37-vjeçarja shqiptare, Elona Kaleshi e akuzuar për vrasjen e Shpëtim dhe Teuta Pasho , prindërit e ish-të dashurit të saj Taulant Pasho, do të gjykohet nga Gjykata e Firences më 15 shkurt të 2022 për vrasje të dyfishtë, fshehje dhe përçmim të kufomave.
Bashkëshortët Shpëtim dhe Teuta Pasho u zhdukën në tetor 2015 dhe trupat e tyre, të copëtuar, u gjetën në dhjetor 2020 në valixhe të braktisura.
Mediat italiane bëjnë me dije se zhdukja e bashkëshortëve Pasho, të cilët mbërritën në Itali për të takuar djalin e tyre Taulantin , i cili do të dilte nga burgu i Firences mëngjesin e 2 nëntorit 2015, u denoncua nga vajza e çiftit, Vitore, tek karabinierët e Castelfiorentino, Firence.
Sipas hetuesve, vrasja e dyfishtë ka ndodhur ndoshta mbrëmjen para daljes së Taulantit nga burgu, në banesën në Firence, në via Fontana, të cilën Elona e kishte marrë me qira për prindërit e të dashurit të saj.
Sipas akuzës, 37-vjeçarja dyshohet se ka vrarë çiftin për t’i penguar ata të zbulojnë se ajo kishte abortuar për një fëmijë të ngjizur kur i dashuri i saj ishte në burg.