Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një familje nga Kosova që jeton në Francë javën e kaluar. Mediat e huaja raportojnë se në një banesë në qytetin Nancy të Francës, një person u qëllua për vdekje me armë zjarri, dyshohet nga djali i tij 13-vjeçar.
Viktima është një 33-vjeçar me origjinë nga Kosova.
Mediat në Francë raportuan për këtë rast fillimisht se autorja e dyshuar ishte bashkëshortja e tij, e cila para organeve të drejtësisë kishte dhënë deklarata të paqarta për ngjarjen.
Megjithatë, Prokuroria e Nancy të shtunën njoftoi se për këtë vrasje është ndaluar djali 13-vjeçar i viktimës, raporton “France Bleu”.
Ai dyshohet të ketë vrarë babanë e tij me një plumb në kokë.
Sipas të dhënave fillestare, ngjarja ka ndodhur si pasojë e problemeve martesore të çiftit.
Familjarë të viktimës kanë thënë për policinë se 33-vjeçari kishte konsumuar shumë alkool atë natë dhe më pas e kishte dhunuar bashkëshorten e tij.
“Pikërisht në këtë moment djali 13 vjeç, më i madhi nga pesë fëmijët e çiftit, kishte shkuar për të marrë armën e babait të tij. Ka hyrë në kuzhinë ku ishte babai i tij dhe ka shtënë me armë, duke e goditur babanë e tij në kokë”, ka sqaruar François Perain, prokuror i qytetit të Nancyt, transmeton Zeri.info.
Viktima, që nuk ka pasur precedent të mëhershëm për dhunë, tha prokurori, vdiq po atë ditë në spitalin e Nancyt.