Nga Stephen M.Walt, Foreign Policy
Kur Joe Biden u zgjodh president, shumë analistë supozuan se administrata e tij do t’i menaxhonte marrëdhëniet e Amerikës me vendet e tjera në mënyrë më të disiplinuar, të parashikueshme dhe të sofistikuar. Se kishte mbaruar epoka e diplomacisë së Twitter-it, dhe se në krye të punëve do të riktheheshin nëpunësit publikë të përgjegjshëm.
Motoja e Biden – Amerika është rikthyer – sugjeronte se diplomacia do të zëvendësonte fuqinë ushtarake si instrumentin e preferuar të politikës së jashtme amerikane, dhe që është pikërisht ajo që thotë se do edhe populli amerikan.
Ekipi i Biden është një grup që ka në përbërje figura me përvojë, pjesë e establishmentit, në kontrast të mprehtë me personazhet e çuditshëm i që kishte stafi i ekipit të politikës së jashtme të ish-presidentit Donald Trump. Duke pasur parasysh këto, ekzistonin të gjitha arsyet për të pritur një funksionim normal të politikës së jashtme.
Në fakt, nuk ka funksionuar tamam kështu. Sigurisht, Biden dhe njerëzit e tij mund të pretendojë disa suksese fillestare: ribashkimi i SHBA-së në Marrëveshjen e Parisit për klimën dhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, rifillimi i bisedimeve me Iranin mbi programin e tij bërthamor, kryesimi i një marrëveshjeje globale për goditjen e parajsave fiskale,kryerja e më shumë vaksinimeve në kuadër të luftës globale kundër Covid-19, dhe riparimi i raporteve me aleatët kryesorë të NATO-s në samitin e Brukselit në korrik.
Plus, Biden është angazhuar më shumë sesa paraardhësit për ta fokusuar më shumë vëmendjen e SHBA-së në Azi, aspekt ky që nuk është pa rëndësi. Askush në rrethin e brendshëm të Biden nuk u detyrua të jepte dorëheqjen me turp pas vetëm3javësh në detyrë – siç u detyrua të bënte Michael Flynn, kandidatura e parë e Trump për këshilltarin e sigurisë kombëtare.
Ndërkohë vetë Shtëpia e Bardhë Biden nuk ka kryer gafat e turpshme (sipër shembull ngatërrimi i emrave të udhëheqësve të huaj në komunikatat zyrtare, apo lëshimi i deklaratave të mbushura me gabime drejtshkrimore dhe gabime faktike), që ishin një dukuri e shpeshtë në kohën kur Shtëpia e Bardhë drejtohej nga Trump.
Dhe për të qenë të sinqertë, sukseset diplomatike ndodhin rrallëherë brenda natës. Zakonisht, një përparim real dhe i qëndrueshëm në çështje të mëdha kërkon përpjekje të qëndrueshme dhe të durueshme për shumë muaj, në mos vite me radhë.
Nga presidenca e George W.Bush, nuk mbahet mend në thelb asgjë me vlerë(përveç të qenit president kur ndodhën sulmet e 11 Shtatorit), ndërsa arritjet kryesore të Trump në 9 muaj ishin gati tërësisht negative.
Arritja e marrëveshjeve të dobishme, si me aleatët po ashtu edhe me kundërshtarët, kërkon thuajse gjithmonë një shkallë të dhënies dhe marrjes (për të siguruar që të gjithë pjesëmarrësit të kenë një pjesë të tyren në rezultatin përfundimtar), madje edhe një vend i fuqishëm si Shtetet e Bashkuara rrallë merr gjithçka që dëshiron.
Përfundimi:Asnjë person serioz, nuk duhet të presë mrekulli të politikës së jashtme në vitin e parë të një presidenti në detyrë. Gjithsesi, aspekte të caktuara të performancës së Biden janë shqetësuese. Dhe kjo ka bërë që më shumë se disa vëzhgues të bëjnë krahasime me paraardhësin e tij problematik.
Bisedimet me Iranin nuk kanë shënuar asnjë përparim- për shkak të një kombinimi të dyshimit të ndërsjelltë, dredhisë iraniane, dhe ndrojtjes së vetë administratës Biden – dhe tani është thuajse e sigurt se nuk do të ketë asnjë marrëveshje të re. Në fakt Biden duket se po shkon drejt versionit të tij të “presionit maksimal”, një strategji që është provuar në mënyrë të përsëritur dhe nuk ka funksionuar asnjëherë.
Në dallim nga disa analistë, unë nuk jam dhe aq kritik ndaj menaxhimit që i bëri administrata aktuale tërheqjes nga Afganistani. Por një ekip aq i sofistikuar dhe i aftë sa pretendohej të ishte ky i presidentit Biden, mund të kishte bërë një punë më të mirë në zbutjen e shqetësimeve aleate, duke kryer një tërheqje të arsyeshme dhe plotësisht të parashikueshme.
Partneriteti i ri AUKUS, mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së një ekuilibri
të favorshëm të fuqisë në rajonin e Indo-Paqësorit. Por a ishte vërtet e nevojshme qëtë anashkalohej Franca në këtë proces? Për më tepër, për një administratë që thotë se dëshiron të vendosë diplomacinë në qendër, ekipi i Biden ka qenë i ngadaltë në plotësimin e posteve kryesore diplomatike.
Disa nga këto vonesa kanë si shkak edhe megalomaninë e politikanëve si senatorët republikanë Ted Cruz dhe Josh Hawley, të cilët kanë mbajtur disa konsulta vetëm për të kënaqur egon e tyre dhe për t’u dukur të rëndësishëm. Por problemi shkon përtej disa senatorëve republikanë.
Kjo pasi Biden ka qenë i ngadaltë edhe në emërimin e disa ambasadorëve në vendet kryesore të botës, dhe në disa poste të tjera politike në SHBA. Ai është president prej gati 9 muajsh – afro 20 për qind e një mandati presidencial – dhe ende nuk e ka të plotë ekipin e tij.
Kjo ka ndodhur pjesërisht për shkak të natyrës së ngatërruar të procesit të konfirmimit në detyrë, por jo plotësisht. Po ashtu po shohim që Biden zbaton pa kujdes politika të arsyeshme, nëpërmjet një ekipi që supozohej të ishte shumë më i aftë në menaxhimin e marrëdhënieve me miqtë dhe armiqtë.
Epoka njëpolare e rendit ndërkombëtar ka mbaruar, dhe ne jetojmë tani në një botë të shumëllojshme shumëpolare. Marrëdhëniet midis fuqive kryesore në këtë epokë të re në thelb janë më të komplikuara dhe më të vështira t’u menaxhuar sesa marrëdhëniet në një rend bipolar apo njëpolar.
Një shembull është pozicioni disi i paqartë që ka sot Gjermania. Nga njëra anë, Berlini është shumë i përkushtuar ndaj NATO -s, dhe udhëheqësit gjermanë vlerësojnë ende ruajtjen e marrëdhënieve të forta me Shtetet e Bashkuara. Por nga ana tjetër, Berlini refuzon të rreshtohet plotësisht në qasjen që ka SHBA ndaj Rusisë dhe Kinës.
Dhe kjo sepse ndërtimi i gazsjellësit “Nord Stream 2” me Rusinë dhe ruajtja e tregjeve të saj të eksportit në Kinë, janë në interesin e veçantë kombëtar të këtij vendit. Një dinamikë e ngjashme mund të shihet në vende si Turqia ose India.
Edhe pse secila ndan një numër shqetësimesh strategjike me Shtetet e Bashkuara, që të dyja blejnë armë nga Rusia dhe i mbrojnë në mënyra të tjera interesat e tyre. Ekzistenca e disa fuqive të mëdha, u jep shteteve të tjera më shumë opsione në dispozicion dhe e rrit aftësinë e tyre për të bërë pazare më të vështira ose për t’i bërë ballë presionit të SHBA-së.
Sfidë e dytë lind nga problemet globale, të cilat e kapërcejnë rivalitetin tradicional të fuqive të mëdha, dhe që s’mund të adresohen pa një bashkëpunim të gjerë nëpër linjat aktuale të linjave ndarëse gjeopolitike. Ndryshimi i klimës është shembulli kryesor i këtij problemi, por listës mund t’i shtohen lehtësisht reagimi ndaj pandemisë, menaxhimi global i makroekonomisë, apo terrorizmi ndërkombëtar.
Dhe pastaj ekziston edhe problemi shumëvjeçar i krenarisë. Biden mund të jetë duke ndjekur një axhendë disi më realiste të politikës së jashtme sesa Bill Clinton, George W. Bush, apo edhe Barack Obama, por i ka vënë si synim vetes të bëjë gjëra të mëdha.
I dha fund luftës së Amerikës në Afganistan, por nuk duket i interesuar të përpiqet të rregullojë gjërat në Lindjen e Mesme, pasi dëshiron të bëjë shumë më tepër në rajonin e Indo-Paqësorit, të rigjallërojë NATO-n, të zgjidhë problemin e klimës, të bashkojë demokracitë botërore kundër autoritarizmit, dhe të nisë të zbatojë një axhendë ambicioze sociale në SHBA, e cila do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme në lidhjet ekonomike të Amerikës me pjesën tjetër të botës.
Kjo na çon në një problem të katërt. Duke pasur parasysh angazhimet e shumta të Amerikës dhe ambiciet e mëdha, është thjesht e pamundur që të hartohet një strategji e politikës së jashtme që të jetë e çliruar nga kontradiktat e brendshme.
Largimi nga Afganistani i çliroi disa nga burimet për t’iu kundërvënë Kinës, por i ndërlikoi marrëdhëniet me aleatët e tjerë, dhe e komprometoi angazhimin për të drejtat e njeriut. Marrëveshja e re AUKUS paralajmëron një pozicion më të fortë në Azi-Paqësorin, por zemëroi një aleat të vjetër si Franca, dhe mund të minojë përpjekjet për mospërhapjen e armëve bërthamore.
Samiti i demokracive botërore mund ta forcojë pozicionin e SHBA-së brenda dhe jashtë vendit, por gjithashtu do ta bëjë më të vështirë bashkëpunimin me Rusinë dhe Kinën për çështje me interes të ndërsjellë sikurse është ndryshimi i klimës. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al