Ditë emocionuese në dy kampionatet më të forta të kontinentit. Në Premier League angleze dhe Seria A italiane kërkohen 90 minutat e fundit për të ulur siparin e një kampionati të gjatë dhe për të shpallur verdiktet finale.
Në elitën e futbollit angleze, Mançester Siti dhe Liverpool luajnë fatet e gjithë sezonit. Citizens janë një pikë mbi Liverpulin e Klopp dhe i duhet fitorja ndaj Aston Villas për të mos menduar për rezultatin e duelit mes Liverpool e Wolves.
Në rast të një barazimi të Cityt dhe fitores së Liverpool do ishin “The Reds” kampionët e Premier League, ndërsa me rezultate të tjera, pra me humbje të dy ekipeve, do ishte City në majën e futbollit anglez. Për t’u zgjidhur në këtë javë të fundit janë edhe dilemat për Kupat e Europës dhe mbijetesën, që diskutohet mes Leeds e Burnley.
Në Itali, Milan është i favorizuar kundrejt Interit për të marrë në duart titullin e “skudetos” së famshme. Kuqezinjtë numërojnë 2 pikë më shumë se rivalët e qytetit dhe ndaj Sassuolos i duhet edhe një barazim për t’u shpallur kampion.
Ndërkaq, me një humbje të Milanit dhe fitores së mundshme të zikaltërve me Sampdorian do ishte Inter ajo që do shpallej kampione e Serisë A dhe do ruante titullin e fituar sezonin e shkuar. Sa i përket mbijetesës, skuadra e fundit që bie do të jenë mes Salernitanës e Kaljarit, me skuadrën e mbrojtësit shqiptar Federik Veseli më të kuotuar për të qëndruar në elitë, pasi numëron 2 pikë më shumë se rivali.