Nga Fiona Hill “New York Times”
Ne e dinim që do të mbërrinim një ditë në një situatë të tillë. “George, duhet ta kuptosh se Ukraina nuk është tamam një shtet. Një pjesë e territorit të saj ndodhet në Evropën Lindore, dhe pjesa më e madhe na është dhënë neve”. Këto ishin fjalët ogurzeza të presidentit Vladimir Putin të Rusisë në prillin e vitit 2008, drejtuar presidentit të atëhershëm të SHBA-së, George W.Bush në kryeqytetin rumun Bukuresht, gjatë një samiti të NATO-s.
Putin ishte dukshëm i zemëruar:NATO sapo kishte njoftuar se Ukraina dhe Gjeorgjia do të anëtarësoheshin një ditë në aleancë. Ajo ishte një formulë kompromisi për të zbutur shqetësimet e aleatëve tanë evropianë, pra një premtim i qartë për t’u bashkuar me bllokun, por jo një afat kohor specifik se kur do të ndodhë ky akt.
Në atë kohë, unë isha një oficere e shërbimit sekret për Rusinë dhe Euroazinë, si dhe pjesë e një ekipi që e informonte rregullisht zotin Bush. Ne e paralajmëruam presidentin se zoti Putin, do t’i konsideronte hapat për të afruar më pranë NATO-s Ukrainën dhe Gjeorgjinë si një lëvizje provokuese, e cila kishte të ngjarë të provokonte një veprim ushtarak parandalues nga ana e Rusisë.
Por në fund, paralajmërimet tona nuk u morën parasysh. Brenda 4 muajsh, në gushtin e vitit 2008, Rusia e pushtoi Gjeorgjinë. Dhe Ukraina e mori më zë të lartë dhe të qartë mesazhin e Rusisë. Ai sulm e vonoi anëtarësimin në NATO përgjatë viteve që pasuan.
Por në vitin 2014, Ukraina donte të nënshkruante një marrëveshje asociimi me Bashkimin Evropian, duke menduar se kjo mund të ishte një rrugë më e sigurt për t’u atashuar me Perëndimin. Moska goditi sërish, duke e akuzuar Ukrainën se po kërkonte një derë të pasme për t’u bërë pjesë e NATO-s.
Ajo aneksoi gadishullin e Krimesë dhe nisi një luftë të gjatë nëpërmjet separatistëve pro-rusë në rajonin juglindor ukrainas të Donbasit. Reagimet e dobëta të Perëndimit ndaj pushtimeve të vitit 2008 dhe 2014 e trimëruan jo pak Putinin.
Dhe këtë herë, qëllimi i tij është më i madh sesa vetëm mbyllja e “derës së hapur” të NATO-s ndaj Ukrainës, dhe përvetësimi i më shumë territoreve. Tani ai dëshiron që të dëbojë Shtetet e Bashkuara nga Evropa. Siç mund të shprehej lideri i Krenlinit:“Mirupafshim Amerikë!Kujdes mos përplasesh tek dera gjatë daljes!”.
Siç unë e kam parë për më shumë se 2 dekada, kohë në të cilën kam vëzhguar dhe analizuar lëvizjeve të Putinit, veprimet e tij janë të qëllimshme, dhe zgjedhja e tij në këtë moment për të sulmuar Ukrainën dhe shantazhuar Evropën është shumë e qëllimshme. Ai ka një fiksim personal me historinë dhe përvjetorët.
Dhjetori i vitit 2021 shënoi 30 vjetorin e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kur Rusia e humbi pozitën e saj dominuese në Evropë. Putin dëshiron që t’i shkaktojë Shteteve të Bashkuara të njëjtën shije të hidhur që provoi Rusia gjatë viteve 1990.
Ai beson se Shtetet e Bashkuara aktualisht janë të zhytyra në të njëjtat telashe si Rusia pas shembjes së Bashkimit Sovjetik:të dobësuara shumë nga brenda dhe në tërheqje në arenën globale. Po ashtu ai mendon se NATO nuk është gjë tjetër, veçse një zgjatim i SHBA-së.
Zyrtarët dhe analistët rusë, mohojnë vazhdimisht çdo agjenci apo mendim të pavarur strategjik mbi anëtarët e tjerë të NATO-s. Pra, kur flitet për këtë të fundit, të gjitha lëvizjet e Moskës janë të drejtuara kundër Uashingtonit.
Gjatë viteve 1990, Shtetet e Bashkuara dhe NATO e detyruan Rusinë që të tërhiqte ato që kishin mbetur nga ushtria sovjetike nga bazat e tyre në Evropën Lindore, Gjermani dhe shtetet baltike. Tani Putin dëshiron që Shtetet e Bashkuara të vuajnë në një mënyrë të ngjashme.
Nga këndvështrimi i Rusisë, vuajtjet e brendshme të Amerikës pas 4 viteve të presidencës katastrofike të presidentit Donald Trump, si dhe përçarjet që krijoi ky i fundit me aleatët e SHBA-së, dhe më pas tërheqja e shpejtë e Amerikës nga Afganistani, sinjalizojnë dobësinë e kësaj të fundit.
Në rast se Rusia ushtron një presion të mjaftueshëm, Vladimir Putin shpreson se ai mund të arrijë një marrëveshje të re sigurie me NATO-n dhe Evropën, për të shmangur një konflikt të pafund, dhe më pas do të jetë radha e Amerikës që të largohet nga kontinenti evropian, duke marrë me vete trupat dhe raketat e saj.
Ukraina është edhe një objektivi i Rusisë, por njëherazi edhe një burim presioni kundër Shteteve të Bashkuara. Gjatë muajve të fundit, Putin e ka tërhequr administratën Biden në lojëra taktike të pafundme, që e vendosin SHBA-në në pozita mbrojtëse.
Rusia zhvendos forcat në kufijtë e Ukrainës, nis stërvitjet ushtarake dhe e forcon retorikën agresive brenda vendit. Në dokumentet e fundit zyrtare që ia ka paraqitur Uashingtonit, ajo kërkoi garanci të forta se Ukraina (dhe ish-republikat e tjera të BRSS) nuk do të bëhen kurrë anëtare të NATO-s, që NATO të tërhiqet nga pozicionet që ka marrë pas vitit 1997, dhe që Amerika të tërheqë forcat dhe armët e veta, përfshirë raketat bërthamore.
Përfaqësuesit rusë thonë se Moska “nuk ka nevojë për një paqe me çdo kusht” në Evropë. Madje disa politikanë rusë sugjerojnë mundësinë e një sulmi parandalues kundër objektivave të NATO-s, për t’u siguruar që Perëndimit ta dijë se kërkesat e Moskës janë serioze dhe se ato duhet të përmbushen.
Për javë të tëra, zyrtarët amerikanë janë përpjekur të kuptojnë kërkesat e Rusisë dhe komentet e saj kontradiktore, dhe të gjejnë një mënyrë për ta penguar Putinin të mos mësyjë në Ukrainë. Ndërkohë gjatë gjithë kohës, Putin dhe përfaqësuesit e tij i kanë forcuar deklaratat e tyre.
Zyrtarët e Kremlinit kanë sfiduar jo vetëm legjitimitetin e pozitës së SHBA-së në Evropë, por kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me bazat e Amerikës në Japoni dhe rolin e saj në rajonin e Azi-Paqësorit. Po ashtu, ata kanë thënë se mund të dërgojnë raketa hipersonike në Kubë dhe Venezuelë, për të ringjallur atë që rusët e quajnë “Kriza e Karaibeve”e viteve 1960.
Putin është një mjeshtër i shantazheve të tilla. Ai e prodhon një krizë në mënyrë të atillë që të mund t’i japë mundësinë të fitojë, pavarësisht se kë ka përballë. Kërcënimet dhe premtimet janë në thelb e njëjta gjë. Putin mund ta pushtojë përsëri Ukrainën, ose mund t’i lërë gjërat aty ku janë, dhe të konsolidojë kontrollin në territorin që kontrollon aktualisht në Krime dhe Donbas.
Ai mund të shkaktojë probleme në Japoni, dhe të dërgojë ose raketat hipersonike në Kubë dhe Venezuelë, ose të mos e bëjë këtë nëse gjërat në Evropë shkojnë siç duhet. Putin luan një lojë më të gjatë, strategjike, dhe disi të dominojë në përplasjet taktike.
Tani për tani, të gjitha shenjat tregojnë se Putin do ta tërheqë SHBA-në në një lojë taktike të pafundme, do të marrë më shumë territore nga Ukraina, dhe do të shfrytëzojë të gjitha fërkimet dhe përçarjet brenda NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Dalja nga kriza aktuale kërkon veprim, dhe jo reagim.
Shtetet e Bashkuara duhet të diktojnë përgjigjen diplomatike, dhe ta angazhohen me Rusinë sipas kushteve të Perëndimit, dhe jo vetëm të Moskës. Uashingtoni duhet t’i tregojnë Putinit se ai do të përballet me rezistencën globale, dhe se agresioni i tij do t’i rrezikojë marrëdhëniet politike dhe ekonomike të Rusisë përtej Evropës.
Formimi i një fronti të bashkuar me aleatët e saj evropianë dhe mbledhja e mbështetjes më të gjerë duhet të jetë loja më e gjatë e Amerikës. Përndryshe, kjo sagë mund të shënojë me të vërtetë fillimin e fundit të pranisë ushtarake të Amerikës në Evropë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al