Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delinda Ibrahimaj bëri me dije se drafti për legalizimin e kanabisit mjekësor do të jetë gati së shpejti. Synohet miratimi gjatë këtij sesioni parlamentar që mbyllet në muajin gusht. Këtë e bëri me dije në një konferencë me homologun e saj të Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. Ai tha se legalizimi i kanabisit atje nuk ka dhënë rezultatet që priteshin për shkak të legjislacionit dhe investimit të nevojshëm.
“Si ministër i Maqedonisë së Veriut kemi eksperiencën e duhur sa i përket legalizimit të kanabisit. Nuk ka dhënë rezultatet e duhura për shkak të ligjit që kemi për momentin, ku lejohet vetëm prodhimi e eksportimi i vajit të kanabisit.
Marrë parasysh që nuk e kemi teknologjinë e duhur por as tregun e duhur për momentin nga ana e investitorëve që janë duke bërë investime të tilla, pothuaj nuk ekziston eksporti.
Me siguri duhet të ndërhyhet në ligjet momentale që ekzistojnë në Maqedoninë e Veriut për ta lehtësuar tregtinë. Sa i përket eksperiencës sonë, jemi të gatshëm ta ndajmë me Shqipërinë, por për momentin në Maqedoninë e Veriut lejohet vetëm eksporti i vajit të kanabisit e jo i lules së kanabisit”.