Kanë mbërritur në Aeroportin Nënë Tereza 20 mijë doza të vaksinës Astrazeneca, dhuratë e qeverisë së Greqisë për Shqipërinë. Vaksinat u pritën në aeroport nga zv/ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini dhe ambasadorja e Greqisë Sofia Philippidou.
Duke i shprehur mirënjohjen Greqisë për mbështetjen, qeveria shqiptare shpreh angazhimin për të vijuar pa u ndalur me planin e vaksinimit për mbrojtjen e jetës së çdo qytetari.
Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 956,250 doza të vaksinës antiCovid dhe janë kryer në total 836,430 doza, prej tyre 332,173 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës ndaj COVID19.
“20,000 doza të vaksinës AstraZeneca kanë mbërritur në Aeroportin “Nënë Tereza”, falë ndihmës së Greqisë për Shqipërinë. Mirënjohje qeverisë së Republikës së Greqisë për mbështetjen. Solidariteti na bën më të fortë. Do të vijojmë pa u ndalur me planin kombëtar të vaksinimit, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të çdo qytetari”, shkruan Manastirliu.