Paulo Dybala i mungon shumë Juves, i ka munguar thuajse gjatë gjithë këtij sezoni, duke bërë që edhe rinovimi i kontratës të mbetet pezull. Të dy palët vijojnë të marrin më shumë kohë, “Zonja e Vjetër” pret që ai të rikthehet dhe të tregojë se sa vlen, ndërsa nuk kanë ndërmend të lëvizin nga oferta e tyre e fundit e cila me sa duket nuk kënaq plotësisht egon e argjentinasit. Këto vonesa në rinovimin e kontratës kanë filluar të trembin jo pak drejtuesit e Juves, Dybala i përfundon kontrata në qershor 2022 dhe ky është viti i duhur për të vendosur përfundimisht, të rinovojë ose të largohet, pasi në të kundërt rrezikojnë shumë ta humbasin falas.
Nga kapiteni i së ardhmes, kështu e quante presidenti Agnelli pak kohë më parë, tek deklarata e Nedved që nuk e hiqte nga merkato, situata brenda pak kohësh ka ndryshuar shumë. Dybala ka humbur jo pak nga admiruesit e tij, Barcelona, PSG, e Tottenham, ekipi që prej kohësh e kanë ndjekur duket se janë tërhequr, edhe ata janë skeptikë mbi formën e tij. Si për Juven ashtu edhe për Dybala është e rëndësishme që sulmuesi të rikthehet sa më shpejt në fushë, në mënyrë që të vendosin më pas se çfarë do të vendosin për të ardhmen.