Nga Hal Brands “The Wall Street Journal”
Në garën gjeopolitike përcaktuese të këtij shekulli, SHBA-ja është një superfuqi pa një plan të qartë në kokë. Dy presidentët e fundit, kanë deklaruar se vendi ynë është i përfshirë në një garë historike me Kinën, një rivalitet që do t’i japë formë rendit botëror dhe fatit të lirive të njerëzve.
Por as Donald Trump dhe as Joe Biden, nuk na kanë shpjeguar publikisht se çfarë synojnë të arrijë një politikë më “konkurruese”, dhe as nuk kanë ofruar më shumë se sa disa skica të thjeshta të një strategjie që synon të ketë sukses. Duket se SHBA-ja po nis një rrugëtim të gjatë e të rrezikshëm, por pa e ditur se ku po shkojmë apo si do të mbërrijmë atje.
Nuk ka asnjë dyshim që kjo sfidë është komplekse, pasi Kina është e integruar aq shumë në vetë sistemin global, saqë ambiciet e saj hegjemoniste janë shumë kërcënuese. Por Uashingtoni ka fatmirësisht një precedent ku mund të mbështetet.
Në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja zhvilloi dhe fitoi një luftë kundër një rivali autoritar. Ajo krijoi në fillim, një strategji elegante – të frenimit – që udhëhoqi veprimet e presidentëve të njëpasnjëshëm nga të dyja kampet. Sigurisht, rivaliteti i sotëm me Pekinin, nuk është një kopje e saktë e Luftës së Ftohtë.
Kina është shumë më dinamike në aspektin ekonomik, dhe është teknologjikisht më e sofistikuar se sa Bashkimi Sovjetik. Xi Jinping nuk është Stalini apo Mao, edhe pse ai e admiron shumë të parin, dhe po e imiton gjithnjë e më shumë të dytin. Por strategjitë më të mira, kanë cilësi që tejkalojnë periudha dhe vende të veçanta.
Për të pasur sukses kundër një Kine në rritje, SHBA-ja duhet të mësojë sërish leksionet që nxori nga frenimi i sovjetikëve dikur. Frenim që i solli SHBA-së një fitore epokale. Ajo strategji lindi si reagim ndaj një dileme, të cilën politikë-bërësit e sotëm do ta njihnin shumë shpejt:Një tirani e fuqishme, kërcënonte të shkatërronte sistemin ndërkombëtar, të krijuar nga SHBA dhe aleatët.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Franklin Roosevelt hyri në një aleancë me Bashkimin Sovjetik të Stalinit, dhe u përpoq ta bënte atë një partner në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në botë. Megjithatë, gjatë viteve 1946-1947, u përhap me shpejtësi frika e një lufte të tretë botërore, pasi u rritën në kulm tensionet SHBA-Bashkimi Sovjetik, dhe fuqia e Moskës u shfaq kërcënuese mbi një botë të shkatërruar.
Problemi themelor, siç e shpjegoi zyrtari i Departamentit të Shtetit, George Kennan, në një ese të shkruar në vitin 1947 me pseudonim në revistën “Foreign Affairs”, ishte se pasiguria tradicionale ruse, ideologjia komuniste dhe paranoja staliniste, e kishin bërë Kremlinin tejet armiqësor ndaj botës kapitaliste.
Stalini e kuptonte se Bashkimi Sovjetik ishte ende më i dobët se sa SHBA-ja, dhe se besimi i tij në fitoren e komunizmit, nënkuptonte tërheqjen në vend të luftimit para kohe. Prandaj strategjia më e mirë e Amerikës, ishte ajo e një “frenimi të fortë”:kontrollit të fuqisë sovjetike nëpërmjet “zbatimit të zgjuar dhe vigjilent të kundërforcës mbi një seri pikash gjeografike dhe politike, të cilat ndryshojnë vazhdimisht”.
Nëse Uashingtoni do t’i mohonte Moskës përfitimet nga ekspansioni, argumentonte Kennan, dobësitë e brendshme të sistemit komunist – ekonomia komanduese irracionale, absurditetet e mbrapshta të politikës së saj totalitare – do të shkaktonin në fund dëmet e tyre të mëdha. Rezultati do të ishte “shpërbërja ose zbutja gradual e pushtetit sovjetik”. Në fillim Kennan dha pak detaje se si, ku, dhe me çfarë mjetesh duhet të frenohej fuqia sovjetik. Por në fundin e viteve 1940, administrata Truman do të fillonte hartimin e politikave specifike – ndihma për Greqinë dhe Turqinë, Planin Marshall, themelimin e NATO-s – të cilat e bënë realitet strategjinë e frenimit.
Presidentët e mëvonshëm, nga Eisenhower te Reagan, i shtuan elementë të tjerë kësaj ideje, duke marrë qasje të ndryshme për çështje të tilla si negociatat, strategjia bërthamore, dhe kundërmasat kundër sulmeve nga vendet komuniste në botën në zhvillim.
Në fakt, frenimi ishte një doktrinë e diskutueshme, mjafton të kujtojmë kostot e Luftës së Koresë dhe asaj në Vietnam. Por sado e papërsosur që ishte, ajo detyroi një brez të ri udhëheqësish të Kremlinit të reduktonin ndjeshëm ambiciet e tyre. Dhe grumbullimi i problemeve të brendshme, nxiti ndërmarrjen e reformave të dëshpëruara, që sollën pa dashje shembjen e sistemit.
Sot, SHBA-ja ka nevojë të bëjë të njëjtën gjë përballë Kinës. “Konkurrenca” me këtë të fundit, është një realitet gjeopolitik, dhe jo një objektiv strategjik. Objektivi duhet të jetë pengimi i Kinës për të përmbysur ekuilibrin e forcave, dhe ndërtimin e një të ardhmeje, në të cilën dominon autoritarizmi.
Pra thënë ndryshe, SHBA duhet të frenojë aftësinë e Kinës për ta ri-formatuar rendin ndërkombëtar aktual, që është produkt i fitores së Amerikës gjatë Luftës së Ftohtë. Fakti që ky rival, ashtu si dikur Bashkimi Sovjetik, udhëhiqet nga një kombinim i fuqishëm i ankesave dhe ambicieve – nacionalizmi agresiv, një pasiguri e madhe, plane madhështore të një udhëheqësi të përjetshëm – tregon se sfida e saj ndaj SHBA-së do të vazhdojë, derisa fuqia kineze të zbehet apo të ndryshojë natyra e regjimit atje.
Kina e sotme nuk është Bashkimi Sovjetik i dikurshëm. Por forca e jashtëzakonshme e vendit fsheh nën sipërfaqe dobësi të mëdha. Ngadalësimi i rritjes ekonomike, mos-qarkullimi i elitave dhe katastrofa e afërt demografike, e kërcënojnë seriozisht regjimin.
Përmes sjelljes së tij armiqësore, Xi ka bërë rivalë vendet afër dhe larg Kinës. Strategjia e tij, duket se përfshin kërkimin e fitoreve afatshkurtra – nënshtrimin e Tajvanit dhe dobësimin e aleancave të SHBA-së në Paqësor, krijimin e një sfere ndikimi në fushën e teknologjisë në vendet në mbarë botën – për të kompensuar, dhe ndoshta edhe për të zbehur efektet e akumuluara të problemeve afatgjata që ka ky vend.
Nëse Uashingtoni do t’ia dalë të bllokojë përparimin e Kinës në këto fusha, atëherë narrativa e zoti Xi për ngjitjen e pashmangshme të vendit në krye të botës, do të fillojë të duket boshe. Dhe një ditë pasardhësve të tij, do t’u duhet të kthejë kokën nga situata brenda vendit, duke adresuar nëpërmjet reformave dhe një diplomacie më të moderuar, problemin e izolimit në rritje, si dhe të problemeve të shkaktuara nga tensionet ekonomike, politike dhe sociale.
Duke bashkëpunuar me vendet që ndajnë njëjtat vlera dhe ide, SHBA-ja mund të krijojë një presion kolektiv, që mund ta gjunjëzojë Pekinin. Kundërvënia ndaj Kinës, do të kërkojë nga udhëheqësit amerikanë të imitojnë edhe një tjetër virtyt të strategjisë së dikurshme të frenimit:ndjekjen e avantazhit të njëanshëm përmes mjeteve shumëpalëshe.
Komunizmi, shkroi dikur Kennan, ishte një parazit “që ushqehet vetëm me inde të sëmura”. Në fund të viteve 1940, kërcënimi sovjetik ishte shumë i madh, pasi uria, radikalizmi dhe destabiliteti ishin shumë të përhapura. Në kundërpërgjigje, SHBA-ja u angazhua në një nga ndërmarrjet më të guximshme të historisë:Hapi miliona vende pune, për të krijuar një botë të lirë e të gjallë.
Uashingtoni rindërtoi shoqëritë e shkatërruara dhe siguroi lulëzimin e ekonomisë perëndimore në lulëzim. Ai e promovoi demokracinë si një burim stabiliteti politik dhe qëllimi të përbashkët moral. Edhe sot frenimi më i mirë ndaj agresionit autokratik, mbetet forca dhe uniteti i demokracive.
Pekini po përpiqet të bëhet fuqia dominuese e globit. Nëse do të ketë sukses, bota që ndërtoi Amerika përmes fitores së saj në Luftën e Ftohtë, do të mbetet vetëm një kujtesë në histori. Ndërmarrja e një përpjekjeje tjetër urgjente dhe të qëndrueshme, për të frenuar një rival në avancim të shpejtë nuk do të jetë e lehtë, por është gjithsesi mënyra më e mirë për të shmangur një të ardhme akoma më të zymtë. (Përktheu: Alket Goce-abcnews.al)