Në kuadër të miratimit të Paketës Fiskale 2022, Dhoma Amerikane e Tregtisë (DHAT) dha disa propozime të reja dhe bëri disa vërejtje lidhur me projektligjet që ka miratuar qeveria së fundmi.
DHAT e konsideroi skemën e re të tatimit të pagave, pasi sipas tyre nxit më tej informalitetin dhe propozoi TAP me dy shkallë, 6.5% për intervalin e pagave 40,001 Lekë deri në një pagë deri në 100,000 Lekë në muaj dhe deri në 18% për pagat mbi 150,000 Lekë. Gjithashtu DHAT propozoi disa ndryshme shtesë në procedurat tatimore dhe fiskalizimin.
TAP të behet me dy shkallë 6.5 dhe deri në 18%
Dhoma Amerikanë e Tregtisë argumentoi se fashat e reja për llogaritjen e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi komplikojnë zbatimin e këtij tatimi dhe realisht nuk lehtësojnë barrën tatimore për pagat. Sipas projektligjit të miratuar nga qeveria rritet kufiri i pagës së pataksueshme në 40 mijë lekë (për pagat deri në 40 mijë lekë), përgjysmohet tatimi për kufirin nga 30-50 mijë lekë (për pagat deri në 50 mijë lekë) dhe rritet nga 150 mijë lekë në 200 mijë lekë kufiri i taksimit me 23%.
Lexo edhe këtë: Drafti: Rritet kufiri i pagës së pataksueshme në 40 mijë lekë, përgjysmohet nga 30-50 mijë lekë, pragu për shtresën e mesme bëhet 200 mijë lekë
Në komentet për paketën e re fiskale 2022, Dhoma Amerikane e konsideroi skemën e propozuar tepër të komplikuar, që krijon vështirësi në llogaritje, e paqartë dhe prodhon evazion.
“Skema e propozuar thellon pabarazinë ndërmjet tatimpaguesve që kanë nivel të njëjtë apo më të lartë të ardhurash, duke diskriminuar, pra tatuar vetëm tatimpaguesit me të ardhura nga pagat. Krahasuar me tatimpaguesit e regjistruar si persona fizikë që mund të kenë të njëjtin nivel apo shumë herë më shumë të ardhura, barra tatimore e përcaktuar për të punësuarit mbetet shumë e lartë. Praktika ka treguar se aplikimi i tatimit progresiv dhe mbajtja e një norme të pandryshuar gjatë 8 viteve të fundit ka rritur numrin e të vetëpunësuarve që më parë kanë qenë të deklaruar si të punësuar” thuhet në komentet e Dhomës për paketën fiskale
Formula e re e llogaritjes së tatimit nga pagat është tepër e komplikuar duke pasur parasysh se kemi 3 intervale të ardhurash dhe përkatësisht 1, 2, 3 shkallë tatimore brenda nivelit. Në kushtet që në Shqipëri llogaritja e pagave nuk është e automatizuar ndryshimi rrit vështirësinë në llogaritje dhe kohën e nevojshme për të llogaritur dhe paguar pagat. Propozuesit nuk kanë marrë parasysh faktin se përditësimi i mënyrës së llogaritjes dhe arritja e një llogaritje të saktë është e kushtueshme për bizneset, në veçanti ato me një numër të madh punonjësish apo për ato të cilat kanë lidhur kontrata në bazë neto të pagës”.
Duke mbajtur parasysh që rritja e pragut të patatueshëm zakonisht shoqërohet dhe me rritje të pagës minimale në shkallë vendi për një kategori të madhe të punonjësve, tatimi i ri jep një efekt negativ nëse llogarisim nivelin e ri të sigurimeve shoqërore që nuk rimbursohet apo neutralizohet nga ndryshime të tjera ligjore. Rritja e pagës minimale në fillim të 2021 ka rritur barrën e kontributeve dhe ka pasur efekt negativ përgjatë këtij viti dhe përpos kësaj, një rritje tjetër në fillim apo mes të 2022 dhe ndryshimi i metodës së tatimit mbi pagat pritet të japë përsëri një efekt negativ në të ardhurat neto të punonjësve në shkallë vendi.
Fashat e reja nuk marrin parasysh të ardhurat me karakter sezonal. Kjo pasi tatimi përllogaritet për të ardhura mujore dhe jo vjetore. Pra një punonjës sezonal që të ardhurat mund t’i realizojë për 3 muaj brenda vitit, për të njëjtat të ardhura, paguan më shumë tatim sesa një punonjës që të njëjtat të ardhura i shpërndahen në 12 muaj. Ky është një problem që ka ekzistuar edhe më parë me prezantimin e tatimit progresiv, thuhet në shkresën e Dhomës.
Dhoma Amerikane propozon që mos të ketë progresivitet brenda fashave pasi kjo do të sillte shtrembërim të pagave reale me qëllimin për të mos kaluar në një fashë tjetër të tatimit.
Dhoma e sheh të nevojshme ndryshimin e metodës së tatimit të të ardhurave nga punësimi në baza vjetore dhe jo mujore. Tatimi mbi të ardhurat personale, nëse do të mbahet progresiviteti duhet të jetë me bazë vjetore (shembull Kosova). Tatimi mund të llogaritet dhe mbahet në baza mujore por është e detyrueshme që të bëhet dhe rregullimi në fund të vitit, përmes deklaratës vjetore.
Dhoma propozon që tatimi në shkallën 6.5% të fillojë të aplikohet në mënyrë uniforme për intervalin e pagave 40,001 Lekë deri në një pagë deri në 100,000 Lekë në muaj dhe për pagat mbi 150,000 Lekë të tatohen me jo me shumë se 18%.
Akcizat, ndryshimet ulin konkurrueshmërinë e çimentos
Projektligji i qeverisë propozon shfuqizimin e shkronjës (d) të nenit 14 “Rimbursimi”, nëpërmjet të cilit synohet “heqja e rimbursimit për lëndët djegëse të konsumuara në serat me ngrohje, për prodhimin e produkteve industriale dhe agroindustriale, të cilat përdoren për nevoja teknologjike të prodhimit të produkteve në këta sektorë (farmaceutika, tullat, çimento, birra dhe nafta bruto).”
Dhoma vë në dukje efektin e dukshëm negativ që ka akciza, si një prej taksave indirekte në procesin e prodhimit të çimentos, sa i takon konkurueshmërisë së këtij produkti vendas dhe potencialit të kësaj industrie për eksport.
Propozimet
1- Dhoma Amerikane duke konsideruar frymën e përafrimit të legjislacionit Europian dhe për rrjedhojë atë të krijimit të kushteve sa më konkurruese e minimalisht të barabarta me ato ekzistuese në rajon si dhe në vendet europiane, kërkoi që deri në përjashtimin e plotë të Akcizës sipas Ligjit, mundësia e rimbursimit të akcizës në masën 50% të mos hiqet e njëkohësisht të konsiderohet mundësimi i rimbursimit të saj në masën 100% për produktet energjetikë që përdoren në proceset mineralogjike ku bën pjesë edhe industria e prodhimit të çimentos.
2-Dhoma kërkoi të mos diskriminohen produktet e importit kundrejt atyre vendase.
“Ekziston një shqetësim i madh midis industrisë sonë së produktet vendase të duhanit me shumicë, tatohen më pak se produktet e importuara, duke krijuar një pozicion diskriminues për produktet që tregtojmë. Si pjesë e rishikimit të legjislacionit tatimor dhe atij të duhanit, ne insistojmë që trajtimi i të gjitha produkteve të duhanit të barazohet. Një qasje e tillë do të përmbushte detyrimet e Shqipërisë, duke filluar nga MSA me BE-në, CEFTA etj, argumentoi DHAT në komentet për paketën e re fiskale.
3- DHAT propozoi njohjen e pullave fiskale që shkatërrohen nga makineritë në procesin e vendosjes tek produkti. Pullat fiskale që shkatërrohen plotësisht nga makineritë gjatë procesit të vendosjes tek produktet, do të njihen bazuar në deklarimin e prodhuesit të mallrave të akcizës që bën vendosjen e pullave, por jo më shumë se 0,5 % e sasisë vjetore të pullave të përdorura.
Heqja e disa përjashtimeve nga TVSH
Sipas Dhomës rritja e pragut të përjashtimit nga TVSH për makineritë me vlerë mbi 500 milionë lekë, nga 50 milionë lekë që ishte më parë nuk shoqërohet me asnjë analizë mbi qëllimet fillestare të vendosjes së përjashtimit, vërejtjet nga zbatimi në praktikë gjatë këtyre viteve, ndonjë shenjë diskutimi paraprak me palët e prekura e grupet e interesit, arsyet konkrete të heqjes së tanishme, ndonjë masë për lehtësim apo asistencë ndaj palëve të prekura që kishin të ndërtuar një plan biznesi bazuar mbi këtë përjashtim dhe që tashmë ndikohen negativisht në gjendjen e cash-it dhe nevojat për financim etj.
Nëse ministria synon harmonizimin e legjislacionit tonë me atë Europian, të njësojë të gjitha përjashtimet në Shqipëri me ato të Direktivës së TVSH dhe të mos japë asnjë përjashtim të ri, thotë Dhoma.
Aktualisht, qeveria jep dhe heq përjashtime bazuar në nevoja të çastit dhe pa një program të qartë se çfarë synohet të arrihet.
Lidhur me heqjen e përjashtimeve nga TVSH-ja, Dhomës i duket shqetësuese mënyra e vendimmarrjes dhe arsyetimi i vakët i paraqitur që këto përjashtime (a) nuk janë në përputhje me Direktivën Europiane të TVSH dhe (b) nuk mbështeten mbi një argumentim të shëndoshë, pasi kuptohet që në momentin kur u vendosën duhet të kishte një arsyetim të shëndoshë.
1-Projektligji propozon që në nenin 56 “Përjashtime të veçanta në import”, të bëhen ndryshimet si më poshtë: Në pikën 38, shkronja a), togfjalëshi “…50 milionë lekë;” zëvendësohet me togfjalëshin “…500 milionë lekë;”. Në pikën 38, shkronja c) “importimi i makinerive prodhuese nga subjektet e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin.” të shfuqizohet.
Sipas Dhomës, në fakt më shumë se për të tërhequr investime madhore ky ndryshim përjashton tashmë investimet me vlerë nën 500 milionë lekë, lidhur me përjashtimin nga TVSH-ja në import të makinerive dhe pajisjeve që importohen në funksion të realizimit të kontratave të investimeve. Ndërkohë, siç është e shkruar aktualisht në ligj neni 56, pika 38/a, i përfshin edhe investimet madhore me vlerë 500 milionë lekë, pasi parashikon investime me vlerë të barabartë ose më të madhe se 50 milionë lekë. Ndaj qëllimi i këtij ndryshimi nuk ka kuptim, përveçse ka karakter përjashtues për shumë investitorë nga ato “incentiva” të pakta që ka në fushën tatimore në Shqipëri.
2- TVSH në bujqësi të aplikohet 5-7%
Projektligji propozon që në nenin 148 “Norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor”, togfjalëshi “…6 për qind.” zëvendësohet me togfjalëshin “…0 për qind.”
Skema e re e propozuar – me 0% në blerje dhe 20% në shitje – deformon rëndë parimin e pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, pasi operatori ndërmjetës përveç 20% Tatim mbi Vlerën e Shtuar që ai i shton produktit duhet të paguajë edhe 20% të vlerës së krijuar nga një operator tjetër (fermeri informal) para tij.
Propozimet:
1-Rimbursim i fermerëve sipas sasisë së prodhuar të qumështit, 10 lekë për çdo litër qumësht të dorëzuar në pikat e licencuara të grumbullimit ose fabrikat e përpunimit të qumështit. Kjo skemë mbështetëse duhet të jetë pa limit, në mënyrë që cdo fermer/fermë ta përfitoje subvencionin për çdo litër qumësht të prodhuar, njëlloj si në rajon.
2- Rimbursimi i fermerëve/fermave për numrin e krerëve dhe për çdo lindje të re.
3- Rimbursimi i fermerëve/fermave për sipërfaqen e tokës së mbjellë për ushqim për blegtorinë (konkretisht për jonxhë, misër, grurë, silazh,etj).
4- Politika nxitëse dhe subvencionuese për ferma nga skemat kombëtare (jo iPARD).
Propozime të tjera për fiskalizimin
1- Ligji “Për Taksat Kombëtare’, i ndryshuar” sa i takon taksës së plastikës
Taksimi i bëhet produktit të plastikës dhe pasojat duhet të bien mbi produktin, jo mbi operatorët duke i diferencuar dhe vendosur ata në kushte të pabarabarta në treg. E drejta e të qenit në kushte të barabarta në treg është një e drejtë themelore dhe kështu ka qene përpara miratimit të ligjit bashkëngjitur me taksë të diferencuar.
2-Ligji “Për TVSH” dhe ligji “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
-Lëshimi i faturave të lejohet deri në datën 10 të çdo muaji për muajin paraardhës (siç është aktualisht);
-Ngarkimi i Librave të TVSH në “Self care” të mundësohet deri në datën 15, pasi është e pamundur të bëhen rregullimet në libra për faturat e blerjes brenda datës 10, kur edhe faturat mund të merren në po atë datë. Pra mund të marrësh një ose disa fatura blerje pasditen e datës 10 dhe e ke të pamundur të besh rregullimet në Librin e Blerjes;
-Deklarimi dhe pagesa e TVSH të bëhen brenda datës 20 të çdo muaji. Kjo ul edhe barrën administrative të tatimpaguesve, pasi i bëjnë njëherësh të gjitha pagesat (sigurime, TAP, tatim në burim, TVSH brenda datës 20).
3-Ndryshime në Ligjin për Procedurat Tatimore lidhur me afatin e zbatimit të gjobave lidhur me procesin e fiskalizimit.
Pavarësisht se Ligji i Procedurave Tatimore nuk është përfshirë në paketën e propozuar për vitin 2022, jemi të mendimit që është i nevojshëm një ndryshim i këtij ligji lidhur me afatin e aplikimit të gjobave për procesin e fiskalizimit. Duke pasur parasysh ecurinë e deritanishme dhe problematikat (siç listohen në piken d me poshtë) do të propozonim që afati për zbatimin e plote të ligjit të shtyhet deri në fund të vitit 2022. Kjo do të bënte të mundur:
– Arritjen nga administrata të vënies në funksion 100% të Platformës Qendrore të Faturave, pasi në gjendjen aktuale veprimet që bëhen në platformë janë shumë të ngadalta dhe me gabime të shpeshta për shkak të përditësimeve të vazhdueshme.
– AKSHI nuk ka pajisur me certifikata elektronike një pjesë të madhe të tatimpaguesve pavarësisht kryerjes së aplikimit dhe pagesës.
– Hyrjen në proces të pjesës më të madhe apo të gjithë tatimpaguesve që kanë detyrim për të lëshuar fatura.
– Zgjidhjen e një numri të madh problematikash që hasen në baza ditore nga përdorimi i Platformës Qendrore të Faturave dhe sistemeve të faturimit.
– Përshtatjen ndërkohë të e bazës ligjore aktuale të tatimit mbi vlerën e shtuar apo ligjeve të tjera të cilat ndikojnë në zbatimin korrekt të ligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.
Problematika lidhur me zbatimin e ligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, rekomandimet
1) Hyrja në Platformën Qendrore të Faturave – Hyrja në platformë bëhet me kredencialet që biznesi hyn në portalin e-albania dhe nuk ka nivele aksesi për përdorues të ndryshëm. informacioni që mund të merret nga përdoruesi që hyn dhe në platformën qendrore të faturave është konfidencial apo i kufizuar vetëm për persona të autorizuar në kompani (si p.sh. listëpagesat, lejet, vërtetime, etj.)
Propozim: Është e detyrueshme dhe e domosdoshme të ndahen nivelet e aksesit siç janë për e-tax apo portale të tjera, pasi kjo mënyrë konfigurimi dhe aksesi mund të dëmtoje dhe të sjellë pasoja për keqpërdorimin e të dhënave personale apo dhe të shoqërive.
2) Standardizimi i librave të blerjes dhe të shitjes – Formati i transaksioneve mujore që del nga Platforma Qendrore e Faturimit është shumë i ndryshëm nga formati i librave të blerjes dhe të shitjes që përdoren aktualisht në zbatim të dispozitave të Ligjit Nr. 92/2014 Për Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” dhe Udhëzimit Nr. 6 datë 30.01.2015.
Rekomandim – të unifikohen raportet mujore të shitjes dhe të blerjes që dalin nga Platforma Qendrore e Faturimit.
3) Shtyrje e afatit të plotësimit të librave të TVSH – Në ligjin aktual të TVSH por dhe të Ligjit “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit” për një sërë transaksionesh fatura mund të lëshohet deri në datën 10 të periudhës pasardhëse. Ndërkohë data 10 e muajit pasardhës është dhe data e fundit e deklarimit të librave të blerjes dhe të shitjes. Mund të ndodhe që faturat të lëshohen në datën e fundit të lejuar pra data 10 që është e njëjtë dhe me afatin e fundit të raportimit të librave.
Rekomandim: Nëse është e mundur të ndryshohet data e raportimit të librave të TVSH dhe të jetë në një datë me atë të dorëzimit të deklaratës së TVSH, pra data 14. Kjo do ti jepte më shumë hapësire tatimpaguesve për të raportuar saktë dhe të mos bëjnë korrigjime në librat e blerjes dhe të shitjes.
4) Kreditimi i TVSH së faturave të lëshuara nga blloku brenda periudhës 12-mujore dhe lëshimi i faturës korrigjuese për to – Për fatura të periudhave të mëparshme për të cilat nuk ka qenë detyrim fiskalizimi dhe që janë brenda 12 periudhave tatimore, duket se teknikisht është e pamundur të deklarohet dhe të zbritet TVSH-ja.
Rekomandim: ka nevojë për udhëzime apo ndërhyrje në Platformën Qendrore të Faturimit për të lejuar fiskalizimin e faturave të lëshuara më parë me bllok në rast se këto deklarohen në një kohë të mëvonshme apo ka nevoje për të bere korrigjimin e tyre.
5) Fiskalizimi i importeve – Fiskalizimi i importeve ka krijuar shume vështirësi praktike në saktësimin e vlerës se tatueshme apo të TVSH-së që është paguar përmes deklaratës që po fiskalizohet. Vështirësia rritet ose në disa raste bëhet krejtësisht e pamundur të fiskalizohen disa deklarata të veçanta importi.
Rekomandim: Kërkohen ndryshime ligjore dhe nënligjore për të cilësuar se fiskalizimi i importeve duhet të kryhet vetëm për të cilësuar furnizuesin e huaj. Të përshtatet platforma e faturimit dhe të mos lejohen prekje të vlerës së tatueshme dhe TVSH-së së deklaratës doganore të importit. Përcaktimi i vlerës së tatueshme dhe TVSH-së së deklaratës doganore të importit të mbetet në kompetencën e autoriteteve doganore dhe çdo pasaktësi të zgjidhet sipas dispozitave të Kodit Doganor dhe Dispozitave Zbatuese të Kodit Doganor.
Shënime të tjera në faturë – Formati i faturës ka kufizim në karaktere dhe nuk lejon shtimin e përshkrimeve që mund të kërkohen dhe nga ligji. Deri tani platforma self-care dhe zgjidhjet softëare-ike nuk kanë mundësuar fusha specifike ku të mund të vendosen shënime të veçanta referuar nenit të posaçëm të Ligjit të TVSH-së, kur fatura lëshohet e përjashtuar nga TVSH, pa TVSH apo raste të tjera sipas Ligjit.
Rekomandim: Kërkohen përshtatje në platformën self-care dhe zgjidhjet programimi për të vendosur fushë të veçantë ku të mund të reflektohen shënimet përkatëse sipas Ligjit të TVSH-së.
Operatoret – Operatoret nuk mund të regjistrohen në Platformën Qendrore të Faturave nëse ju ka skaduar letërnjoftimi (karta e identitetit) apo nëse janë shtetas të huaj të deklaruar në listëpagesë por që nuk janë në regjistrin e gjendjes civile. Një problematikë tjetër është se nuk është e qartë se si ndryshohen datat efektive të aksesit të operatorëve pasi ikonat në platforme nuk lejojnë modifikimin.
Rekomandim: të konfigurohet platforma që të pranoje regjistrimin e operatorëve dhe pse mund të ketë skaduar letërnjoftimi. Numri personal i individëve shqiptarë nuk ndryshon pavarësisht se mjeti aktual i identifikimit mund të ketë skaduar. Të shihet mundësia e lejimit të regjistrimit të operatorëve me të dhënat që janë raportuar në listëpagesë. të sqarohet me ligj/udhëzim se si duhet të regjistrohen individët e huaj (qe janë në listëpagesë) por që nuk janë në regjistrin e gjendjes civile.
Te merren masa që ikonat në platformë të aktivizohen dhe të punojnë rregullisht që të lejohen ndryshime të mundshme sipas nevojave të biznesit.