Pas përgjigjeve të SPAK dhe Prokurorisë së Posaçme, Presidenti Ilir Meta, dekretoi qeverinë “Rama 3”.
Tashmë, pritet që në seancën e radhës plenare, që do të zhvillohet nesër (datë: 16. 09. 2021) në Parlamentin shqiptar, kryeministri Edi Rama, të shpalosë programin qeverisës, si dhe më pas do të bëhet dhe votimi për qeverinë. Gazetari Ergys Gjençaj, raporton për “BalkanWeb”, se pasi të kalohen këto 2 procedura, më pas, qeveria e sapoemëruar duhet të betohen para Presidentit të Republikës Ilir Meta.
140 deputetët e zgjedhur do të kërkojnë që më 16 shtator, nesër në orën 10:00, të zhvillohet votëbesimi i qeverisë ‘Rama 3’. Kjo për shkak të kohës së kufizuar, pasi seanca duhet të zhvillohet para të dielës. Këtë ditë kryeministri udhëton drejt Nju York-ut për të marrë pjesë në punimet e asamblesë vjetore të OKB-së.
Kujtojmë që Partia Socialiste ka 74 mandate të fituara nga zgjedhjet e 25 prillit, 59 ka fituar Partia Demokratike, 4 Lëvizja Socialiste për Integrim dhe 3 të tjera Partia Social Demokrate.
Po ashtu, vlen të përmendet se në seancën e parë plenare të zhvilluar të premten, u zgjodh me 79 vota pro, e 4 kundër kryetarja e re e Kuvendit, ky post, iu besua ish-ministres së Arsimit, Lindita Nikollës.