Pak ditë më parë, gazetari Artan Hoxha bëri një deklaratë të fortë në studion e “Opinion” kur lidhi emrin e presidentit Meta me dëshminë e Nuredin Dumanit që kishte dëgjuar për përfshirjen e tij në një porosi për vrasje. Bëhet fjalë për ekzekutimin e vëllait të ish-deputetit të Partisë Socialiste Arben Ndoka në dhjetorin e vitit 2017. Deklarata e Hoxhës u përgënjeshtrua me një njoftim zyrtar nga SPAK, të cilët theksuan se deklarata e gazetarit nuk është e vërtetë dhe për asnjë çast i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani nuk e ka përmendur emrin e Presidentit Ilir Meta në rrëfimet e tij për disa ngjarje kriminale. Duket se deklarata e Hoxhës, ka sjellë një debat të ashpër publik.
Gjokutaj: Artan Hoxha iu shërben njerëzve të kriminalizuar
Duket se deklarata e Hoxhës, nuk i ka pëlqyer aspak edhe një personazhi tjetër publik nga fusha e drejtësisë. Avokati Genc Gjokutaj reagoi ashpër mbi këto deklarata dhe ka bërë një akuzë të fortë kundrejt gazetarit, duke thënë se Hoxha po i shërben njerëzve të kriminalizuar, ku sipas tij gazetari me “skenarët” e tij po godet figurën e Presidentit . Ai i bëri thirrje Blendi Fevziut të mos e ftojë më gazetarin në studion e tij, sepse ai ka abuzuar me statusin, lirinë e fjalës, statusin fisnik që ka gazetari. “Një gazetar në një studio, të sajojë një skenar kaq të rëndë duke goditur figurën e presidentit, është shërbim i bërë ndaj njerëzve të cilët janë të kriminalizuar. Të referohesh në një deklaratë të paqenë, i bëj thirrje jo vetëm Fevziut po gjithë gazetarëve që ai mos të thirret më në studio televizive. Artan Hoxha abuzoi me statusin, lirinë e fjalës, statusin fisnik që ka gazetari”, tha Gjokutaj.
Hoxha i përgjigjet Gjokutajt: Më sulmojnë tipa të droguar dhe të alkoolizuar
Pasi u sulmua ashpër nga Gjokutaj, duke u cilësuar si një personazh që iu shërben njerëzve të kriminalizuar, Artan Hoxha iu përgjigj në mënyrë indirekte avokatit, ku sipas tij kemi një personazh i cili është futur qëllimisht nga politika për ta sulmuar atë. I ftuar në një emision televiziv, Hoxha tha se atë po e sulmonin tipa të droguar dhe të pirë, bashkëpunëtorë të kriminelëve që deri dje kanë mbrojtur krimin. “Kur duan të të japin ndonjë mesazh, këta të politikës nuk të marrin vetë në telefon, por nxjerrin njerëz nëpër studio dhe të sulmojnë. Dalin tipa të droguar dhe të pirë, bashkëpunëtorë të kriminelëve që deri dje kanë mbrojtur krimin dhe të sulmojnë nëpër studio”, tha gazetari. Gjithashtu ai e thumboi ish-prokurorin, duke i thënë se ka prishur provat e 21 janarit, duke qenë se ai ka marrë në mbrojtje Gjoktuaj ka qenë edhe avokati mbrojtës i ish-kreut të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe gardistit Agim Llupo. I pari i akuzuar si urdhëruesi dhe i dyti si zbatues i urdhrit të vrasjes së 4 protestuesve të opozitës në 21 janar të 2011-ës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Po ashtu ai tha se këtë të ftuarve duhet që të iu bëhet testi i alkoolit para se të futen në studio. “Kanë qenë prokurorë deri dje dhe kanë prishur provat e 21 Janarit e tani dalin na bëjnë moral. Këtyre njerëzve duhet t’u bëjmë testin e alkoolit para se t’i fusim nëpër studio. Flasin për mua këta që deri më sot, pijën më të fortë që kam provuar është dhalli”, tha gazetari investigativ Artan Hoxha.
Gjokutaj ka qenë prokuror dhe avokati i Ministrave të Berishës
Genc Gjokutaj, i njohur si prokurori i çështjes së Fatos Nanos në vitin 1993, për të cilën Nano bëri 5 vite burg. Gjokutaj njihet si avokati i klientëve VIP, pasi ka marrë në mbrojtje disa prej dosjeve më të nxehta të drejtësisë shqiptare. Në skedën e të mbrojturve nga ai janë politikanë, ish-ministra të qeverisë Berisha, si Lulzim Basha, i cili u akuzua për abuzime me fondet publike, por çështja u mbyll për tejkalim afatesh. Ai ka mbrojtur nga akuzat për korrupsion ish-ministrin e Punës në qeverinë “Berisha”, Spiro Ksera si dhe kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziu.