqisë që mposhti. Kjo mund të jetë një ngushëllim për Amerikën. Por nuk është shumë ngushëllim për afganët që besuan se Amerika do t’i mbronte, dhe tani duhet të përballen me jetën nën regjimin e talebanëve.