Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimin për incidentin e zhvilluar ditën e djeshme gjatë operacionit të koduar “Xhamlliku”, ku efektivët ndaluan dhe shtrinë në tokë gazetarin Ergys Gjençaj. Këtë mëngjes në prokurori është thirrur gazetari Ergys Gjençaj, të cilit i janë deklarimet në lidhje me ngjarjen.
Sapo ka mbaruar deklaratën e tij, gazetari Gjençaj ka dhënë një deklaratë të shkurtër për mediat duke u shprehur se bashkë me dëshminë kishte dorëzuar dhe dy videot e regjistruara me telefonin e tij.
“U thirra nga ana e Prokurorisë për të dhënë dëshminë time përsa i përket ngjarjes së djeshme. Unë e kreva detyrën time, dhashë dëshminë time, duke treguar gjithë dinamikën e ngjarjes. Po ashtu dhashë edhe di videot e regjistruara nga aparati im celular dhe nuk më mbetet gjë tjetër veçse të apeloj që institucionet e drejtësisë të hedhin dritë mbi ngjarjen dhe të vendosin drejtësi,”- u shpreh në prononcimin e tij gazetari Gjençaj.
Ndërkohë, pas tij, Prokuroria do marrë në pyetje edhe 5 efektivët e policisë që u përfshinë në këtë incident, ndaj të cilëve ka nisur një hetim edhe nga Shërbimi i Çështjebve të Brendshme dhe Ankesave, por deri më tani ndaj tyre nuk është marrë asnjë masë disiplinore.