Dy ditë pas vendosjes së tritolit në banesën e Armand Dukës në Durrës, policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes. Në njoftimin e bërë pubik sot (26 janar) policia thotë se autori i dyshuar i ngjarjes është shtetasi Arlen Hasanaj 34 vjeç, i cili akuzohet për dy vepra penale.
34-vjeçari akuzohet për “Shkatërrim të pronës me eksploziv” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore.
Njoftim i policise
Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, i shtetasit A. H., 34 vjeç, banues në lagjen nr.4, Durrës.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, nga veprimet e para hetimore, dyshohet se është autori i vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së shtetasit A. D., ngjarje e ndodhur në datën 24.01.2022.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.