Në Kosovë janë prezantuar sot masa të reja antiCovid. Është bërë e ditur se disa masa të miratuara në të kaluarën mbesin akoma në fuqi. Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30. Janë mbyllur çerdhet dhe është shtyrë procesi mësimor.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për masat e reja antiCOVID-19.
Në vendimin e Qeverisë thuhet se në institucionet publike dhe private, deri me datë 26 shtator 2021, vazhdohet me detyrimin që të paraqitet në punë vetëm stafi esencial, ndërsa stafi jo thelbësor detyrohet të punojë nga shtëpia. Për qëllime të këtij vendimi, staf esencial konsiderohen punëtorët prania fizike e të cilëve në vendin e punës është e domosdoshme për kryerjen e detyrave të punës.
“Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor pezullohet deri me datë 26 shtator 2021. Ky pezullim vlen edhe për aktivitetin mësimor me prezencë fizike në institucionet publike dhe private të arsimit universitar. Për familjet me fëmijë të regjistruar në institucione parashkollore dhe me dy prindër të punësuar (ose qe ka vetëm një prind dhe ai prind është i punësuar), njëri prind lirohet nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë gjatë periudhës 13 – 26 shtator 2021″.
Në vendim thuhet se të gjithë ata persona që hyjnë në territorin e Kosovës duhet të posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme:
Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19; Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë; Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve, ose Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë,
Po ashtu në vendim theksohet se Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç: Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes; Gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike dhe Gjatë ngrënies apo pijes.
Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve vazhdon të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00.
Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës.
Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00.
“Ndalohet shërbimi në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 % e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet. Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00”, thuhet në vendim.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në konferencë për media i ka kumtuar masat e reja.
“Ditët e fundit ishim dëshmitarë të përmirësimit të situatës, me rënie të personave të infektuar. Gjatë kësaj jave është shënuar edhe rënie në numrin e të hospitalizuarve. Përkundër fillimit të stabilizimit të situatës me pandeminë, kemi akoma numër të lartë të vdekjeve nga Sars-COV2. Për disa ditë me radhë pozitiviteti në testime ka qenë nën 10 për qind, që jep shpresë, por situata mbetet e ndjeshme. Jemi në një stad kur ka rënie të numrave, por situata epidemiologjike mbetet e paqëndrueshme. Pavarësisht se janë shtuar kapacitetet spitalore, rreziku për hospitalizomë në numër të lartë nuk ka kaluar ende. Janë bashkuar mbi 1000 punonjës shtesë shëndetësorë. Kjo javë ka qenë me shumë aktivitete e takime në lidhje me masat e reja, që pritet të hyjnë në fuqi nga nesër më 13 shtator. Në takimet e shumta, u konstatua se përkundër përmirësimit duhet vazhduar me disa masa që kanë qenë në fuqi, e të ndërmerren disa masa shtesë për të ruajtur shëndetin publik”, ka thënë Vitia.
Ai ka shtuar se ndër masat e reja është mbyllja e institucioneve parashkollore e qëndrimeve ditore, shtyrja e fillimit të mësimit për dy javë, ndalimi i mësimit me prezencë fizike në universitete.
Po ashtu studentët për t’iu mundësuar regjistrimi në konvikt, duhet të kenë certifikatë vaksinimi, test PCR apo serologjik.
Në fuqi do të vazhdojë të mbetet kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në ora 05:00.
Që prej gushtit, Kosova ka regjistruar numra të lartë të infektimeve ditore, por edhe të viktimave. Vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 237 viktima.
Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë 357,197 persona kanë marrë dy dozat e vaksinës, ndërkaq 676,755 persona janë imunizuar me një dozë.