Kryeministri Edi Rama ka vendosur pikë më pikë të gjithë objektivat e Policisë së Shtetit për vitin 2022. Lufta kundër krimit, siguria rrugore, krimet mjedisore dhe standardet e shërbimit ndaj qytetarëve, janë sipas kryeministrit të gjitha pikat ku edhe duhet që të ketë rezultate. Por kësaj here, Policia do të ketë “ndihmë” nga orbita.
Nga Parku Olimpik në Tiranë, ku prezantoi buxhetin 2022 për Ministrinë e Brendshme, sëbashku me ministrin Bledi Çuçi dhe kryepolicin Gledis Nano, Rama u shpreh se janë pikërisht efektivët e policisë janë të vetmit përgjegjës në momentin që tolerojnë ndërtimet pa leje, prerjen e pyjeve dhe shkeljen e moratoriumeve, duke bërë diferencim mes qytetarëve. Megjithatë me ardhjen e të dhënave nga satelitët, kreu i qeverisë bëri me dije se nuk të ketë më hapësira për “mbyllje sysh” nga efektivët. Ndërsa shtoi se së shpejti do të ketë investim edhe në ngritjen e një qendre të re krimit kibernetik si dhe shtimi i programeve të tilla edhe në Akademinë e Shkencave që vendi të ecë para në këtë fushë, duke kërkuar edhe uljen e moshës së efektivëve në vend e kalimin e tyre tek “Illyrian Guard”.
Më pas, në fjalën e tij kryeministri u krenua me nivelin e meritokracisë, duke shtuar se asnjë deputet apo ministër nuk mundet më të futet mik për të futur një të afërm në Policinë e Shtetit. Ndërkohë që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano tha se për herë të parë ka një rritje me 81% të buxhetit krahasuar me 1 vit më parë, teksa theksoi se kjo do të përkthehet në rritje pagash, modernizim dhe investime në infrastrukturë. Ndërsa ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi bëri me dije se në buxhetin e 2022 do të investohet edhe më shumë në teknologji.