Qeveria e Maqedonisë së Veriut pritet të shpallë sot zyrtarisht krizën energjitike. Mediat në vend raportojnë se Këshilli i Ministrave ka vendosur të marrë këtë vendim në mënyrë që t’u vijë në ndihmë kompanive energjitike për menaxhimin e situatës.
Propozimi ka ardhur nga ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Ai bëri me dije se vendimi do të diskutohet me anëtarët e komisionit energjitik.
“Do të shpallet gjendje krize në sektorin energjetik, me të vetmin qëllim që të mund të injektohen mjete buxhetore, drejtpërdrejt në kompanitë energjetike në vend duke përfshirë këtu elektranat e Maqedonisë dhe MEPSO-në për të rritë likuiditetin e tyre. Veç është publikuar urdhëresa, gjatë ditës së nesërme dhe të premten do të kemi takime me anëtarët e komisionit të cilët janë paraparë në kuadër të urdhëresës për shpalljen e gjendjes së krizës, dhe unë si ministër i Ekonomisë, në seancën e parë të Qeverisë, e cila parashihet të jetë ditën e martë, do t’i propozojë Qeverisë që të shpallim këtë gjendje krize”, bëri me dije ministri Bekteshi.
Megjithatë, qeveria ka premtuar se nuk do të kufizime dhe rritje të energjisë elektrike për familjet në Maqedoni deri në fund të këtij viti.
Kujtojmë që dhe qeveria shqiptare më herët shpalli gjendjen e krizës energjitike në vend.