Brenda aleancës nuk ka një konsensus në favor të anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Ajo që vendet më të vendosura perëndimore mund të bëjnë, është të sigurojnë mbështetje me informacione inteligjente dhe ndihmë ushtarake për Ukrainën, përfshirë armët dhe ndërtimin e aftësive mbrojtëse.
Elisabeth Braw, anëtare e përhershme në think-tankun “American Enterprise Institute”:
Nëse ju do të ishit në vendin e president ukrainas Volodymyr Zelenskiy, aktualisht përgjigja duket të jetë më se e qartë:po, duhet. Por pyetja e vërtetë është nëse ky akt ka kuptim për NATO-n. Duke e pranuar Ukrainën në gjirin e saj, aleanca do të fitonte qartë një anëtar entuziast.
Njëkohësisht, do të fitonte një konflikt që është kryesisht i ngrirë, por që ndizet herë pas here. Duke pasur parasysh faktin që vetëm shtetet që nuk janë të përfshira në konflikte territoriale me fqinjët e tyre, lejohen të anëtarësohen në NATO, Rusia mund ta pengojë pranimin e Ukrainës, duke e mbajtur këtë vend të zhytur në këtë konflikt.
Kjo ngre pyetjen nëse NATO do të marrë apo jo një vendim të guximshëm, duke e anëtarësuar gjithsesi Ukrainën. Ky do të ishte një gjest i bukur, por gjithashtu më pak i dobishëm se sa duket. Sigurisht, Ukraina do të ishte brenda aleancës, por kjo do t’i jepte Rusisë një justifikim për të vepruar në mënyrë edhe më agresive.
Nga ana tjetër, NATO do të ishte tërësisht e përkushtuar ndaj këtij konflikti. De kjo gjë nuk do t’i shërbente për mirë aleancës. Paqartësia strategjike, është një veprim shumë më i mirë. Rusia nuk mund ta dijë se si mund t’i përgjigjet NATO agresionit ndaj Ukrainës, kështu që Moska duhet të ketë një përgjigje të ashpër. Mos harroni:në strategjinë e parandalimit, faktorët vendimtarë janë frika dhe befasia.
Alexander Graef, studiues në Institutin për Kërkimin e Paqes dhe Politikën e Sigurisë në Universitetin e Hamburgut:
Ukraina duhet të ketë perspektivën për t’u anëtarësuar në NATO në një moment tjetër në të ardhmen. Sidoqoftë, miratimi i një Plani të Veprimit të Anëtarësimit (MAP) – hapi i parë
drejt pranimit – është strategjia e gabuar në një kohë të gabuar.
Anëtarësimi nuk duhet të keqpërdoret për të demonstruar solidaritet politik me Ukrainën. Detyra e tij kryesore është të forcojë mbrojtjen dhe sigurinë. Zgjerimi i NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore ishte i suksesshëm në stabilizimin e rajonit, por sot situata e brendshme dhe ajo gjeopolitike në lidhje me Ukrainën është e ndryshme.
Një projekt për anëtarësimin e Ukrainës, nuk do të ndihmonte në përfundimin e luftës në rajonin lindor të Donbasit, por do ta inkurajonte Rusinë ta përshkallëzonte konfliktin, dhe
ta vendoste Kievin para faktit të kryer.
Edhe nëse NATO bie dakord për një MAP, garancitë e mbrojtjes kolektive të parashikuara në nenin 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, do të zbatoheshin për Ukrainën vetëm pasi ajo të bëhej zyrtarisht një anëtare e NATO-s.
Në të kaluarën, kandidatëve i janë dashur disa vite për të kaluar nga MAP tek anëtarësimi. Në rastin e Ukrainës, pengesat për anëtarësim janë edhe më të mëdha, veçanërisht për shkak se një pjesë e territorit të vendit mbetet e pushtuar nga Rusia.
Për këto arsye, një MAP nuk do ta frenonte Moskën nga ndërmarrja e veprimeve ushtarake apo të ndihmojë në arritjen një kompromisi. Në vend të kësaj, NATO duhet të vazhdojë të bashkëpunojë me Ukrainën si një partner i mundësive të zgjeruara.
Kate Hansen Bundt, sekretare e përgjithshme e Komitetit Norvegjez të Atlantikut:
Aktiviteti i shtuar ushtarak i Rusisë rreth rajonit lindor të Ukrainës Donbas, nuk e bëjnë të lehtë dhënien e një përgjigje përfundimtare për këtë pyetje. Si një shtet sovran, Ukraina ka të drejtë të anëtarësohet në çfarëdolloj aleance që dëshiron.
Synimi i Kievit është anëtarësimi në NATO, dhe kjo u përsërit nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy në 6 prill, kur ai i kërkoi organizatës të përshpejtojë pranimin e vendit të tij. Por kjo nuk do të ndodhë. Së pari, konflikti i vazhdueshëm me Rusinë, dhe pastaj mangësitë politike, ekonomike dhe ushtarake e bëjnë të papranueshme Ukrainën sipas kritereve të NATO-s.
Së dyti, anëtarësimi në NATO është gjithashtu një çështje e aftësisë së aleancës për të garantuar sigurinë e anëtarëve të saj. Aftësia dhe vullneti i NATO-s për ta mbrojtur Ukrainën – apo edhe për të evokuar garancinë e mbrojtjes së ndërsjellë të Nenit 5 -sot nuk janë realiste.
Çështja e fundit është nëse një anëtarësim i tillë do ta përmirësonte sigurinë e përgjithshme të aleancës, apo përkundrazi do të shtonte tensionet me Rusinë, dhe në fund do të çonte në luftë kundër saj. Në Memorandumin e Budapestit të vitit 1994 , Rusia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara garantuan integritetin territorial të Ukrainës në këmbim të dorëzimit të arsenalit të saj bërthamor.
Shtetet e Bashkuara e siguruan Ukrainën se do të përgjigjeshin në rastin e shkeljes së marrëveshjes. Uashingtoni duhet të vazhdojë të kërkojë që Moska t`i japë fund agresionit të saj kundër Ukrainës, por nga ana tjetër të mos bëjë premtime që ende nuk mund t’i mbajë.
John Lough, anëtar i programit të Rusisë dhe Euroazisë në think-tankun britanik “Chatham House”:
Kjo është një pyetje e gabuar. Nëse NATO do ta fuste me shpejtësi Ukrainën në aleancë, ajo mund ta mbronte këtë vend vetëm duke e zgjeruar “ombrellën”e saj bërthamore, me rrezikun që Rusia ta quante këtë një blof të NATO-s, duke u sjellë në një mënyrë të tillë që të tregonte se aleanca është një “tigër prej letre”.
Një konsensus i 30 vendeve të NATO-s për ndjekjen e kësaj rruge, është gati i pa konceptueshëm. Në vend se të debatojmë për këtë skenar, ne duhet të pyesim se çfarë mund të bëhet realisht tani për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës dhe për të parandaluar ndërhyrjen e shtuar të Rusisë në punët e këtij vendi.
Shtëpia e Bardhë ndërmori një hap të rëndësishëm më 12 prill, duke njoftuar synimin e saj për të mbajtur një samit të nivelit të lartë SHBA-Rusi. Mobilizimi i fundit ushtarak i Moskës në Ukrainë është projektuar mbi të gjitha, për t’i treguar Uashingtonit se Rusia është fuqia kryesore ushtarake në kontinentin Evropian, dhe se Uashingtoni duhet që të negociojë me të.
Në këtë kuadër, Moska e ka arritur qëllimin e saj të menjëhershëm, dhe një përballje e re ushtarake me Ukrainën në rajonin e saj lindor Donbas me përfshirjen e drejtpërdrejtë ushtarake ruse, ashtu si në vitet 2014-2015, duket shumë më pak e mundshme.
Tani për tani, është e rëndësishme që anëtarët evropianë të NATO-s, të nënvizojnë angazhimin e tyre për të mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, teksa i bëjnë presion Kievit për të përshpejtuar reformat që do ta forconin më tej kohezionin e brendshëm të Ukrainës.