Libor Kozak u rikthye në atdheun e tij pas një aventure të madhe te Lazio dhe sigurisht më fatkeqe tek Aston Villa. Nga viti 2010 deri më 2013 luajti me ekipin e parë bardhekaltër. Më pas dëshira për t’u larguar, për të provuar Premier League dhe futbollin anglez.
Kështu, në verën e vitit 2013 shprehu dëshirën e tij për t’u larguar nga Lazio: “Isha 24 vjeç dhe pas pesë vitesh në klub, duke kulmuar në pozicionin tim si golashënuesi më i mirë në ‘Europa League’, doja të shkoja dhe të provoja një tjetër eksperiencë.
Kishte shumë interes për mua, por që në fillim ndjeva sikur doja të shkoja tek Aston Villa. Lotito nuk bënte kurrë ulje për çmimin dhe nuk kishte frikë t’i flakte lojtarët jashtë ekipit. Më ka ndodhur edhe mua. Përgatitjen e verës e bëra me katër shokë në pritje të transferimit.
Për kartonin tim donin gjithnjë e më shumë para, madje 10 milionë euro. Kësisoji marrëveshja nuk u mbyll. Igli Tare më qetësoi, tha se përfundimisht do të uleshin me drejtuesit e Aston Villa për ta mbyllur marrëveshjen. Por asgjë nuk u bë, kështu që shkova i irrituar te drejtori sportiv.
U takuam në garazhin e qendrës së trajnimit. Mora frymë thellë dhe fillova ta shaj me gjithë fuqinë time. Nëse të takoj në rrugë dhe më kërkon ndihmë, do të të q*j, – i thashë Tares. Ende ndjej dhimbje për këtë qëndrim.
Pas pak, drejtori sportiv më kapi nga qafa dhe filloi të bërtiste. Ai tha se dikush si unë nuk duhet të sillej ashtu. Kishte njerëz të tjerë rreth nesh, por ata bënë sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Pas pesë minutash mbaroi gjithçka. Shkova në shtëpi dhe qava.
Kaluan disa orë dhe më telefonoi Igli Tare, i cili më tha që kalimi tek Aston Villa ishte kryer. Sharjet dhe zënkat nuk duhen pothuajse asnjëherë, por ndonjëherë duken e vetmja zgjidhje. Sidomos në Itali. Më pas lexova në gazetë se drejtori sportiv më uronte më të mirat për aventurën time të re dhe se isha një profesionist i madh”.