Qeveria e Kosovës ka miratuar gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, vendimin për dhënien e 100 euro-ve shtesë për pensionistët gjatë muajit nëntor.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë fjalës në mbledhjen e qeverisë u shpreh se ky vendim vjen si mbështetje financiare për pensionistët në zbatim të pakos së ringjalljes ekonomike pas rritjes së çmimeve.
“Pagesës shtesë për përfituesit e skemës pensionale për muajin nëntor 2021, në zbatim të pakos së ringjalljes ekonomike, Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, ndan mjete për përfituesit e skemave pensionale për muajin nëntor 2021. Për pagesë shtesë në vlerë të mbështetjes financiare në vlerë prej 100 euro”, tha Kurti
Ndërkohë nga ana tjetër, ministri i Financave, Hekura Murati, deklaroi se nga kjo ndihmë do të përfitojnë 300 mijë familje.
“Ministria e Financave në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike ndaj pandemisë COVID-19, mbështetja 3.2 për pensionistët propozon ndarjen e 30 milionë eurove për t’u ndalë në ndihmë përfituesve të skemave pensionale. Nga kjo masë do të përfitojnë 300 mijë familje. Me këtë mbështetje prej 100 euro jemi në linjë me shumë shtete më të zhvilluara sesa ne”, u shpreh ai ndër të tjera.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe projekt-rregulloren që i mundëson qytetarëve regjistrimin e makinave pa paguar tatimin në pronë.