Nga Andrew A.Michta “19 Forty Five”
Kriza në rajonin e Indo-Paqësorit, dhe këmbëngulja e vazhdueshme gjeostrategjike e Rusisë përgjatë periferisë saj perëndimore, duhet të shërbejë si një zile alarmi për liderët dhe elitat e politikës evropiane, se tashmë jemi të rrezikuar nga një konflikt i “zonës gri”, me dy fuqitë e rreshtuara kundër nesh.
Megjithatë, për momentin ka pak shenja se liderët e Evropës janë të gatshëm të përballen me këtë realitet. Rritja e presionit të Kinës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në Indo-Paqësorin, e ka bërë të domosdoshme që Uashingtoni të fokusohet në “stuhinë” që po nis atje.
Pas nënshtrimit të Hong Kongut, agresioni kinez kundër Tajvanit është rritur në mënyrë eksponenciale, me një përballje ushtarake, dhe ndoshta me një konflikt kinetik Kinë-SHBA, që është sot më i mundur se në çdo kohë, që nga kriza e Ngushticës së Formozës në vitet 1950.
Nëse shpërthen një luftë SHBA-Kinë mbi Tajvanin, kjo gjë do ketë pasoja të menjëhershme për sigurinë e rajonit, sidomos për Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re – aleatët kryesorë të Amerikës në rajon – si dhe për pozicionin global të Shteteve të Bashkuara. Rreziqet nuk mund të jenë më të mëdha sesa kaq. Nëse Kina arrin ta diskreditojë garancinë e sigurisë së SHBA-së për Tajvanin, arkitektura e sigurisë në rajonin e Indo-Paqësorit do të shkatërrohet, dhe kjo do të ndikonte në pozitën e Shteteve të Bashkuara në rajone të tjetra të botës.
Ndërkaq, shtetet më të mëdha kontinentale të Evropës, sillen si të pavetëdijshme se sa e rrezikshme është kriza në Azi për paqen dhe sigurinë e tyre, ose ndoshta nuk janë të gatshëm ta pranojnë atë që është në lojë. Një sjellje e tillë kolektive, është shfaqur tashmë në marrëdhëniet e Gjermanisë dhe Francës me Rusinë, edhe pasi Vladimir Putin ka arritur ta zhbëjë trashëgiminë e humbjes së Moskës në Luftën e Ftohtë.
Ai e bëri këtë duke e rindërtuar ushtrinë ruse, duke aneksuar Krimenë, dhe duke pushtuar rajonet Donetsk dhe Luhansk në Ukrainën Lindore. Fuqia ushtarake e kombinuar me marrëveshjet energjetike të Rusisë me Gjermaninë – së fundmi me përfundimin e gazsjellësit të ri ”Nord Stream 2”- e kanë rikthyer Moskën në politikën evropiane.
E megjithatë, pozicioni i paracaktuar ndaj Rusisë nga ana e Berlinit dhe Parisit, nuk është të pengojë agresionin përmes riarmatimit, por ta “menaxhojë” problemin rus përmes një kombinimi të mjeteve politike dhe ekonomike.
Në fakt, të vetmet vende në kontinentin evropian, që kanë investuar në mënyrë të konsiderueshme në ushtritë e tyre, janë ato që dikur u pushtuan nga Bashkimi Sovjetik, me Poloninë që kryeson listën e shpenzimeve kur është fjala fjalë për modernizimin e ushtrisë.
Kriza që po shpaloset në Azi është unike, në aspektin se më në fund mund të kemi një nivel sinqeriteti në marrëdhëniet transatlantike, i cili nuk është parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Jo për shkak të dizajnit strategjik, por më shumë si pasojë e nevojave konkrete, rajoni i Indo-Paqësori do të diktojë në të ardhmen e parashikueshme vëmendjen e plotë të Amerikës, në dëm të Evropës. Krijimi i paktit trepalësh të sigurisë, AUKUS, midis Australisë, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, nuk është gjë tjetër veçse manifestimi më i dukshëm i riorganizimit strategjik të Amerikës në Azi.
Ai tregon gjithashtu se për të kontrolluar ekspansionizmin kinez, Uashingtoni po kërkon zgjidhje praktike të mbështetura tek fuqia e vërtetë ushtarake dhe angazhimi politik. Në një krizë reale, kur janë në rrezik interesat jetike, mirësjellja diplomatike zhduket shumë shpejt, siç e tregoi edhe përplasja e fundit midis Parisit dhe Uashingtonit pas anulimit nga Australia të marrëveshjes me Francën për blerjen e 12 nëndetëseve.
Teksa po përshkallëzohet konfrontimi aktual mbi Tajvanin, aleatët tanë evropianë duhet të presin biseda më të prera dhe kërkesa të drejtpërdrejta nga Shtetet e Bashkuara, kur bëhet fjalë për sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare.
Agresioni kinez kundër Tajvanit ka krijuar kushtet për një transatlanticizëm në drejtimin e kundërt, ku në dallim nga epoka e Luftës së Ftohtë, kur Shtetet e Bashkuara ishin ofruesi kryesor i sigurisë në NATO, këtë herë barra e sigurimit të dominimit global të Perëndimit do të bjerë drejtpërdrejt mbi Evropën.
Shtetet e Bashkuara përballen sot me dy rivalë ushtarakë të ngjashëm, me Rusinë dhe Kinën të rreshtuara kundër rendit ndërkombëtar liberal të udhëhequr nga SHBA-ja, dhe të vendosura për ta përmbysur atë. Ushtria amerikane, e ri-formatuar nga operacionet kundër-kryengritjeve në Lindjen e Mesme, dhe e varfëruar nga 2 dekada fushatash kundër xhihadistëve, është gati të luftojë vetëm në një fushëbetejë të madhe, por edhe për t’u angazhuar në një fushatë ushtarake të njëkohshme në shkallë më të vogël diku tjetër.
Prandaj, nëse konfrontimi SHBA-Kinë do të kalojë në një luftë me armë zjarri, kjo do të tërheqë drejt Azisë asetet ushtarake të Amerikës, duke krijuar një shans të artë për Vladimir Putinin që të konkurrojë për avantazhe në kontinentin evropian.
Përkeqësimi i peizazhit të sigurisë në Azi, nënkupton se ne kemi hyrë në një epokë cilësisht të re të marrëdhënieve transatlantike, ku negociatat e pafundme se kur dhe si do të përmbushë “Betimin e Uellsit” secili komb për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen, janë lënë në hije nga ngjarjet në terren.
Që të funksionojë mekanizmi parandalues në Evropë, aleatët duhet të investojnë në aftësi ushtarake reale, të cilat me ndihmën e aftësive parandalues bërthamore të SHBA, do t’ia mbyllin me vendosmëri derën planeve të Putinit për zgjerimin e tij drejt Perëndimit.
Ne kemi hyrë në një epokë, e cila do të vendosë të ardhmen e NATO-s. Aleanca ose do të rikthehet si një forcë luftarake, ose do të kalojë në një institucion që merret vetë me llafe. Por ndërsa NATO po përgatitet të shkruajë Konceptin e saj të ri Strategjik, Evropa është ende e çarmatosur, duke u sjellë sikur të mos kenë ndryshuar shumë gjëra në shpërndarjen globale të pushtetit që nga viti 1990.
Mosgatishmëria e fuqive evropiane kryesore për të siguruar burimet e duhura të mbrojtjes, ka krijuar një rrezik serioz, dhe e ka thelluar çekuilibrin përgjatë krahut lindor të NATO-s. Për shkak se Rusia dhe Kina janë në një linjë, “teatrot” evropiane dhe aziatike janë të ndërlidhura, dhe çdo veprim i ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara në Indo-Paqësor, do të sjellë një reagim të Rusisë në Evropë.
Nëse ndodh kjo, dhe nëse aleatët evropianë dështojnë ta frenojnë Rusinë, sistemi ndërkombëtar i pas vitit 1945 do të shkatërrohet, duke i bërë të parëndësishme institucionet dhe normat ekzistuese që i kanë shërbyer mjaft mirë Perëndimit për 70 vite. Prandaj, barra është mbi aleatët evropianë të Amerikës:A do të jenë ata në lartësinë e sfidës, kur bëhet fjalë për rindërtimin e fuqisë ushtarake të NATO-s? /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al