Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev parlajmëron se së shpejti publikohet raporti përfundimtar i hetimit për zjarrin në spitalin Covid të Tetovës. Zaev kërkon që ai raport të publikohet sa më shpejt të jetë e mundur. Ai shton se edhe si kryeministër duhet që të mbajë qëndrim rreth dorëheqjeve të dhëna së pari nga Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe të tjerët.
“Sa më shpejtë që është e mundur, aq më mirë, që ti zgjidhim të gjitha dilemat. Jeta vazhdon, politikanët janë në fushatë, po ndodhin aktivitete të përditshme. Është e udhës që të publikohet ai raport, që të mund dhe unë të them qëndrimin tim rreth dorëheqjeve të ofruara nga ministri, zëvendësministri”, tha Zaev.
Tragjedia në Tetovë ndodhi më 8 shtator, aty ku 14 persona humbën jetën dhe 12 të tjerë u plagosën pasi në spitalin modular po trajtoheshin personat e prekur nga COVID-19. Zjarri që shpërtheu besohet se është shkaktuar nga shpërthimi i bombolave të gazit apo të oksigjenit.