Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka folur sërish rreth zjarrit tragjik që pushtoi spitalin modular të Tetovës i cili i mori jetën 14 personave.
Në një deklaratë për gazetarët ai u shpreh se nuk mendon se i gjithë ekzekutivi duhet të japi dorëheqjen për këtë ngjarje.
“Tragjedi ndodhin në të gjithë botën. Siç kam thënë, e vlerësoj aktin e lartë moral të ministrit, zv/ministrit, drejtorit dhe drejtorit ekonomik. Kjo si një akt që mbi gjitha është marrë për shkaqe njerëzore, akt për shkaqe morale dhe etike…dhe ja ata kanë dorëzuar dorëheqjen. Nuk mendoj se e gjithë Qeveria duhet të jep dorëheqje për këtë”, deklaroi Zaev.
I pyetur nëse funksionarët që kanë parashtruar dorëheqjen vazhdojnë të kryejnë detyrën zyrtare, Zaev tha se të njëjtit janë të obliguar të vazhdojnë punën derisa të emërohen zëvendësuesi.
“Është përgjegjësia e tij që derisa nuk hiqet nga detyra në mënyrë formale juridike si ministri, si zëvendësi, drejtori apo drejtori ekonomik kanë përgjegjësi të ushtrojnë funksionin e tyre deri sa të zgjidhet drejtor i ri”-përfundoi Zaev.
Në zjarrin që përfshiu Spitalin e Tetovës pak netë më parë humbën jetën 14 persona të cilët po kuroheshin për covid-19 dhe familjarë të cilët po kujdeseshin për ta, ndërsa 12 të tjerë u lënduan. Shkaqet e shpërthimit të zjarrit janë ende të paqarta dhe hetimet janë në vazhdim.