Sër Aleks Ferguson ngre në qiell Kristiano Ronal don duke e quajtur fantastik debutimin e dytë të sulmuesit portugez. Trajneri që e solli në “Old Trafford” nga Sportingu i Lisbonës në moshën 18-vjeçare e krahasoi rikthimin e 36-vjeçarit në Mançester me atë të Çezarit në Romë pas fitores.
CR7 u kthye në “Teatrin e Ëndrrave” 12 vite pasi u largua drejt Realit të Madridit dhe shënoi dy gola që në debutimin kundër Njukasëllit. Ish-trajneri skocez ndodhej në tribunë për ta duartrokitur dhe vlerësoi numrin 7 për atmosferën elektrizuese që krijoi:
“Ju e patë kundër Njukasëllit se ishte sikur Çezari, u rikthye në Romë pas fitores: ‘Erdha, pashë, fitova’. Ishte fantastike. Dua të them, që për këdo që është tifoz i Junajtidit, ne mund të kishim pasur miliona njerëz atje padyshim sepse kishte shumë njerëz edhe jashtë stadiumit. Kur ai ishte fëmijë këtu, mësoi shumë, shumë shpejt”, tha trajneri më i suksesshëm në historinë e “Djajve”.
“Shumë njerëz thanë në tribunë se ai ishte një simulues, por ai po sulmonte mbrojtësit dhe ajo që i duhej ishte një shtysë e lehtë dhe ai do t’i kalonte ata. Ai sulmoi me shpejtësi të pabesueshme. Ai ka lindur me një dëshirë të madhe”. Fergi pagoi 12.24 milionë paund për ta transferuar nga Portugalia në vitin 2003 dhe nuk është i surprizuar nga suksesi që ai pati në karrierë: “Ai sakrifikoi veten për t’u bërë më i miri. Më kujtohet se ishim duke luajtur me Arsenalin të shtunën dhe ‘Carrington’ ishte mbytur nga shiu. Ju e dini që ai stërvitej gjithnjë pas stërvitjes dhe unë thashë: ‘Kemi një ndeshje nesër dhe fusha është shumë e lagësht dhe e butë’.
Shkova në zyrë, pashë nga dritarja dhe çfarë bëri ai? Ai shkoi në fushën me bar sintetik. Nuk kisha çfarë të thosha. Nuk mund t’i thosha gjë atij. Ai më mundi”. Sër Aleks shpjegon edhe vendimin e tij për t’u larguar në 2009-ën në Madrid: Transferimi i tij rekord (80 milionë paund) ishte diçka që sulmuesi e kishte ëndërruar.
“Ronaldo kishte një ëndërr, të shkonte te Reali. Unë nuk isha kundër. 6 vite ishin të shkëlqyera për një djalë nga Madeira: të vinte këtu menjëherë pasi mbushi 18 vjeç dhe ta kishim për 6 vite. Mendoj se bëmë mirë që e shitëm dhe kjo më dha shansin për të gjetur një zëvendësues.
Morëm Antonio Valencian dhe ai ishte fantastik, kështu që ishim me fat që shkoi kështu si shkoi. E dija se do të bëhej ky që u bë. Isha i sigurt kur u ngjit në platformën e Realit. Për të qenë të sinqertë, ata janë një klub që kanë prodhuar lojtarë të klasit botëror për vite e vite dhe kanë fituar 13 herë Ligën e Kampioneve. Duhet t’ua njohim meritën. Ata janë një platformë ku çdo lojtar i shkëlqyer do të donte të shkonte”.