Të shtunën e 13 shkurtit, me ndeshjet e javës së 19-të, është planifikuar për të nisur kampionati i Ipko Superligës së Kosovës
KOSOVE – Futbolli në Kosovë, pas pushimeve dimërore, ka nisur me ndeshjet 1/8 finale për Kupën e Kosovës, ku nuk kanë munguar eliminimet e bujshme. Nënkampionët e Gjilanit janë befasuar nga skuadra e Istogut, e cila fitoi 2-0 me gola të realizuar në fillim të pjesë së dytë.
Ndërkohë, skuadra e Feronikelit, që drejtohet nga Klodian Duro, edhe pse me vështirësi, ia arriti të kualifikohet “in extremis”, pasi fitoi 1-0 ndaj Arbërisë në një ndeshje mjaft të luftuar.
Në çerekfinale do të jenë edhe Trepça ’89 që fitoi 4-0 ndaj Ferizajt dhe skuadra inferiore A&N që mundi 1-0 skuadrën kryeqytetase të Flamurtarit. Çerekfinalet e Kupës së Kosovës do të plotësohen me fituesen e çiftit Dukagjini-2 Korriku, ndeshje që do të luhet nesër.
Ndërkohë, dje, skuadra e Prishtinës, fituese e Superkupës së Kosovës pak ditë më parë në Antalia të Turisë, ka eliminuar skuadrën e Dritës së Gjilanit, të cilët janë edhe kampionët në fuqi të Kosovës. Skuadra kryeqytetase fitoi 1-0 në kohën shtesë.
Gjithashtu, edhe në ndeshjen Llapi-Ballkani nuk mjaftuan 90 minutat për të përcaktuar skuadrën fituese. Në shtesë, Llapi fitoi 1-0. Edhe Drenica është kualifikuar për në çerekfinale, pasi fitoi 4-0 ndaj Ulpijanës.