Presidentja Vjosa Osmani, gjatë fjalës së mbajtur në Këshillin e Sigurimit në OKB ka folur për misionin e UNMIK në Kosovë. Osmani i ka cilësuar kohëra të vështira ato kur UNMIK u vendos në vend si një mision i përkohëshëm. Ajo ka përmendur se gjatë asaj kohe u tha se vlefshmëria e “Rezolutës 1244” do të vijonte deri në determinimin e statusit final të Kosovës.
“UNMIK-u ishte vendosur në Kosovë në rrethana krejtësisht të tjera, pas ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur krimet dhe gjenocidin kundër popullit të Kosovës. UNMIK-u jo vetëm që e ka stërzgjatur mandatin në Kosovë, por është duke e vazhduar atë edhe në kundërshtim me opinionin e GJND-së,” tha Osmani.
Lidhur me këtë çështje, presidentja e Kosovës këshilloi anëtarët e Këshillit të Sigurimit t’i shpenzonin paratë e tyre më mirë. Ajo u shpreh se statusi i Kosovës u vendos një herë e përgjithmonë më 17 shkurt 2008, kur Kosova deklaroi pavarësinë e saj. Osmani nuk la pa përmendur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Ajo i bëri thirrje Serbisë që ta respektonte këtë ligj.