Gjykata e Kurorës në Leeds të Britanisë së Madhe dënoi me 8-vite burg infermierin shqiptar, Ardit Çela, i cili akuzohet për përdhunimin në gjumë të një vajze të dehur.
Juria përpara se të merrte vendimin dëgjoi se si 28-vjeçari shqiptar kishte vënë në shënjestër viktimën e pambrojtur teksa kjo ishte duke fjetur.
I pandehuri hyri në dhomën e viktimës, hoqi rrobat dhe u fut në shtrat me të. Vajza u zgjua kur infermieri shqiptar po kryente sulmin seksual ndaj saj. Edhe pse ajo iu lut Çelës të ndalonte, ky i fundit vijoi abuzimin.
Gjatë seancës gjyqësore 28-vjeçari e mohoi përdhunimin dhe u shpreh se ata kryen marrëdhënie seksuale me konsensus.
Ndërkohë që gjykatësi i çështjes tha përpara dhënies së dënimit se vajza kishte pësuar lëndime të rënda psikologjike.
“Ajo ishte një adoleshente me një të ardhme të ndritur. Ajo nuk ka mbetur më e sigurt pas këtij përdhunimi. Ka pësuar sulme ankthi, nuk ka mundur të flejë dhe i është dëmtuar shëndeti mendor. Marrëdhëniet e saj me të tjerët janë ndikuar ndjeshëm negativisht”, tha gjykatësi.