Njerëzit që pinë rregullisht kafe ose çaj të nxehtë mund të kenë rrezik të shtuar të zhvillimit të kancerit të fytit pasi konsumimi i lëngjeve të nxehta mund të dëmtojë mukozën e ezofagut, sipas një studimi të fundit.
Studimi i botuar në revistën “Clinical Nutrition” shqyrtoi të dhënat gjenetike nga më shumë se 580,000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar dhe Finlandë. Studiuesit nga Universiteti i Kembrixhit i krahasuan pjesëmarrësit jo sipas nivelit të raportuar të konsumimit të kafesë, por sipas faktit nëse ata kishin variante gjenetike që i predispozonin për rritje ose ulje të konsumit të kafesë ose çajit.
Studiuesit e kryen analizën në këtë mënyrë për të llogaritur variablat që mund të kenë anuar rezultatet e kërkimeve të kaluara, për shembull, ata që pinë kafe gjithashtu priren të konsumojnë më shumë alkool sesa ata që nuk pinë kafe, gjë që mund të shpjegojë një rrezik në rritje për kancer.
Gjenet që lidhen me konsumimin e kafesë dhe çajit, megjithatë, nuk lidhen me pirjen e alkoolit.
Studimi zbuloi se njerëzit me një rezultat gjenetik të lidhur, me një rritje prej 50 për qind të konsumit të kafesë ishin 2.8 herë më të rrezikuar nga kanceri i ezofagut sesa ata që nuk pinë. Ndërkohë, pjesëmarrësit që thanë se preferonin kafenë e tyre “të nxehtë” kishin një rritje të rrezikut 5.5 herë, ata që e shijonin atë “shumë të nxehtë” kishin një rritje të rrezikut 4,1 herë dhe ata që pinin kafe “të ngrohtë” përjetuan një rritje 2,7 herë në zhvillimin e kancerit në ezofag.
Më e rëndësishmja, gjetjet e studimit tregojnë se konsumimi i kafesë dhe çajit nuk e rrit rrezikun e ndonjë lloji tjetër të kancerit. Studiuesit thonë se një shpjegim i mundshëm për rritjen e rrezikut të kancerit të fytit është dëmtimi fizik i sistemit tretës të trupit nga lëngu i nxehtë, dhe jo nga ndonjë efekt që shkakton kancer direkt nga kafeja ose kafeina.
“Ndërsa një lidhje me çdo lloj kanceri është e padëshirueshme, studimi ynë në përgjithësi ofron lajme të mira për ata që pinë kafe, pasi nuk kishte prova që mbështesin një efekt shkakor të konsumit të kafesë në ndonjë lloj kanceri të madh”, tha Stephen Burgess, autori i studimit.
Kanceri i ezofagut është një lloj i rrallë kanceri, që përbën vetëm rreth 1 për qind të rasteve të kancerit në SHBA, megjithëse shkalla e përgjithshme e mbijetesës për këtë lloj kanceri është rreth 20 për qind.
Studimet e mëparshme mbi të mirat dhe të këqijat e pirjes së kafesë kanë qenë të përziera. Hulumtimet e fundit kanë treguar se konsumimi i moderuar i kafesë lidhet me një jetëgjatësi më të lartë, ndërsa studime të tjera e kanë lidhur konsumin me shanse më të ulëta të zhvillimit të diabetit të tipit 3, depresionit dhe sëmundjeve të tjera.