Në mëngjes në ambjentet e Milanit u zhvillua një takim ndërmjet agjentit të Franck Kessie-s dhe menaxhmentit të klubit. Në tryezë është folur në lidhje me rinovimin e kontratës së mesfushorit që skadon në vitin 2022. Futbollisti përfiton 2.2 milionë euro në sezon, ndërsa agjenti i lojtarit kërkon dyfishin, pikërisht 4.5 milion.
Kuqezinjtë për momentin nuk janë të gatshëm të japin një pagë të tillë, pasi shkojnë deri në 3.5-4 milion. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë ka zhvilluar 27 paraqitje me 9 gola dhe 4 asist. Lojtari është i pazëvendësueshëm në skemat e trajnerit Stefano Pioli dhe shumë klube në Angli kanë filluar të interesohen për lojtarin.
Klubi nuk dëshiron të humbasë shërbimet e lojtarit, sidoqoftë kuqezinjtë mbeten optimist dhe shpresojnë të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur. Ndërkohë një situatë e tillë ka frikësuar klubin, pasi është edhe portieri Donnaruma që nuk ka firmosur ende kontratën e re.