Nuk kanë përtuar të japin shpjegime të gjata në media Angela Martini dhe bashkëshorti i saj rumun Dragos Savulescu, për gjithçka çfarë u ka ndodhur kohët e fundit.
Gjatë një interviste që çifti dha për median greke “Protothema” disa ditë më parë, biznesmeni rumun tregoi se është rikthyer së bashku me ishMissin në Itali. Ai e konsideroi një veprim të paligjshëm kërkesën e Rumanisë, duke e lidhur atë me kohën e Çausheskut.
Dragos theksoi faktin se do të ngrejë padi kundër Rumanisë, sepse do ta çojë çështjen deri te Gjykata e të Drejtave të Njeriut. Kërkesa rumune u lëshua fillimisht nga Gjykata e Apelit në Bukuresht në vitin 2019 dhe u ekzekutua në Itali në janar 2020.
Në thelb, ata u përpoqën të më arrestonin për herë të dytë pa asnjë autorizim pasi urdhri u refuzua nga Gjykata e Apelit të Napolit , Itali”, tha Savulescu.
Edhe modelja shqiptare Angela Martini ka rrëfyer për herë të parë të gjithë ngjarjen që i ndodhi me bashkëshortin e saj, në rrjete sociale, natyrisht versionin e saj të së vërtetës.
“Situata që sapo kaluam ka vetëm një shpjegim; Në mënyrë të paligjshme, autoritetet rumune, edhe pse u njoftuan zyrtarisht nga qershori nga autoritetet italiane se dënimi i burrit tim është aktualisht në ekzekutim në Itali, ata nuk e morën parasysh një situatë të tillë ligjore dhe, pavarësisht nga Garancia Evropiane e lëshuar në shkurt 2019, e cila e ka ekzekutuar në Itali në vitin 2020.
Kjo do të thotë që Rumania nuk dëshiron të njohë dënimin e drejtësisë italiane. Me fjalë të tjera, një vend ish-komunist plot abuzime në drejtësinë e tyre dhe me një drejtësi kaq deficitare, ka guximin të mos njohë një dënim ligjor nga Italia vetëm sepse nuk i pëlqen dhe është kundër interesit të tyre abuziv”, shprehet Martini.
Tani bashkëshorti i Angela Martinit, me suportin e plotë të saj, ka marrë revanshin dhe është kthyer nga i akuzuar në akuzues. Por le të bëjmë një analizë dhe të bëjmë bashkë disa fakte dhe detaje që kanë të bëjnë me pasurinë, atë për të cilën akuzohet Dragos Savulescu në vendin e tij.
Savulescu u shpall në kërkim rreth dy vite më parë, pasi akuzohej për përfshirje në një grup kriminal (30 anëtarë), i cili përllogaritet ta ketë dëmtuar shtetin rumun me 114 milionë euro, për sa u përket disa pronave në Constatta dhe Mamaia. Ai ka pohuar se e gjitha kjo, është një gjueti shtrigash dhe ka një prapavijë politike.
“Ne po flasim për një çështje civile që u shndërrua në mënyrë abuzive në një krim nga prokurorët rumunë për arsye të forta politike, për shkak të një kryetari të mirënjohur, i cili është i përfshirë në këtë çështje. I ashtuquajturi krim ndodhi 19 vjet më parë. Në vitin 2002, kur isha 28 vjeç. Akuza ishte për bashkëpunim në shpërdorimin e pushtetit, jo për pastrim parash ose krime të tjera. Ishte një rast risigurimi për parcelat e tokës që ishin vjedhur nga regjimi komunist rumun në të kaluarën”,-u shpreh Savulescu. “Kam fituar ligjërisht disa prona të paluajtshme, por ata e konsideruan atë të paligjshme dhe dënuan 36 persona për shkak të saj. Kjo çështje duhet të trajtohet në një çështje civile, jo në një çështje penale. Fatkeqësisht, pavarësisht nga arsyet politike prapa çështjes, ka aspekte negative të sistemit ligjor të Rumanisë”.
Pas kësaj ai tha se ka frikë të kthehet në Rumani, sepse mund ta arrestojnë pa asnjë problem: “Duke pasur parasysh rrethanat, nëse kthehem, ata mund të shpikin një rast tjetër dhe të vazhdojnë në një arrestim tjetër të paligjshëm. Fatkeqësisht, kjo ka ndodhur me shumë njerëz të tjerë. Dhe pastaj, nuk ka rrugëdalje. Në këto rrethana, nuk do ta konsideroj kthimin në Rumani. Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Kujtojmë se Gjykata e ka dënuar bashkëshortin e Martinit me 5,5 vite burg.
SI U BË SUPER MILIONER BASHKËSHORTI I ANGELA MARTINIT
46-vjeçari ishte aksioner i klubit ‘Dinamo’, por njihet më shumë si aktor, edhe pse kurrë nuk ka qenë i tillë. Savulescu ishte i dashuri i aktores rumune Mdlina Ghenea, para se të martohej me ish-miss Shqipërinë, Angela Martinin. Dragos Savulescu fitoi para nga transaksionet e pasurive të paluajtshme.
“Unë fitoja 70-80% nga pasuritë e paluajtshme. Unë isha djali i vetëm që shkoja në shkollë me makinë. E mbushja atë me vajza!”. Po si i mori 50 milionë euro nga bashkia?
Në vitin 2015, Geta Savulescu, nëna e Drago’ Savulescu, kërkoi në gjykatë kompensimin e tokës “Verdi Park” duke marrë dëmshpërblim shumën prej 660 mijë eurosh sepse i ishte hequr e drejta e përdorimit që në vitin 2011. Në qershor të 2018 filluan negociatat për shitjen e tokës dhe shuma, të cilën e ‘vlerësoi’ bashkia e qytetit, ishte rreth 50 milionë euro.
Sipërfaqja totale e tokës ishte 46.088 metra katrorë. Por pikërisht këtu nis problemi. Savulescu pretendonin se ishin agjentë të trashëgimtarëve të disa tokave dhe i kërkonin Bashkisë së Konstancës që të merrte në pronësi. Më pas, ata i shitën të drejtat e trashëgimisë te të tjerë, por me çmime më të ulëta.
Sot, pasuria e Drago’ Savulescu vlerësohet prej 13 milionë eurosh, një shifër kjo shumë e ulët për stilin e jetës që bën. Të paktën që nga koha kur është martuar me modelen shqiptare Angela Martini rreth katër vite më parë, që ka qenë në qendër të vemendjes për stilin e jetës, ato para duhej të ishin mbaruar tashmë.
Kjo, sepse bashkëshorti i Angelës bën shpenzime marramendëse. Që nga ditëlindjet ku arriti të prenotojë të gjithë Venezian me festa dhe çmendurira që duan me të vërtetë miliona euro për t’u realizuar, pushime si ato në Mikonos ku njerëzit u shokuan nga shpenzimet ekstravgante të çifiti, paçka se aty shkojnë vetëm të pasur.
Dhe më interesantja është se këtë stil jete, bashkëshorti i Angela Martinit e ka bërë gjithmonë. Mjafton të kujtojmë disa detaje nga martesa e tij e parë me një dentiste rumune, me të cilën ka edhe një vajzë.
Dragos dhe Rodica ishin çifti që bënë bujë në Rumani për dasmën e tyre luksoze në vitin 2005, që u përfol se kushtoi plot 500,000 euro. Ceremonia u mbajt në sallën e Muzeut Kombëtar të Artit dhe Rodica Ghionea i la të gjithë pa fjalë me fustanin e saj Versace të mbushur me kristale Svarowski, që kushtoi 10,000 euro.
“Fuqia jonë si çift është se ne e dimë që DASHURIA është superfuqia më e madhe”, u shpreh Angela Martini, ndërkohë që nga të gjitha ngjarjet që shohim, të mira ose të këqija, duket se fuqia e tyre e vërtetë, është paraja, e cila shpenzohet me thasë.
GRUAJA IME NUK FLINTE DHE AS HANTE, DRAGOS I KËRKON DËMSHPËRBLIM SHTETIT TË TIJ
“Përveç faktit që kam humbur para dhe kohë, kam vuajtur shumë nga sulmet që vijnë nga media, të cilat bazoheshin në lajme të rreme. Unë pësova dëmtime psikologjike, gruaja ime as nuk mund të flinte dhe të hante. Shëndeti ynë, imazhi ynë, jeta jonë e biznesit u prek. Ne duhet t’i kërkojmë qeverisë rumune të paguajë për këtë dëm serioz dhe mendoj se kemi shumë arsye legjitime për ta pretenduar këtë. Gjithçka është aq e qartë, sa kam mbledhur prova të tjera ndër vite”, u shpreh ai.