Një vajzë vetë gjashtë vjeç është një tjetër viktimë e sulmeve ruse në Ukrainë, ndërsa një foshnje tre muajshe ka rënë në koma, raporton The Guardian.
Vitalii Kim, kreu i administratës ushtarake rajonale të Mykolaiv, tha se tre persona u vranë nga bombardimet gjatë natës në qytetin bregdetar jugor të Ochakov dhe gjashtë persona u plagosën.
Ky sulm ka ndërprerë totalisht energjinë dhe furnizimet me ujë e gaz.
Ai shtoi se “rreth 11 raketa” u qëlluan në Mykolaiv.
Kremlini të martën, më 28 qershor dyfishoi sulmet për të shkatërruar shtëpitë dhe bizneset e civilëve ukrainas, me një valë sulmesh me raketa ndaj qytetit port jugor të Mykolaiv.
Gjatë fundjavës së 25-26 qershorit, Rusia gjuajti me 48 deri në 60 raketa me rreze të gjatë veprimi në objektiva kryesisht civilë në të gjithë Ukrainën.
Të hënën, më 27 qershor, një raketë goditi një qendër tregtare të mbushur me njerëz në qytetin qendror Kremenchuk, duke shkatërruar ndërtesën dhe duke shkaktuar dhjetëra viktima.