Çmimet e produkteve ushqimore kanë vazhduar të rriten edhe gjatë muajit tetor në Kosovë.
Sipas Agjencisë së Statistikave norma vjetore e inflacionit në muajin e kaluar ka arritur në 5.7 për qind. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se rritja e çmimeve ka ndodhur si pasojë ekonomike e pandemisë.
Muajve të fundit është vërejtur një rritje e lartë e çmimeve për produktet në Kosovë.
Ngritjen e këtyre çmimeve sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës është rritur kryesisht te buka, mishi, qumështi dhe druve.
Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit në muajin tetor ka arritur në 5.7 për qind.
“Bukë dhe drithëra me 5.7 për qind, mish me 2.4 për qind, qumësht, djathë dhe vezë me 6.2 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 27.9 për qind, kafe, çaj dhe kakao me 4.1 për qind, pije alkoolike me 4.5 për qind; duhan me 2.8 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 8.1 për qind, produkte farmaceutike me 2.3 për qind, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 35.5 për qind, shërbime për transport me 2.3 për qind dhe shërbime hoteliere me 2.7 për qind”, thuhet në raportin “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), tetor 2021”.
Inflacioni mujor i matur nga IHÇK ishte 1 për qind në muajin tetor 2021, krahasuar me muajin paraprak.
“Rritje të çmimeve të konsumit ka pasur në bukë dhe drithëra me 3.9 për qind, mish me 0.4 për qind, qumësht, djathë dhe vezë me 1.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 2.9 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, kafe, çaj dhe kakao me 3 për qind, gaz me 5.1 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 5.8 për qind, blerje e automjeteve me 3.2 për qind, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 6.2 për qind”, vijon raporti.
Lexo edhe këtë: Orizi dhe sheqeri, produktet me rritje çmimi rekord në Kosovë
Agjencia po ashtu, njofton se norma vjetore e inflacionit në muajin shtator ka arritur në 4.9 për qind.
Kjo rritje e çmimeve ishte vërejtur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.
E përveç këtyre rritjeve në produkte ushqimore në Kosovë, është paralajmëruar edhe rritja e çmimit të faturave të energjisë elektrike. E për këtë gjë qytetarët që ngrohen me rrymë thonë që do ta kenë shumë të vështirë pasi që, do t’iu duhet që ta ndërrojnë sistemin e ngrohjes, nga ajo me rrymë ta bëjnë me lëndë tjera djegëse, ngase sipas tyre mund t’i përballojnë kostot.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një deklarim të më hershëm kishte thënë se rritja e çmimeve ka ndodhur si pasojë ekonomike e pandemisë.
Lexo edhe këtë: Qeveria ia lë fajin pandemisë për rritjen e çmimeve, prezantohet Pakoja e Ringjalljes Ekonomike
“Pasojat ekonomike të pandemisë që po përcillen edhe me luhatje të çmimeve vë në pah dy faktorë. Si pasojë e shkëputjes së zinxhirëve të furnizimit shumë vende të Evropës po shohin vendit që i kanë më afër si eksportues potencial si dhe theksohet nevoja për shtim të prodhimit vendor. Pandemia na dëshmoi se prodhimi vendor ka rol kyç në ekonomi si për nga aspekti i sigurisë ekonomike, ashtu edhe nga aspekti i krijimit të vendeve të qëndrueshme të punës. Pavarësisht nga kjo prodhuesit tanë kanë treguar se vullneti dhe puna e palodhshme nuk kanë munguar asnjëherë, por dora e shtetit ka munguar”.
Kurti ka theksuar se të hyrat buxhetore në Kosovë kanë shënuar rritje si dhe eksporti.
“Ekonomia e vendit nuk ka përjetuar kurrë një rritje të çmimeve si këtë vit për 10 për qind, duhet të kemi një rritje të prodhimtarisë dhe të eksportit. Aktiviteti ekonomik është shtuar për rreth 30 për qind, eksportet janë rritur mbi 60 për qind, ndërsa të hyrat buxhetore janë rritur për 34 për qind”.