Epidemiologu Fabian Cenko, nga Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të mirë”, ishte i ftuar mëngjesin e së martës në Dita Jonë nga ku komentoi studimin e fundit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Sipas përfundimeve të studimit, i cili është kryer në grupmoshën nga 20 deri në 75 vjeç, 73,3% e popullsisë janë të imunizuar.
Cenko theksoi se 25 përqind e popullatës duhet të jenë fokusi i vaksinimit, pasi nuk e kanë kaluar koronavirusin dhe nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës.
Më tej, epidemiologu bëri edhe një parashikim për dimrin, duke theksuar se numrat aktualë janë shpresëdhënës.
“Bazuar mbi nivelin e imunitetit, nëse nuk do të kishim pasur këtë variant shumë të transmetueshëm, ne as nuk do të ishim në këtë valë. Kjo valë kërkon një mbrojtje imunitare shumë më të lartë, e cila është shumë e vështirë për t’u arritur.
Ecuria që ne kemi, më shumë se sa duhet të na shqetësojnë numrat, ne duhet të shikojmë me kujdes rastet e shtruara në spital dhe fatalitetet, krahasuar me kulmin e numrit të shkurtit apo edhe të vitit të kaluar. Këto numra janë më shpresëdhënës. Dua të them se vaksina tek të rriturit është një instrument mbrojtës që po prodhon një realitet të pandemisë, i cili është shumë më shpresëdhënës ç’ka qenë para vaksinimit”, u shpreh epidemiologu.