Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka kritikuar zyrtarët shëndetësorë dhe ka urdhëruar ushtrinë të ndihmojë në shpërndarjen e ilaçeve, pasi vendi po përballet me një krizë për shkak të koronavirusit.
Më shumë se një milion njerëz janë sëmurë, ku sipas medias shtetërore, ka ardhur si pasojë e “etheve”. Rreth 50 persona kanë vdekur, por është e paqartë se sa prej atyre rasteve të dyshuara rezultuan pozitivë për Covid.
Koreja e Veriut ka kapacitet të kufizuar testimi, kështu që pak raste janë konfirmuar. Koreja e Veriut ka të ngjarë të jetë veçanërisht e ndjeshme ndaj virusit për shkak të mungesës së vaksinimeve dhe një sistemi të dobët të kujdesit shëndetësor. Një bllokim mbarëkombëtar është vendosur në vendin e izoluar.
Media shtetërore tha se Kim drejtoi një takim urgjent të Byrosë Politike në fundjavë, ku ai akuzoi zyrtarët për prishje të shpërndarjes së rezervave kombëtare të mjekësisë. Sipas BBC, ai urdhëroi që “forcat e fuqishme” të trupit mjekësor të ushtrisë të ndërhyjnë për të “stabilizuar menjëherë furnizimin me ilaçe në qytetin e Phenianit”.
Javën e kaluar u raportua për rastet e para me koronavirus, megjithëse ekspertët besojnë se virusi ka qarkulluar prej kohës. Menjëherë pas infektimeve, Kim vendosi kufizime në të gjithë vendin.
Komuniteti ndërkombëtar ofroi furnizimin e Koresë së Veriut me miliona vaksina AstraZeneca si dhe doza të prodhuara në Kinë vitin e kaluar, por Pheniani pretendoi se e kishte në kontroll koronavirusin duke mbyllur kufijtë e saj në fillim të janarit 2020.