Emri im është Ghizaal Haress. Jam nga Kabuli. Jam 40 vjeç dhe jam avokate.”
Ghizaal Haress është një grua e shoqërisë afgane që gjatë jetës së saj i ka ikur 2 herë regjimit talebanez. Kështu i kujton ajo ditët përpara se të hipte në avionin e evakuimit afro dy javë më parë.
“Ishte shumë interesante dhe tragjike po ashtu sepse gjërat ndodhën shumë shpejt. Ishte e vështirë të kuptoje çfarë po ndodhte apo të ruaje sensin e kohës. Mbaj mend në 12 Gusht po flisnim se si po avanconin talebanët drejt Kabulit. Dhe po mendonim për alternativa, ç’duhet të bëjmë në rast se avancojnë më shumë. Më 15 Gusht ata hynë në Kabul..
Profili i saj publik, i një gruaje që ishte shkolluar në perëndim dhe kishte mbajtur pozicione të larta qeveritare vuri në rrezik jetën e saj dhe të familjes.
“Gjëja e parë që bëra për shkak të profilit tim, punës në qeveri dhe me fondacionin ‘Shoqëria e Hapur’ ishte të largohesha nga shtëpia bashkë me familjen dhe kolegët, drejt një vendi të sigurt. Për rreth një javë kam qëndruar e fshehtë. Fondacioni ku punoj arriti të na largojë prej aty. Shkuam në Abu Dhabi për 1 javë dhe më pas erdhëm në Shqipëri.”
A e prisje që pas 20 vjetësh talebanët do të merrnin në dorë pushtetin kaq shpejt dhe kaq thjeshtë?
“Aspak. Kur ndodhi e patëm të vështirë ta besonim. Unë isha refugjate në vitin 1992 kur isha vetëm 12 vjeç. U largova nga Afganistani në të njëjtën mënyrë. Kur u kthyem në vitin 2002 gjërat kishin ndryshuar. Kishim Kushtetutë, qeveri të re, Parlament dhe President të zgjedhur. Gratë mund të shijonin të drejtat e tyre, mund të shkonin në shkollë ose të punonin. Unë isha një nga ato që shkova në universitet pasi talebanët humbën. Fitova edhe një bursë që të kryeja studimet për Master jashtë vendit. Ishin ndryshime thelbësore ato mes regjimit të talebanëve në vitet ‘90 dhe atë të qeverisë pas 2001. Që t’i humbnin të gjitha këto të drejta brenda natës ishte e paimagjinueshme. Megjithatë ndryshimet filluan kur amerikanët nënshkruan marrëveshjen e paqes me talebanët duke përjashtuar qeverinë afgane. Kjo i dha shumë fuqi atyre në nivel ndërkombëtar.”
Ghizaal ndjek çdo ditë zhvillimet nga vendi saj. Ajo shprehet se lajmet që dëgjojnë nga mediat këto ditë janë dëshpëruese dhe një tregues i qartë që Afganistani po kthehet pas në kohë të errëta. Rritja e çmimeve të ushqimeve, kartave rimbushëse të telefonit, dyqanet e mbyllura dhe pamja e grave janë vetëm disa nga ndryshimet që sollën talebanët.
“Kishte ndryshuar edhe pamja e grave. Zor se shihje gra në rrugë, por ato që dilnin ishin të shoqëruara nga meshkuj. Edhe pamja e talebanëve në rrugë, u lexohej në sy urrejtja për atë vend, për njerëzit dhe progresin që kishim bërë gjithë ato vite. Të ngjallte frikën. Ata erdhën 3 herë në shtëpinë time për të më kërkuar mua.”
Ghizaal tregon se raportimet nga media kanë ndryshuar shumë ditët e fundit. Përsa i përket qeverisë për të cilën po punojnë talebanët, ajo mendon se do të jetë një kthim 20 vite pas, pasi bota e braktisi Afganistanin.
“Qeverisja e talebanëve është e parashikueshme nga 3 gjëra: së pari kemi eksperiencën e regjimit të mëparshëm. Së dyti, ata kanë luftuar me qeverinë dhe kanë një Kushtetutë. Duke pasur parasysh këto kupton që nuk do kenë qeveri të zgjedhur. Ata përherë kanë pasur një lider suprem, dhe lideri suprem ka të gjithë pushtetin në dorë. Ne nuk do të kemi më një parlament të zgjedhur, apo sistem gjyqësor”.
Kur u largua për herë të parë nga Afganistani, në vitin 1992, Ghizaal kujton që shqetësohej për gjëra fëmijësh, si lojërat me shoqet apo librat që kishte lënë pas.
“Kësaj here është ndryshe. Si adult ti kupton që ke lënë pas gjithë jetën tënde. Dhe për prindërit e mi është akoma më tragjike sepse ata po e përjetojnë këtë për herë të dytë në 30 vjet”.
Dëshira për t’u kthyer sërish në Afganistan është e madhe, por Ghizaal nuk ka asnjë shpresë që gjërat do të kthehen si më parë.
“E vetmja gjë e sigurtë për të ardhmen time është pasiguria që kam për të. Megjithatë shpresoj të jetë një e ardhme ku nuk do më duhet të merakosem për jetën time apo të afërmve të mi./ tvklan