10 kilogramë e 185 gramë kokainë janë sekuestruar në një nga konteinerët për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, të cilës i janë kapur edhe pesë herë të tjera ngarkesa me drogë. Mësohet se mesditën e sotme është ushtruar kontroll i imtësishëm në dy nga kontenierët e ngarkuar me banane, që kishin ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme. Në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontenierëve u gjet dhe u sekuestrua sasia prej 10 kilogramë e 185 gramë kokainë.
Droga ka mbishkrimin “Chileno”. Ky emër mund të tregojë shumë për prejardhjen e kokainës, e cila është nisur nga Ekuadori dhe përmes ngarkesës me banane ka mbërritur në Portin e Durrësit.
Chileno, në shqip do të thotë kilian, popull nga Kili, vend që mund të jetë një nga dërguesit e drogës. Por, Chileno është edhe një plazh mjaft i njohur në Meksikë. Edhe Meksika nuk përjashtohet nga alternativat e origjinës së kësaj ngarkese të kapur sot.Për këtë ngarkesë është vënë në pranga administrator i ri i kompanisë, Ermal Arapi.
Njoftimi nga Porti Durrës: Vijon operacioni policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Sekuestrohet një tjetër sasi kokaine në një nga kontenierët e firmës “Alba Exotic Fruit”. Në kuadër të operacionit “Rada”, të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit është gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike kokainë, në një nga kontenierët për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar ditën e sotme.
Në vijim të operacionit “Rada”, mesditën e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, është ushtruar kontroll i imtësishëm në dy nga kontenierët e ngarkuar me banane, që kishin ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontenierëve u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë. Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit dhe Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e SPAK-ut.
Më herët më 7 shtator u kapën 7.7 kg kokainë në pjesën fundore te kapakët e motorrëve frigoriferike tek konteinerët e “Alba Exotic Fruit”. 7.25 kilogramë kokainë janë gjetur të ndara në pako dhe të ngjitura në një nga kapakët e kontejnerit të kompanisë në fjalë më 29 korrik të këtij viti. Më 23 korrik u sekuestruan 6.5 kilogramë kokainë të fshehura në të njëtën mënyrë. Më 13 korrik u ndalua një kamion me banane në portin e Durrësit brenda të cilit u gjetën 12 kg kokainë, e ardhur nga Ekuadori.
Deri më tani në prangat e Policisë ka përfunduar shoferi i kamionit që kishte shkuar për të marrë dërgesën; Barjon Gumeni, një prej pronarëve të kompanisë “Alba Exotic fruit”, ndërsa në kërkim është shpallur pronari tjetër, Eduart Dauti. Ky i fundit është shprehur për mediat se ndodhej në Francë, por shtoi se do të kthehej në Shqipëri për të sqaruar gjithçka, por nuk dihet vijimësia e çështjes.
Në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë e cila u zëvendësua me oriz dhe iu vendos GPS nga autoritetet për ta ndjekur. Në Durrës u prangosën pritësit Altin Myslihaka dhe Ardian Begaj si dhe u shpall në kërkim Gentian Malindi.